Gjoshi: Kurti dhe Osmani sot dështuan, i treguan botës se qytetarët e atyre komunave nuk dëgjojnë Prishtinën, por Beogradin

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi

Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, i ka fajësuar presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, për pjesëmarrjen e ulët të qytetarëve në zgjedhjet në veri këtë të diel.

Në një postim në Facebook, Gjoshi ka thënë se ata “bënë një kthim mbrapa dhe shkatërrim të asaj që është ndërtuar me mundim të madh”.

“Albin Kurti dhe Vjosa Osmani dështuan! Fatkeqësisht, ky nuk është një dështim personal i tyre, por për Republikën e Kosovës. Sot, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani bënë një kthim mbrapa dhe shkatërrim të asaj që është ndërtuar me mundim të madh”.

“Sot, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani i treguan botës se qytetarët e atyre komunave nuk dëgjojnë Prishtinën, por Beogradin”, shtoi ai.

Gjoshi ka theksuar se vetëm aventurat dhe papjekuria politike e tyre ka sjellë rrethana të dëmshme për Kosovën.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar garën për kryetarë të komunave të Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviqit, ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës ka fituar në Zveçan dhe Zubin Potok.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë të Veriut, Erden Atiq, fitoi 66.5 për qind të votave, apo 519 vota gjithsej. Ai la pas kundërkandidatin e tij nga PDK-ja, Taulant Kelmendin, me 186 vota.

Sipas rezultateve preliminare, Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje, ka fituar 73.5 për qind të votave në Leposaviq, apo 100 vota gjithsej. Kurse kundërkandidatët e tij, Albulena Behluli-Hetemi nga PDK-ja, arriti t’i grumbullojë vetëm 34 vota.

Në Zubin Potok, Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës mori 52.1 për qind të votave, apo 196 vota duke lënë pas kandidatin nga LVV-ja, Flatron Hasanin, me 180 vota apo 47.9 për qind.

Ndërkaq, në Zveçan, Ilir Peci nga Partia Demokratike e Kosovës fitoi 60 për qind të votave apo 114 vota, duke lënë pas kandidatin nga LVV-ja, Fetah Pecin, me gjithsej 71 vota.

Kandidatja e pavarur në këtë komunë, Sllagjana Pantoviq – që ishte kandidatja e vetme serbe – fitoi pesë vota, apo 2.6 për qind.

Në këto zgjedhje votuan 1.567 qytetarë apo 3.47 për qind e trupit votues.

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika