9 gazetarë të sulmuar në veri të premten, KFOR-i nuk i ndihmoi

Sipas Policisë së Kosovës, numërohen nëntë (9) gazetarë të sulmuar. Përpos sulmeve fizike, atyre u janë dëmtuar pajisje të ndryshme të xhirimeve. Dukagjini ka siguruar pamje nga momenti kur kameramani i Dukagjinit vrapon në drejtim të KFOR-it për të kërkuar ndihmë gjersa ndiqej nga protestues të maskuar serbë. Ai pengohet nga KFOR-i që të kalojë në një zonë të sigurt

Kriminelët serb sulmojnë gazetarët

Veriu i Kosovës tashmë është bërë një destinacion i rregullt raportimi për gazetarët. Si jo rrallëherë, situata u tensionua të premten dhe protestuesit serbë kanë sulmuar gazetarët duke u shkaktuar lëndime disave prej tyre.

Sipas Policisë së Kosovës, numërohen nëntë (9) gazetarë të sulmuar. Përpos sulmeve fizike, atyre u janë dëmtuar pajisje të ndryshme të xhirimeve.

“Sot me datën 16 qershor 2023, pranë komunës së Leposaviqit nga persona të dyshuar është sulmuar me mjete të ndryshme (ngjyrë), automjeti zyrtar i cili ishte në shoqërim të ministrit të Ministrisë për Administrim të Pushtetit Lokal të RKS-së, i cili ishte në dalje nga komuna e Leposaviqit pasi i njëjti ka qenë me detyrë zyrtare në komunë. Po ashtu në afërsi të komunës së Leposaviqit nga individ/grupe kriminale është hedhur një mjet, dyshohet shok bombë, si dhe janë sulmuar fizikisht në mënyrë brutale disa gazetarë të mediumeve të ndryshme të Kosovës. Bazuar në informacionet e deritanishme bëhet fjalë për nëntë gazetarë të sulmuar të cilët kanë qenë me detyrë zyrtare duke përcjellë zhvillimet pranë komunës së Leposaviqit, ku disa prej tyre përveç shqetësimeve kanë pësuar edhe lëndime të ndryshme trupore, si dhe kanë pranuar tretman mjekësor. Përveç sulmeve fizike dhe dhunës së ushtruar ndaj gazetarëve, atyre iu janë dëmtuar pajisje të ndryshme të xhirimeve, ku njërit prej tyre iu është grabitur kamera zyrtare e mediumit, përderisa tjetrit iu është grabitur një telefon celular”, thuhet në njoftim.

Dukagjini ka siguruar pamje nga momenti kur kameramani i Dukagjinit vrapon në drejtim të KFOR-it për të kërkuar ndihmë gjersa ndiqej nga protestues të maskuar serbë.

Ai pengohet nga KFOR-i që të kalojë në një zonë të sigurt.

Njëherit, lëndime pësoi edhe gazetarja e RTV Dukagjini, e cila u sulmua me gurë nga protestuesit serbë.

Dukagjini ka siguruar pamje gjatë momentit kur gazetarët ndiqen nga protestuesit. Një kameraman i RTK-së, përveç se i thyhen paisjet, edhe rrahet nga ta.

Lidhur me sulmin ndaj gazetarëve ka reaguar edhe kreu i ekzekutivit kosovar, kryeministri Albin Kurti.

Ai ka ftuar diplomatët ndërkombëtarë t’i mbështesin institucionet e Kosovës, gjersa theksoi se grupet e dirigjuara nga Serbia, “nuk durojnë dot as policinë e as gazetarët”.

“Grupe ekstremistësh të kontrolluara nga Beogradi nuk e durojnë dot as policinë e as gazetarët. Policia e Kosovës i shërben drejtësisë dhe ligjit, gazetaria e Kosovës i shërben demokracisë dhe transparencës”, shkroi Kurti. “Urojmë shërim të shpejtë për kameramanët dhe gazetarët. Ftojmë institucionet dhe diplomatët ndërkombëtarë të mbajnë qëndrim, dhe të mbështesin institucionet e Kosovës që të sjellin para drejtësisë të gjithë sulmuesit e Policisë së Kosovës, KFOR-it e sidomos gazetarëve.”

Një reagim nuk mungoi as nga ana e presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.

Osmani ka thënë se ata që kryejnë këto sulme duhet të përballen me drejtësinë.

“Gazetarët në veri të Kosovës janë sulmuar përsëri brutalisht nga grupet kriminale. Ata që kryejnë këto sulme duhet të përballen me drejtësinë. Përpjekjet e tyre për të destabilizuar Kosovën do të dështojnë”, ka shkruar Osmani, në Twitter.

 

Sipas AGK-së, në tri javët e fundit janë regjistruar 30 sulme ndaj gazetarëve.

Tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale.

Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe protestojnë vazhdimisht para ndërtesave komunale prej 29 majit.

Gjithashtu, pak ditë më parë, tre zyrtarë të Policisë së Kosovës janë kidnapuar nga forcat policore serbe. Policia e Kosovës ka publikuar hartat duke treguar se të njëjtit ishin kidnapuar në brendësi të territorit të Kosovës.

Tre policëve të Kosovës, të kidnapuar nga forcat serbe më 14 qershor, iu shqiptua masa e paraburgimit.

Shija e redaktorit

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Të fundit nga rubrika