Protesta në Rudar hapet duke u shpalosur flamuri i Serbisë (VIDEO)

Serbët e mbledhur në afërsi të barrikadës në Rudar, kanë nisur protestën e tyre, organizimi i së cilës sipas përfaqësuesve të të ashtuquajturit “shtabi i krizës së popullit serb nga veriu i Kosovës”, ka të bëjë me deklaratat kryeministrit të Kosovës Albin Kurti

Protesta në Rudar, e thirrur nga i ashtuquajturi “shtabi i krizës së popullit serb nga veriu i Kosovës”, tashmë ka filluar.

Protestuesit në Rudar të Zveçanit protestën e hapin duke e shpalosur flamurin e Serbisë.

Një autobus me targa të Beogradit i stërmbushur me protestues, pak para nisjes së protestës kishte arritur në afërsi të barrikadës në Rudar.

Në këtë protestë po marrin pjesë edhe anëtarët e Listës Serbe në krye me ish-ministrin për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq, dhe Igor Simiqin

Sipas përfaqësuesve të këtij shtabi, organizimi i kësaj proteste ka të bëjë me deklaratat e fundit rreth barrikadave nga ana e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, të cilat i konsiderojnë si kërcënim si dhe të ambasadorit gjerman, Jorn Rohde.

Sipas tyre, Kurti ka bërë thirrje për vrasjen e serbëve në barrikada dhe zhdukjen e tyre, ndërsa ambasadori gjerman me deklaratat e tij po e mbështetë drejtpërdrejt dhe hapur kryeministrin Kurti.

Policia e Kosovës përmes një komunikate ka njoftuar se në protestën e cila është paralajmëruar të mbahet në veri të Mitrovicës do të kujdeset që të ruajë rendin dhe qetësinë publike.

“Sot, në veri të Mitrovicës është paralajmëruar të mbahet një protestë/tubim, andaj lidhur me këtë Policia e Kosovës duke njohur të drejtën për tubime publike përmes protestës paqësore, sipas detyrës zyrtare kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe detyrave të përcaktuar sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e dërguar nga PK.

Policia e Kosovës ka ftuar qytetarët që të kenë vëmendje dhe kujdes, të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve.

EULEX po monitoron situatën në veri

EULEX po monitoron nga afër situatën e sigurisë në veriun e Kosovës përmes pranisë së shtuar të pjesëtarëve në terren.

Kështu ka bërë të ditur EULEX përmes një komunikate, ku ka theksuar se duke pasur parasysh situatën e paqëndrueshme të sigurisë në veriun e Mitrovicës, EULEX po e përshtat praninë e tij.

“Jemi duke monitoruar nga afër situatën e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës përmes pranisë sonë të shtuar në terren. Pjesëtarët e Polonisë e Njësisë sonë Policore të Specializuar dhe pjesëtarët e Italisë dhe Lituanisë nga Njësia jonë Policore e Specializuar Rezervë nga Forca Evropiane e Xhandarmërisë janë duke kryer patrullime vëzhguese, përfshirë patrullimet në këmbë në Mitrovicën Veriore dhe Zveçan”.

“Duke e pasur parasysh situatën e paqëndrueshme të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës dhe vendosjen e barrikadave shtesë, EULEX-i rregullisht e përshtat praninë e tij për ta pasqyruar situatën në terren, si dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in”, thuhet në njoftim.

Bllokimi i rrugëve në veri të Kosovës ka hyrë në ditën e 13.

Që nga e shtuna e 10 dhjetorit, serbët lokalë kanë ngritur barrikada në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-pjesëtari serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, për të cilin autoritetet në Kosovë thonë se ka organizuar sulmet ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Forcat e policisë së Kosovës vazhdojnë të jenë të dislokuara në veri.

Që nga 6 dhjetori, në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë shënuar disa incidente të armatosura.

Sulme ka pasur edhe ndaj Policisë së Kosovës.

Ndërkaq, Policia e Kosovës ka njoftuar se të martën në mbrëmje janë dëgjuar dy shpërthime në ‘Lagjen e Boshnjakëve’ dhe te ‘Tre Rrokaqiejt’ në veri të Mitrovicës.

Shija e redaktorit

Librat e verës nga “Dukagjini”, zgjedhjet më të mira për...

Vera është koha ideale për aventura, por jo të gjitha ndodhin jashtë. Disa nga udhëtimet më të paharrueshme ndodhin brenda faqeve të një libri....

Shtëpia botuese “Dukagjini” propozon 9 libra që mund t’ju shoqërojnë...

Vera nuk është vetëm koha e pushimeve, por edhe e rikthimit te vetja. Në këtë periudhë kur ditët janë më të gjata e ritmi...

Pas raportimit të Dukagjinit, 3 donatorë i dalin në ndihmë...

Gjendjes së rënduar të familjes Krasniqi në Llukar e për të cilën raportoi ditë më parë Dukagjini, i kanë dal në ndihmë disa qytetarë...

Të fundit nga rubrika