Mbahet manifestimi përkujtimor “Eksodi Bllaca 99”

Shoqata për Kthimin e Shqiptareve të Shpërngulur nga Trojet e Veta, ka ndarë çmimet “Hasan Prishtina” për 24 komuna, bashkësi lokale, shoqata humanitare, organizata joqeveritare e mediume nga RMV, që ndihmuan refugjatët kosovarë gjatë kohës së luftës të vitit 1998-99

Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta ndan çmimet “Hasan Prishtina” për ata që ndihmuan refugjatët kosovarë

Në Han të Elezit është mbajtur të hënën manifestimi përkujtimor “Eksodi Bllaca 99”, me ç’rast, “Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta” ndau çmimin “Hasan Prishtina” për 24 komuna, bashkësi lokale, shoqata humanitare, organizata joqeveritare e mediume nga RMV, që ndihmuan refugjatët kosovarë gjatë kohës së luftës të vitit 1998-99.

Kryetari i Shoqatës për kthimin e shqiptarëve, Jahja Lluka, është shprehur se është obligim i të gjithëve për ta mbajtur gjallë Bllacën e viteve të 99-ta.

Lluka ka theksuar se Qeveria e Kosovës duhet të bëjë me shumë për mirëmbajtjen e memorialit, pasi siç ka thënë ai, pas një kohe mund të mos ekzistojë.

“E kemi për obligim ta mbajmë gjallë Bllacën e viteve 99-të, 440 mijë njerëz kanë kaluar nëpër Bllacë. Më e mira e Bllacës 99-të është pas fitores se pas UÇK-së është fitorja e refugjatëve shqiptarë. Prishtina e ka për obligim t’i ndihmojë Hanin e Elezit, memorialin, sepse Prishtina ka buxhet, të cilin nuk mund ta harxhojë, kështu që, është më mirë të harxhohet për një të mirë të përbashkët. Qeveria e Kosovës pa marrë parasysh kush vjen kryeministër, duhet të ketë interesim më të madh për mirëmbajtjen e memorialit, ashtu siç kërkon shteti të mirëmbahet njëjtë kërkon edhe memoriali, sepse ndoshta pas një kohe nuk mund të ekzistojë”, ka thënë Lluka, raporton KP.

Kryetari i komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Pallazhi, gjatë fjalimit të tij ka thënë se Bllaca do të jetë përherë pjesë e historisë së Kosovës.

Pallazhi ka shtuar se si kryetar i komunës çdoherë është i gatshëm të ndihmojë për gjitha projektet për Bllacën e viteve të 99-ta.

“Bllaca është simbol i tragjedisë së shqiptarëve, por njëkohësisht dhe simbol i qëndrueshmërisë. Me angazhimin tonë, Bllaca 99-të do të jetë përherë pjesë e historisë tonë, sepse vetëm duke i kujtuar do ta mbajmë gjallë ndjenjën e atdhedashurisë”, ka thënë Pallazhi.

Ndërkaq, me rastin e 24-vjetorit të çlirimit dhe 60-vjetorin e fillimit të fotografisë të Asllan Krasniqit, ai nxori nga arkivi i tij për herë të parë pas 24 vitesh dhe hapi ekspozitë me 24 fotografi të “Eksodit’99 në Bllacë, Stenkoc dhe Çegran” Ekspozita u hap në Qendrën Përkujtimore Bllacë në Han të Elezit.

Po ashtu, në Bllacë u mbajt ora letrare me poezi konkurruese të zgjedhura nga komisioni për “24 poetë – 24 poezi – 24 vjetori” pasuar me program artistik nga Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve “Shota” në Prishtinë.

Këtë të hënë është shënuar 24-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës, kur gjatë luftës së viteve 1998-1999, ata u detyruan nga forcat serbe të shpërngulen në Shqipëri e Maqedoni.

Përveç të shpërngulurve në Shqipëri dhe Maqedoni, mijëra shqiptarë kanë kaluar kufirin edhe me Malin e Zi, ndërsa qindra mijëra janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në malet e Kosovës.

Ata kanë qenë fëmijë, gra, të moshuar, të dhunuar, të torturuar dhe të masakruar.

Para dy vjetësh, për të kujtuar ditët e shpërnguljes me dhunë të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre dhe vuajtjet e tyre nga regjimi serb në Qendrën Përkujtimore “Bllaca ‘99”, në Han të Elezit është inauguruar monumenti “Muri i Kujtesës”, si dhe parku “Hasan Prishtina”.

Monumenti “Muri i Kujtesës” është një mozaik që simbolizon sakrificën e nënës shqiptare, bashkë me emrat e disa prej personaliteteve të shquara botërore që kontribuan në çlirimin e Kosovës, një vepër kjo artistike-monumentale që shpreh më së miri kujtimin dhe respektin për të gjithë ata që sollën lirinë dhe pavarësinë e shumëpritur.

 

Shija e redaktorit

Për nder të 32-vjetorit të themelimit, shtëpia botuese “Dukagjini” dhuron...

E themeluar më 14 mars 1994, në një periudhë sfiduese për librin, arsimin dhe kulturën shqiptare në Kosovë, shtëpia botuese “Dukagjini” sot shënon 32-vjetorin...

Ekskluzive: Kosova mundëson riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë-Hercegovinës nga Riadi...

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka organizuar riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës me një fluturim nga Riadi drejt...

Dukagjini Resort dhe The Northern prezantohen në panairin më të...

Projekti Dukagjini Resort së bashku me The Northern do të marrin pjesë në MIPIM Cannes, panairin më të madh ndërkombëtar patundshmërisë në botë. Projekti do...

Të fundit nga rubrika