Gjendja më e mirë në komunat e Kosovës pas vërshimeve

Vërshimet në Istog





Pejë

Vërshimet e ditës së diel kanë shkaktuar shumë dëme në shumë komuna të Kosovës. Një ditë pas, gjendja jo e mirë është duke vazhduar por është më e qetë se sa disa orë më parë.

Gjendjen më të mirë në komunën e Pejës, e ka konfirmuar Faik Zekaj, zëdhënës i kësaj komune, i cili ka thënë se për shkak të ndaljes së reshjeve të shiut situata është më stabile.

Zekaj për RTV Dukagjinin, është shprehur se ende ekziston rreziku sidomos pas rritjes së nivelit të ujit në lumin “Lumbardh”.

“Frikën e kemi tek Lumbardhi meqë është rritur shumë. Janë dy apo tri shpi që ka hyrë uji në atë zonë. Rreziku ka qenë më I madh, por janë mobilizuar të gjitha ekipet. Nuk ka pasur nevojë që të evakuohen familjet”, ka thënë ai.

Tutje Zekaj ka treguar për dëmet që janë shkaktuar si pasojë e vërshimeve.

“Është shembur një pjesë e shëtitores por jo ne qendër. Nuk është pjesë e madhe, por është e menaxhueshme”, ka thënë ai.

“Ka rrëshqitje të dheut në Drelaj në Rugovë, por është liruar rruga. Disa rrugica kanë pasur vështirësi por të gjitha rrugët në Pejë janë të kalueshme”, ka vijuar ai.

Istog

Drejtori i Zhvillimit Ekonomik, Genc Ademaj, ka thënë për RTV Dukagjinin se përkundër që vërshimet janë duke vazhduar, rrugët janë ende të qarkullueshme përveç rrugës tek Ura në fshatin Zllaq.

“Fatkeqësisht vërshimet ende po vazhdojnë. Kemi vazhduar me ekipet që jemi duke i përcjellë situatat. Janë disa përmbytje, në pjesën e shtatit të lumit Drin. Rrugët janë të qarkullueshme, përveç rrugës tek Ura në Zllaq. Nuk ka pasur nevojë të evakuohen qytetarët”, ka thënë ai.

Si pasojë e këtyre vërshimeve në disa shkolla të komunës së Istogut, ditën e hënë nuk është duke u mbajtur mësimi, për shkak të dëmeve që kanë shkaktuar reshjet e shiut.

Vushtrri

Pas reshjeve të dendura të shiut, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi të dielën e 20 nëntorit ka marrë vendim për formim të Shtabit për Gatishmërinë Emergjente.

Idrizi në një prononcim për Portalin Dukagjini ka thënë se pas intervenimeve dhe inspektimeve në zonat e prekura nga reshjet e shiut, tani situata është e menaxhueshme dhe nën kontroll.

“Të gjitha rrugët në qytetin e Vushtrrisë janë të kalueshme, asnjë familje nuk është e përmbytur nga reshjet dhe nuk ka pasur nevojë për evakuim, ka pasur dëme në toka bujqësore dhe të mbjella, si Nadakovc, Pestovë e Samadrexhë”, ka deklaruar Idrizi.

Ndër të tjera, ai ka bërë të ditur se është krijuar edhe ekipi emergjent dhe janë lëshuar pesë numra kontaktues për qytetarët në rast se kanë nevojë.

Skënderaj

Se është gjendje më e mirë se të dielën mbrëma, e ka konfirmuar edhe kryetari i Skënderajt, Fadil Nura.

Në një prononcim për RTV Dukagjinin, Nura ka thënë se komisioni është duke i bërë vlerësimet e dëmeve.

I pyetur se në cilat fshatra ka më shumë probleme, kryetari i Skënderajt, ka thënë se “Kryesisht Llaushë, Tushilë dhe Kllodernic, Klina e Epërme”.

Nura, theksoi se përkundër gjendjes jo të mirë nuk ka pasur nevojë për evakuim të qytetarëve.





Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika