Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është deklaruar lidhur me vendimin e Qeverisë Kurti II, për targat e paligjshme “KM”. Ai ka thënë se të gjitha vendet mike të Kosovës, janë pajtuar se targat janë të paligjshme dhe vendimet e Qeverisë janë legjitime.
“Askush nuk e konteston legjitimitetin e vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe askush nuk e konteston faktin që këto targa janë ilegale”, ka deklaruar numri 2 i Qeverisë Kurti për mediumin REL, transmeton Portali Dukagjini.
“Askush nuk e konteston faktin që këto targa nuk është dashur të ekzistojnë fare – maksimumi pas janarit të vitit 2018. Do të thotë, ekzistenca e tyre tregon se Serbia i ka shkelur marrëveshjet ndërkombëtare”, ka shtuar Bislimi.
Ai ka treguar se cilat janë dy arsyeje pse është duke u kërkuar që të shtyhet afati për targat e paligjshme.
“E para, vijnë për shkak të një fushate të tmerrshme të dezinformimit dhe manipulimit të qytetarëve të komunitetit serb në veri të Kosovës nga ana e Serbisë, dhe e dyta për shkak të ekspozimit të skajshëm të këtyre qytetarëve ndaj kërcënimeve që u vijnë nga strukturat paralele të Serbisë”, ka theksuar ai.
Bislimi ka përfunduar duke thënë se Qeveria vendimin nuk e ka nisur me masa ndëshkuese dhe as me konfiskim të tabelave dhe se kjo është një farë përgjigje sipas tij për vendet mike të Kosovës.