Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është takuar me përfaqësuesin e posaçëm të Francës për Ballkanin Perëndimor, René Troccaz.
Përmes njoftimit nga Zyra e Kryeministrit bëhet e ditur se në takim u diskutua mbi marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Francës, bashkëpunimin ekonomik, qeverisjen dhe zhvillimet e fundit në vend, situatën e sigurisë pas sulmit në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator, dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dritë e procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj.
“Në lidhje me procesin e dialogut, Kryeministri Kurti veçoi faktin se Kosova ka qenë e vazhdon të jetë palë konstruktive dhe e angazhuar për hapa të rëndësishëm tutje në këtë proces, dhe e njoftoi atë me qëndrimet e Qeverisë së Kosovës në takimin e 26 tetorit në Bruksel me liderët evropianë. Ai ritheksoi rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve, sepse me nënshkrim normalizimi i marrëdhënieve fiton qëndrueshmëri dhe zbatimi fiton garanci”, thuhet në komunikatë.
Tutje sipas komunikatës, sa i përket situatës së sigurisë, Kurti ka rikujtuar kërcënimin e vazhdueshëm që Serbia paraqet për Kosovën.
“Ajo ka 48 baza të përparme operacionale përreth kufirit me Kosovën, dhe së fundmi ka dislokuar sisteme kundër-ajrore në afërsi të kufirit, tha kryeministri, teksa shtoi se mungesa e sanksionimit të Serbisë, rritë nivelin e kërcënimit në Ballkanin Perëndimor”- thuhet në komunikatë.
Në këtë takim kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Ndërkaq, emisari francez Troccaz po shoqërohej nga ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot.