Chollet telefonon Kurtin e Vuçiqin, dënon sulmin ndaj policisë, kërkon kthimin në dialog

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet ka dënuar sulmin e grupit terrorist ndaj policisë së Kosovës teksa ka ftuar Kosovën dhe Serbinë të kthehen në dialog dhe të bëjnë deeskalim urgjent të situatës

Këshilltari Special në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet ka zhvilluar bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq pas zhvillimeve të fundit në Banjskë të Zveçanit.

Chollet i ka ftuar palët të kthehen në dialog, të bëjnë depërshkallëzim urgjent e të zbatojnë marrëveshjen e Ohrit.

Në bisedë me Kurtin, Chollet e ka dënuar ashpër sulmin e grupit terrorist ndaj policisë së Kosovës teksa ka shprehur ngushëllime për policin, Afrim Bunjaku që humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës.

“Bisedova me kryeministrin Kurti pas sulmit të tmerrshëm të së dielës në Kosovë. Dënoj ashpër dhunën kundër Policisë së Kosovës; shpreha ngushëllime për humbjen e rreshterit Afrim Bunjaku. Të dyja palët duhet të kthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe të zbatojnë marrëveshjen e Ohrit”, ka shkruar Chollet.

Ndërsa në bisedë me Vuçiq, Chollet ka theksuar nevojën urgjente për të rivendosur qetësinë dhe shmangien e veprimeve që mund të nxisin tensione më tutje.

“Fola me presidentin Vuçiq për rëndësinë e deeskalimit të menjëhershëm në veri të Kosovës dhe shmangien e veprimeve që mund të nxisin më tej tensionet. Humbja tragjike e jetës nënvizon nevojën urgjente për të rivendosur qetësinë dhe për t’u kthyer në dialogun e lehtësuar nga BE”, ka shkruar Chollet.

Ndryshe, Policia e Kosovës më 24 shtator u sulmua nga një grup i personave të maskuar dhe armatosur, pasi tentoi të hiqte barrikadat e vendosura në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Si pasojë e sulmit mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, i plagosur një polic tjetër dhe dy të tjerë u lënduan.

Grupi i armatosur u strehua në manastirin e Banjskës, prej ku u përlesh me Policinë e Kosovës.

Deri më tani gjatë përleshjeve janë vrarë tre sulmues, ndërkaq janë arrestuar tetë të tjerë.

Sot, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, publikoi një video të incizuar me dron, ku shihet Radoiçiqi i armatosur në Banjskë, se e ka organizuar sulmin terrorist dhe ka marrë pjesë në sulm.

Shija e redaktorit

Dukagjini prezanton serinë e re të lektyrave në Prishtinë: “Kutia...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës serinë e re të Lektyrave shkollore për klasat 1–5, në një aktivitet që...

Shkolla “Ismail Qemali” anëtarësohet në UNESCO Education Charter Club

Shkolla fillore e mesme e ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë ka marrë konfirmimin zyrtar për themelimin e “Ismail Qemali UNESCO Education Charter Club”, duke...

“Dita e Forcës”, kazermat e FSK-së të hapura për qytetarët

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, me rastin e Ditës së Forcës, sot duke filluar nga ora 09:00 deri në ora...

Të fundit nga rubrika