Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka reaguar pas aksionit të policisë që është zhvilluar në tri lokacione ku u arrestuan dy zyrtarë të MINT-it e një biznesmen nën dyshimet për keqpërdorime me rezerva shtetërore.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se thirrja e një seance të jashtëzakonshme për shkarkimin e qeverisë përmes mocionit të mosbesimit është zgjidhja e vetme pasi sipas tij, degradimi i qeverisë ka arritur në përmasa enorme, si në planin e brendshëm edhe atë të jashtëm.
“Thirrja e seancës së jashtëzakonshme për shkarkimin e qeverisë përmes mocionit të mosbesimit, është zgjidhja e vetme për të shpëtuar vendin dhe për t’i hapur rrugë qeverisë së unitetit kombëtar dhe zgjedhjeve të reja”, ka shkruar Haradinaj.
Sipas tij, të gjitha këto akuza e skandale e kanë vetëm një adresë, e ajo siç thotë ai, është pikërisht ai që i ka angazhuar dhe i ka veshur me pushtet e përgjegjësi, kryeministri i vendit dhe kryetari i VV-së, Albin Kurti.
“Përderisa kaq shumë zyrtarë qeveritar dhe persona të afërt me qeverinë e partinë në pushtet, janë të përfshirë në skandale nga më të ndryshmet, të padëgjuara më parë në Kosovë, atëherë akuzat drejtohen vetëm në një adresë. Koka dhe udhëheqësi i tyre, është pikërisht ai që i ka angazhuar dhe i ka veshur me pushtet e përgjegjësi, kryeministri i vendit dhe kryetari i VV-së, Albin Kurti”, ka vijuar ai.
Ai ndër të tjera ka thënë se zgjedhjet e reja janë të domosdoshme pasi siç thotë ai, “me një njeri të sëmurë për pushtet, të papërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm, e që nuk dorëhiqet, obligohet mobilizimi i të gjithë atyre që e dojnë Atdheun dhe që përfaqësojnë interesat e vendit dhe qytetarëve, pa dallime partiake”.
Ndryshe, në bastisjet që ka realizuar Policia e Kosovës në mëngjesin e premtes në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka arrestuar dy punonjës të këtij dikasteri.
Të arrestuarit janë drejtori i Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica.
Policia gjatë bastisjes në pronën dhe biznesin e Ridvan Muharremit, e ka arrestuar të njëjtin si njëri nga personat e dyshuar në këtë rast.
Prokuroria Speciale ka dhënë detaje në lidhje me arrestimin e tre të dyshuarve për “keqpërdorim të rezervave shtetërore”.
Siç njofton Prokuroria, të pandehurit, Ridvan Muharremi, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica dyshohen për veprat “Keqpërdorim i detyrës zyrtare’’, si dhe “Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës – Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka realizuar sot bastisje në lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku kanë arrestuar tre (3) persona me inicialet R.M. H.G dhe I.L. Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se tre personat e arrestuar, R.M. H.G dhe I.L. dyshohen për veprat ‘’Keqpërdorim i detyrës zyrtare’’, si dhe ‘’Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’, thuhet në njoftim.
Tutje, thuhet se gjatë bastisjes janë siguruar dhe sekuestruar prova materiale të cilat do të përdoren për procedurë të mëtutjeshme hetimore.
“Të njëjtit me urdhër të Prokurorit të Shtetit, do të dërgohen në mbajtje për 48 orë, si dhe brenda afateve ligjore kohore do të bëhet kërkesë për caktimin e paraburgimit “, thuhet tutje.
Aksioni është zhvilluar pas publikimit të disa audio-incizimeve nga gazeta “Nacionale”, në të cilat dëgjohen dy zyrtarë të MINT-it, të cilët pretendojnë se vaji i paguar nga shteti i Kosovës nuk ka ardhur nga Polonia në Kosovë edhe pse për atë sasi shteti kishte paguar.