Blinken në Kinë për t’i stabilizuar raportet dypalëshe

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka nisur vizitën në Kinë dhe është takuar me homologun e tij kinez, Qin Gang

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe ministri i Jashtëm i Kinës, Qin Gang. Pekin, 18 qershor 2023. Foto: Reuters

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka nisur vizitën në Kinë dhe është takuar me homologun e tij kinez, Qin Gang.

Blinken do të qëndrojë në Kinë për dy ditë për të zhvilluar bisedime me zyrtarët kinezë.

Kjo është vizita e parë e një diplomati amerikan në Kinë në pothuajse pesë vjet.

Zyrtarët amerikanë thanë se qëllimi kryesor i bisedimeve është stabilizimi i raporteve me Kinën që janë bërë të tensionuara.

Blinken para pesë muajsh kishte shtyrë këtë vizitë, pas fluturimit të një balone të dyshuar kineze të spiunazhit në hapësirën ajrore amerikane.

SHBA-ja ka ulur pritjet për këtë vizitë dhe të dyja palët e kanë bërë të qartë se nuk presin ndonjë rezultat të madh.

Qëllimi, thanë zyrtarët amerikanë, është rihapja e linjave të komunikimit në nivel të lartë dhe stabilizimi i raporteve, që janë përkeqësuar pas incidentit me balonën.

Kina ka mbajtur stërvitje ushtarake pranë Tajvanit, që Pekini e sheh si pjesë integrale të Kinës. SHBA-ja mban raporte të ngushta me Qeverinë tajvaneze, të zgjedhur në mënyrë demokratike.

Sipas agjendës, përveç me kryediplomatin kinez, Blinken do të takohet edhe me zyrtarin për politikë të jashtme, Wang Yi.

Lufta në Ukrainë, mosmarrëveshjet tregtare, lidhur me teknologjinë e avancuar kompjuterike dhe të drejtat e njeriut në Kinë, janë pjesë e temave që pritet Blinken të diskutojë me zyrtarët në Pekin.

Zyrtarët kinezë që kanë reaguar ndaj vizitës së Blinkenit, kanë vënë në pikëpyetje nëse SHBA-ja është e sinqertë në përpjekjet e saj për t’i përmirësuar raportet.

Është ende e paqartë nëse Blinken do të takohet me presidentin kinez, Xi Jinping.

Blinken është zyrtari më i lartë amerikan që viziton Kinën qëkur presidenti amerikan, Joe Biden, mori detyrën në janar të vitit 2021.

“Nëse dëshironi të siguroheni, siç duam ne, se konkurrenca që kemi me Kinën nuk shkon në konflikt, duhet të nisni të komunikoni”, tha Blinken për gazetarët të premten.

Më pas, ai tha se shpreson se do të takohet me presidentin Xi gjatë muajve të ardhshëm. /REL

 

Shija e redaktorit

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Kongresmeni amerikan Keith Self: Kosova aleate më besnike e SHBA-së

Kongresisti amerikan Keith Self e ka cilësuar Kosovën si një nga partnerët më të afërt dhe më besnikë të Shteteve të Bashkuara në Evropë. “Unë...

Të fundit nga rubrika