Ambasadorja amerikane në Rusi takohet me gazetarin e burgosur, Evan Gershkovich

Ambasadorja amerikane në Rusi, Lynne Tracy, u lejua të takohej të hënën me gazetarin e burgosur të gazetës “Wall Street Journal”, Evan Gershkovich, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit

Ambasadorja amerikane në Rusi, Lynne Tracy. Foto: DASH

Ambasadorja amerikane në Rusi, Lynne Tracy, u lejua të takohej të hënën me gazetarin e burgosur të gazetës “Wall Street Journal”, Evan Gershkovich, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit. Kjo është vizita e dytë që nga ndalimi i tij në mars nën akuzat për spiunazh, të cilat ai i ka hedhur poshtë.

Ambasadorja Trejsi u takua me Gershkovich në burgun Lefortovo në Moskë, rasti i parë që zyrtarëve të ambasadës amerikane iu dha qasje konsullore që nga 17 prilli, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

“Ambasadorja Trejsi raporton se zoti Gershkovich është në gjendje të mirë shëndetësore dhe mbetet i fortë, pavarësisht rrethanave”, shtoi zëdhënësi. “Ne presim që autoritetet ruse të ofrojnë qasje të vazhdueshme konsullore”.

Një gjykatës rus refuzoi më 22 qershor një kërkesë që 31-vjeçari Gershkovich të lirohej nga burgu në pritje të gjykimit. Pas këtij vendimi Ambasadorja Trejsi e akuzoi Rusinë për zhvillim të “diplomacisë së pengjeve”.

Moska thotë se zoti Gershkovich u kap ndërsa përpiqej të shtinte në dorë sekrete ushtarake gjatë një udhëtimi në qytetin rus të Yekaterinburgut, por nuk ka dhënë detaje që mbështesin akuzat. Gazeta “Wall Street Journal” i mohon akuzat.

Departamenti i Shtetit përsëriti qendrimin e Uashingtonit se arrestimi i zotit Gershkovich ishte i paligjshëm dhe i cilësoi si të pabaza akuzat kundër tij.

Uashingtoni bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të gazetarit Gershkovich dhe zotit Paul Whelan, një ish-marins amerikan që vuan një dënim 16-vjeçar nën akuza për spiunazh. Departamenti i Shtetit e cilësoi të paligjshëm arrestim e zotit Whelan në Moskë në vitin 2018.

Marrëdhëniet SHBA-Rusi janë në pikën më të ulët në më shumë se gjashtë dekada, pas fillimit të agresionit të Kremlinit ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Në të kaluarën, Rusia ra dakord me Shtetet e Bashkuara për shkëmbime të të burgosurve të profilit të lartë. Vitin e kaluar basketbollistja amerikane Brittney Griner, e dënuar në Rusi për droge, u shkëmbye me rusin Viktor Bout, një trafikant armësh i dënuar në Shtetet e Bashkuara.

Rusia ka thënë se nuk mund të ketë shkëmbime në rastin e gazetarit Gershkovich derisa të merret një vendim gjykate. Deri tani nuk ka asnjë njoftim se kur do të bëhet gjykimi i tij. /VoA

 

Shija e redaktorit

Këto janë libraritë ku mund t’i gjeni tekstet shkollore të...

Shtëpia botuese “Dukagjini” njofton se ka filluar shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 dhe tashmë janë në dispozicion në të gjitha libraritë partnere...

Fillon shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 nga shtëpia...

Shtëpia botuese “Dukagjini” ka nisur zyrtarisht shitjen e teksteve shkollore për vitin e ri shkollor 2025/2026. Prindërit, mësimdhënësit dhe nxënësit tani mund t’i gjejnë...

50 autoblinda për Kosovën, Ambasada amerikane: Tjetër hap në angazhimin...

Të premten është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të autoblindave të reja të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së...

Të fundit nga rubrika