Kurti për Masakrën e Izbicës: 24 vjet pas, ka varre të zbrazëta të atyre që ende janë të zhdukur

"Mirënjohës për forcën e familjarëve që dëshmuan në Tribunalin Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, në proceset kundër Millosheviqit dhe udhëheqësve të tjerë të Serbisë", kështu ka deklaruar kryeministri Kurti, teksa së bashku me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani kanë përkujtuar të rënët në Masakrën e Izbicës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani kanë përkujtuar të rënët në Masakrën e Izbicës, që u masakruan 24 vjet më parë nga regjimi serb gjatë luftës në Kosovë.

Kryeministri Kurti së bashku me presidenten Osmani janë përkulur para pllakës përkujtimore e para qëndresës së familjarëve.

“U përkulëm para pllakës përkujtimore e para qendresës së familjarëve. Mirënjohës për forcën e familjarëve që dëshmuan në Tribunalin Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, në proceset kundër Millosheviqit dhe udhëheqësve të tjerë të Serbisë”, ka thënë Kurti.

Kurti ka rrëfyer se si pas rrethimit të fshatit, forcat e Serbisë masakruan 147 burra, pleq dhe fëmijë, ndërsa të masakruarit u zhvarrosën nga Izbica, u varrosën në varreza masive ku disa prej të vrarëve u gjetën në Petrovo Selo në Serbi.

“24 vite pas, ka ende varre të zbrazëta të atyre që ende janë të zhdukur”, ka thënë Kurti.

Ndër të tjera, kreu i Qeverisë së Kosovës ka thënë se ky është përvjetori i parë pa Mustafë Dragajn, i mbijetuar dhe dëshmitar i kësaj masakre.

Ndryshe, forcat policore dhe ushtarake serbe, pas rrethimit të mijëra civilëve të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth, veçuan 147 burra të rinj dhe pleq, të cilët i vranë dhe i masakruan, ndërsa pjesën tjetër e dëbuan jashtë Kosovës.

Izbica shihej si vend i sigurt për banorët e shumë fshatrave të Skenderajt, që ishin të ekspozuar ndaj sulmeve të serbëve. Mijëra shqiptarë kishin shkuar aty, më 27 mars të vitit 1999.

Atë ditë i ishin nënshtruar granatimit, e të nesërmen, gati të gjithë meshkujt e rritur kishin ikur në male, duke i lënë kryesisht gratë, fëmijët, dhe burrat e vjetër në një lëndinë të fshatit.

Ishte ditë Bajrami.

Rreth 200 burra po qëndronin në lëndinë, duke pritur nga çasti në çast pushtimin e fshatit.

Kur policë, ushtarë e paramilitarë kishin mbërritur te civilët, atyre ua kishin plaçkitur paratë dhe të gjitha gjërat e vlefshme, duke i ndarë gratë nga burrat.

Gratë dhe fëmijët u urdhëruan të merrnin rrugën për në Shqipëri, kurse burrat u ekzekutuan gati të gjithë. Kishte edhe gra që u qëlluan.

Pas masakrës, kufomat e të vrarëve i varrosën në Izbicë meshkujt që ishin strehuar në mal, por, forcat serbe i zhvarrosën më pas, duke i dërguar në lokacione të ndryshme në Kosovë e Serbi.

Nga 156 të ekzekutuarit, deri tani janë identifikuar 131 prej tyre. Kanë mbetur edhe 15 të tjerë, varret e të cilëve akoma presin kthimin.

Masakra në Izbicë hyn në radhën e krimeve më të rënda të shtetit të Serbisë, ku vrasja masive, përdhosja e trupave dhe varrimi i tyre, përmes pamjeve satelitore, u bë lajm botëror.

Shija e redaktorit

Tasholli: Prej 16 shtatorit, Kosova nuk do të jetë më...

Ismail Tasholli nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në një lidhje direkte në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur pas konferencës së mbajtur...

Thaçi rrëfen prapaskenat e Rambujesë: Nuk isha i sigurt nëse...

Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-drejtuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, ka rrëfyer në një intervistë të gjerë dhe ekskluzive në Debat Plus disa prej...

“Të jetoj i lirë” – Intervista e fundit e Thaçit...

Presidenti, Hashim Thaçi, do të jetë protagonist i një interviste ekskluzive në emisionin “Debat Plus” të TV Dukagjinit, e cila do të transmetohet nesër,...

Të fundit nga rubrika