Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, në Ditën ndërkombëtare të Lirisë së Shprehjes, ka thënë se mediat duhet të jenë të lira dhe të gëzojnë sigurinë e lirinë e shprehjes.
Përmes një komunikate për media, Szonyog ka thënë se çdo sulm ndaj gazetarëve, qoftë ai në internet, verbal apo fizik, është i turpshëm dhe duhet dënuar.
“Për raportim të besueshëm dhe të baraspeshuar, si shtylla e katërt e demokracisë, mediat duhet të jenë të lira, pluraliste dhe profesionale dhe duhet të gëzojnë sigurinë dhe lirinë e palëkundur të shprehjes”, ka thënë ambasadori.
Po ashtu, Szunyog ka potencuar se Raporti i BE-së për Kosovën për vitin 2021, pranon se Kosova përfiton nga një mjedis mediatik pluralist dhe dinamik por që shqetësimet mbeten në lidhje me fushatat e njollosjes publike, kërcënimet dhe sulmet fizike ndaj gazetarëve.
Ai u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të përmirësojnë reagimet ndaj sulmeve dhe formave të tjera të presionit ndaj mediave.
Teksa i është referuar fushatës së dezinformimit që buron nga agresioni rus mbi Ukrainën, ambasadori Szunyog e ka theksuar nivelin e lartë të profesionalizmit të shumicës së mediave të Kosovës në raportimin për luftën në Ukrainë.
Krahas kërkesave, nuk munguan as përshëndetjet nga ana e ambasadorit.
Ai e ka mirëpritur miratimin e kohëve të fundit nga Kuvendi i Kosovës të Ligjit për Ndihmë Juridike Falas i cili për herë të parë, do t’iu shërbejë edhe profesionistëve të mediave.
“Miratimi i Ligjit për Ndihmën Juridike Falas nga Kuvendi ishte një hap në drejtimin e duhur për të siguruar lirinë e mediave në Kosovë, dhe BE-ja nga ana e saj do të vazhdojë të financojë, mbështesë dhe të punojë në nismat që kontribuojnë në profesionalizimin e mëtejshëm dhe qëndrueshmërinë e mediave”, ka thënë Szunyog.
Ndryshe, ndihma e BE-së për sektorin e mediave në Kosovë arrin në dy milionë euro, ndërsa 13.5 milionë euro shtesë janë ndarë për të mbështetur lirinë e mediave në rajonin e Ballkanit Perëndimor gjatë periudhës 2021-2023.