BE-ja dënon sulmin në Banjskë, kërkon nga Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet

“Bashkimi Evropian pret që autorët të arrestohen dhe të sillen shpejt para drejtësisë dhe Serbia të bashkëpunojë plotësisht, dhe t’i ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm në këtë drejtim”, thuhet në konkluzionet e miratuara nga Këshilli Evropian në fund të samitit

Liderët e Bashkimit Evropian e kanë dënuar “ashpër sulmin e dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës”, që ka ndodhur në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator.

“Bashkimi Evropian pret që autorët të arrestohen dhe të sillen shpejt para drejtësisë dhe Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe t’i ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm në këtë drejtim”, thuhet në konkluzionet e miratuara nga Këshilli Evropian në fund të samitit.

Në fund të takimit dyditor, të mbajtur në Bruksel, liderët e BE-së kanë shprehur shqetësimin e tyre të thellë për situatën e sigurisë në veri të Kosovës.

Kosovës dhe Serbisë u është kërkuar që t’i vazhdojnë përpjekjet për ulje të tensioneve dhe të sigurojnë mbajtjen sa më të shpejtë të zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen aktive të serbëve të Kosovës.

“Dështimi për t’i ulur tensionet do të ketë pasoja”, është thënë mes tjerash në konkluzione.

Presidentët dhe kryeministrat evropianë kanë shprehur keqardhje për mungesën e zbatimit të Marrëveshjes së arritur në shkurt në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve.

BE-ja ka bërë thirrje që dy vendet t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet paraprake, pa vonesa dhe pa parakushte, duke përfshirë edhe formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja palëve dhe të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të progresit”, thuhet tutje.

Ndryshe, të enjten, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u pritën në takime të ndara nga liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë, si dhe nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Shija e redaktorit

Osmani ftohet nga Trump t’i bashkohet Bordit të Paqes

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka pranuar ftesën personale të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për të...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovon në Gjilan lektyrat e reja për...

Nxënësit e klasave 1 deri në 5 të disa shkollave fillore në Gjilan kanë pasur mundësi që të njoftohen nga afër me lektyrat e...

BE: Kosova e 13-ta në botë për siguri strategjike, Mali...

Sipas Normandy Index 2025, të përgatitur nga shërbimi kërkimor i Parlamentit Evropian (EPRS), Kosova renditet në vendin e 13-të në botë për nivelin më...

Të fundit nga rubrika