Osmani: Vuçiqit po i bëhet shumë pak presion

"Shumë pak presion po i bëhet Vuçiqit. Atij i pëlqen të jetë 'mbreti i dramës' dhe ta teprojë", kështu ka deklaruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e pyetur se sa po i bën presion ShBA-ja dhe BE-ja Serbisë në lidhje me zbatimin e marrëveshjeve në bisedimet me Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Bashkimi Evropian dhe ShBA-ja po i bëjnë “shumë pak presion” presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

E para e vendit në një intervistë për portalin “Profil” të Austrisë, ka thënë se atij i pëlqen të jetë “mbreti i dramës” dhe ta teprojë.

Sipas saj, ka një qetësim të madh ndaj tij nga Perëndimi, derisa ka theksuar se kjo bëhet përkundër faktit se Vuçiq nuk është aspak properëndimor.

“Shumë pak presion po i bëhet Vuçiqit. Atij i pëlqen të jetë ‘mbreti i dramës’ dhe ta teprojë. Realiteti është se ka një qetësim të madh ndaj tij nga Perëndimi. Dhe kjo përkundër faktit se Vuçiq nuk është aspak properëndimor. E kam fjalën për një Vuçiq, vendi i të cilit është i vetmi në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë. Një Vuçiq që hap ‘qendra humanitare’ në Serbi, të cilat i shërbejnë de fakto spiunazhit rus”, ka thënë ajo.

Tutje, ajo ka shtuar se nuk ka shumë shpresa se Vuçiq do t’u përmbahet marrëveshjeve të nënshkruara.

Osmani ka theksuar se me Serbinë gjithmonë duhet negociuar dy herë, duke shtuar se së pari duhet bindur për ta nënshkruar e pastaj për ta zbatuar atë që është nënshkruar.

“Nuk kam shumë shpresa për Vuçiqin. Nuk po them se nuk do të nënshkruajë asgjë. Ai ka nënshkruar shumë marrëveshje, duke përfshirë periudhën prej tri vjetësh qëkur u bëra presidente në vitin 2021. Njëra kishte të bënte me targat në komunitetet serbe në veri. Një për njohjen e letërnjoftimeve kosovare në pikat kufitare me Serbinë dhe një për një marrëveshje energjetike. Vuçiqi nuk ka zbatuar asnjë nga këto marrëveshje. Gjithmonë duhet të negociosh dy herë me Serbinë: së pari duhet t’i bindësh të nënshkruajnë, dhe më pas duhet bindur për ta zbatuar atë që kanë nënshkruar. Kjo e fundit është më e vështirë se e para”, ka vijuar Osmani.

Ndërsa, e pyetur se a do të ketë lëshime nëse Serbia kërkon në këmbim diçka për njohjen e shtetit të Kosovës, presidentja Osmani ka thënë se Kosova ka bërë lëshime qysh para pavarësisë së vendit, teksa ka theksuar se e gjithë kjo e ka sjellë Kosovën në prag të mosfunksionimit.

Sipas Osmanit, rajoni nuk ka nevojë për një tjetër Republikë Srpska dhe se Kosova ka nevojë për modele multietnike, jo për ndarje etnike.

“Serbia tashmë ka marrë shumë. Kemi bërë lëshime para pavarësisë. Në dymbëdhjetë vitet që nga fillimi i negociatave me BE-në, janë bërë shumë më tepër lëshime. E gjithë kjo e ka sjellë vendin tonë në prag të mosfunksionimit. Ne nuk kemi nevojë për një Republika Srpska tjetër në rajonin tonë. Ne kemi nevojë për modele multietnike, jo për ndarje etnike. Më pyetët se çfarë mund t’i ofrojmë Serbisë si shpërblim. Përgjigja ime është: si shpërblim për çfarë? Si shpërblim për kryerjen e krimeve të luftës? Si shpërblim për destabilizimin e fqinjëve? A është kjo, çfarë dëshiron të shpërblejë BE-ja? Edhe 24 vjet pas luftës, Serbia nuk ka kërkuar kurrë falje për atë që ndodhi në vitet 1990. Asnjëherë nuk i ka pranuar krimet dhe as i ka sjellë autorët para drejtësisë”.

Ndërkaq, për propozimin franko-gjerman ka thënë se janë shumë të kujdesshëm kur flasin për këtë propozim.

“Propozimin e morëm në formë të shtypur. Janë katër ose pesë faqe. Për disa, kjo mund të jetë thjesht një copë letër. Por kjo ka të bëjë me të ardhmen e fëmijëve tanë. Ne duam që ata të rriten në Kosovë pa pasur nevojë të kalojnë atë që kemi kaluar. Kjo është arsyeja pse ne jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm kur bëhet fjalë për këtë propozim”, ka thënë ajo.

Ndër të tjera, ajo ka thënë se BE-ja përdor gjuhë të paqartë për zgjedhjet që ofron, në mënyrë që, sipas saj, palët t’i interpretojnë marrëveshjet ashtu siç i shohin të arsyeshme.

“Nëse ulem me tre avokatë, do të marr të paktën dhjetë mendime të ndryshme se çfarë do të thotë kjo në praktikë. BE-së i pëlqen të përdorë një gjuhë të paqartë në mënyrë që të dyja palët të mund t’i interpretojnë marrëveshjet ashtu siç e shohin të arsyeshme. Duhet ta lëmë pas këtë strategji. Sepse ne jemi ata që duhet të jetojmë me pasojat”.

Ndërsa e pyetur se a ka marrë ndonjë përgjigje në lidhje me letrën e shkruar presidentit të ShBA-ve, Joe Biden, në mars të vitit të kaluar, në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në NATO, ka thënë se në takimin me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Washington, është theksuar se Qeveria amerikane mbështet plotësisht integrimin euroatlantik të Kosovës.

Shija e redaktorit

Rama e Çeku përballen më 6 nëntor për Prishtinën në...

Të enjten, studio e “Debat Plus” në TV Dukagjin do të jetë nikoqire e debatit vendimtar për garën për Prishtinën në raundin e dytë...

Njohja nga Siria, ambasadori gjerman përgëzon Osmanin

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka reaguar pas njohjes së paravarësisë së Kosovës nga Siria. Rudolph ka përgëzuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani...

Kurti pritet nga Macron në Pallatin Presidencial në Paris

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pritur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në pallatin presidencial Elysee, ku mori pjesë në darkën...

Të fundit nga rubrika