Presioni ndërkombëtar, kërkesa për nisjen e diskutimeve të menjëhershme për themelimin e Asociacionit

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është obligim që duhet të zbatohet

Ndonëse bisedimet në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Sërbisë, Aleksandër Vuçiq, gjatë takimit të tyre në Bruksel, janë mirëpritur nga ndërkombëtarët, megjithatë sipas tyre mbetet ende një punë e vështirë përpara.

Kryeministri Kurti, dhe presidenti  Vuçiq, në takimin e 27 shkurtit, u pajtuan se nuk kanë më nevojë të diskutojnë për propozimin evropian për normalizimin e raporteve.

Në kuadër të dialogut të Brukselit, dy vendet fqinje, kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin, më 2013 dhe 2015. Por, Gjykata Kushtetuese ka gjetur se marrëveshja e fundit nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia insiston në themelimin e Asociacionit, por Qeveria e Kosovës e kundërshton një asociacionin njëetnik, që thotë se do të mund të krijonte një nivel të ri të pushtetit.

Zyrtarët e lartë amerikanë më herët kanë deklaruar se nuk do të lejojnë formimin e një Republike Sërpska në Kosovë.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është obligim që duhet të zbatohet.

“Kjo kërkesë paraqitet në marrëveshjen e Brukselit. Ka pritje që do të formohet. Pozicioni ynë është që të formohet në një mënyrë që përbën fitore për të dyja palët”, ka thënë Escobar në një bashkëbisedim virtual me gazetarë.

Teksa pyetet nëse Kosova ka afate për formim të Asociacionit, Escobar ka thënë se pyetja është se sa shpejt do të formohet.

“Besoj qe me këtë marrëveshje bazë, Kosova e ka kuptuar që duhet ta formojë [Asociacionin]. Nuk dua të vendos afate kohore, mirëpo dua të them se diskutimi duhet të nisë menjëherë”.

Escobar ka thënë se shpreson që Kosova dhe Serbia do ta zbatojnë marrëveshjen për të cilën kanë arritur pajtueshmëri më 27 shkurt në Bruksel.

Në anën tjetër, unioni evropian ka thënë se palët kanë shprehur gatishmëri që të punojnë në zbatimin e propozimit evropian, që synon të çojë palët drejt një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e plotë të raporteve.

BE-ja ka thënë se zbatimi i propozimit do të bëhet përmes diplomacisë fluturuese, përkatësisht përmes udhëtimeve që pritet të realizojë në Prishtinë dhe Beograd i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Brukseli pret që puna për zbatimin e marrëveshjes të finalizohet para takimit të radhës të Këshillit Evropian, që mbahet më 23-24 mars.

Në propozimin evropian nuk përmendet decidivisht njohja e ndërsjellë. Megjithatë, në nenin dy të këtij propozimi shkruan se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika