PE-ja do të kërkojë masa ndëshkuese ndaj Serbisë

Grupet politike në PE po hartojnë një rezolutë të posaçme për zhvillimet në Kosovë dhe raportet mes Prishtinës dhe Beogradit. Rezoluta synon të ftojë Kosovën dhe Serbinë të rikthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli dhe të kërkojë masa ndëshkuese ndaj Serbisë për ngjarjet e fundit në veri të Kosovës

Parlamenti Evropian

Grupet politike në Parlamentin Evropian (PE) janë duke formuluar propozimet e tyre për një rezolutë të posaçme për zhvillimet në Kosovë dhe për raportet mes Prishtinës dhe Beogradit.

Burimet brenda PE-së i kanë thënë se në bazë të asaj që është deklaruar në një diskutim për situatën në Kosovë para dy javësh, mund të pritet që në këtë rezolutë të bëhet ftesë për Kosovën dhe Serbinë që t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, por edhe do të kërkohen masa ndëshkuese ndaj Serbisë.

Sa i përket vendosjes së masave ndaj Serbisë ka pajtim të shumicës në PE, thanë burimet. Por, vendimet në këtë drejtim i merr Këshilli i BE-së në rast se bëhet fjalë për sanksione klasike, apo Komisioni Evropian që ka kompetenca të vendosë masa ndëshkuese, ashtu siç tashmë ka vendosur ndaj Kosovës.

Kjo rezolutë do të vendoset në procedurë të përshpejtuar dhe pritet të miratohet më 19 tetor gjatë seancës plenare të PE-së.

Sipas burimeve, përmes rezolutës pritet të kërkohet hetimi i plotë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin e grupit të armatosur të serbëve ndaj policisë së Kosovës, që la të vrarë policin Afrim Bunjaku. Serbia ka mohuar se ka gisht në këtë ngjarje.

Më herët, BE-ja ka thënë se po pret përfundimin e hetimeve dhe më pas do të ndërmarrë hapa dhe masa të mundshme, shkruan REL.

Ndryshe, ideja për një rezolutë të tillë në PE është prezantuar nga deputeti socialdemokrat nga Kroacia, Tonino Piculla dhe ka marrë mbështetjen e nevojshme nga grupet politike.

Tani pritet që secili grup politik të paraqesë draftin e vet për rezolutë. Pas kësaj, do të caktohet një udhëheqës i cili do të koordinojë në arritjen e një kompromisi për amendamentet e rezolutës. Kur grupet të arrihet pajtimin për tekstin e përbashkët të rezolutës, atëherë do të hidhet në votim në seancën plenare të PE-së.

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika