Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bëri thirrje fuqive perëndimore që të mos i bëjnë presion Kosovës për ta pranuar një asociacion kontestues të pesë komunave me shumicë serbe që po rrit tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.
Kurti tha për Associated Press se fokusi në vend të kësaj duhet të jetë në bërjen e Serbisë më demokratike dhe heqjen qafe nga idetë hegjemoniste të Beogradit.
Kurti tha në intervistë të dielën se qeveria serbe duhet të njohë pavarësinë e të gjitha ish-republikave të ish-Jugosllavisë në mënyrë që të “përballet me të kaluarën”. Ai theksoi se Beogradi duhet të anojë më shumë drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s, jo Rusisë .
Kryeministri tha se, nëse çlirohen nga ideja se Kosova është ende e Serbisë, “do të jenë shumë më demokratikë, evropianë”.
Gjatë javëve të fundit, të dërguarit e SHBA-së dhe BE-së kanë vizituar Prishtinën dhe Beogradin për t’i inkurajuar ata të pranojnë një propozim të ri për të dy vendet për të normalizuar marrëdhëniet dhe për të rritur mundësitë e tyre për pranim në BE.
Një dialog Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga BE-ja ka vazhduar që nga viti 2011, por pak nga 33 marrëveshjet e nënshkruara janë zbatuar.
Kurti tha se negociatat e deritanishme ishin “një ideologji për zgjidhjen e problemeve… çdo zgjidhje bëhej gjithnjë e më e ndërlikuar, gjithnjë e më pak e zbatueshme dhe publiku humbi interesin”. Ai e konsideroi propozimin e ri “një kornizë dhe platformë të mirë për të ecur përpara … që na bën me shpresë për perspektivat e bisedimeve të ardhshme dhe një marrëveshje”.
Shtetet e Bashkuara kanë rritur presionin ndaj Prishtinës për të zbatuar një marrëveshje të vitit 2013 për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, e cila do të koordinonte punën në arsim, kujdes shëndetësor, planifikim të tokës dhe zhvillimin ekonomik në nivel lokal. Në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës më vonë shpalli një pjesë të planit jokushtetues, duke vendosur se ai nuk përfshinte etni të tjera dhe mund të përfshinte përdorimin e pushtetit ekzekutiv.
Kurti thotë se themelimi i Asociacionit nuk është prioriteti i tij dhe javën e kaluar ai vendosi kushte duke thënë se mund të formohet vetëm si pjesë e një marrëveshjeje të përgjithshme për normalizimin e marrëdhënieve, të cilën Serbia e ka refuzuar në të kaluarën.
Autoritetet në Kosovë kanë shprehur frikën se Asociacioni do të minonte shtetësinë e Kosovës.
Fuqitë perëndimore duhet të mësojnë nga shembulli i Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, duke shprehur frikën se një asociacion do të krijonte një minishtet në Kosovë, tha Kurti, duke shtuar se Beogradi e ka përdorur çështjen e themelimit të Asociacionit si “armë kundër pavarësisë sonë”.
“Nëse ne prezantojmë në Ballkanin Perëndimor idenë e një asociacioni të komunave me bazë etnike, kjo do të jetë recetë për konflikte të reja”, tha Kurti.
Kurti tha se fuqitë perëndimore nuk duhet t’u bëjnë presion shteteve më të vogla, sikurse Kosova, që janë demokratike. Problemet midis Kosovës dhe Serbisë mund të jenë të vogla dhe të bezdisshme, por ata duhet t’i kushtojnë vëmendje asaj çfarë po ndodh në rajon sepse “çdo zgjidhje e gabuar në Ballkan mund dhe do të përdoret edhe gjetkë”.
Kurti insistoi se njohja e ndërsjellë duhet të jetë në qendër të çdo negociate, ide që refuzohet nga Beogradi.