BE-ja i kërkon Shkupit të bëjë reforma të thella në sistemin gjyqësor

Bashkimi Evropian (BE) i ka bërë thirrje Maqedonisë së Veriut të bëjë reforma të thella në sistemin gjyqësor të vendit, duke vlerësuar se ai ka arritur në "një pikë kritike"

Ilustrim

Bashkimi Evropian (BE) i ka bërë thirrje Maqedonisë së Veriut të bëjë reforma të thella në sistemin gjyqësor të vendit, duke vlerësuar se ai ka arritur në “një pikë kritike”, pas skandaleve të shumta lidhur me lirimin e shumë zyrtarëve të korruptuar nga ndjekja penale nga periudha e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, vjetërsimin e lëndëve edhe lirimin nga burgu të disa prej tyre.

Ambasadori i BE-së në Shkup, David Geer, i paraqiti të martën 40 masa të një grupi të ekspertëve evropianë, të cilat, tha ai, duhet të jenë prioritet i tanishëm i autoriteteve maqedonase, por edhe i çdo qeverie të ardhshme për ta vënë në binarë sundimin e ligjit në Maqedoninë e Veriut.

Masat kanë të bëjnë me reformimin e Këshillit Gjyqësor, përkatësisht ndryshimin e mandatit të anëtarëve, procesin e përzgjedhjes së anëtarëve, përmirësimin e praktikave të transparencës, rritjen e pavarësisë financiare të organit dhe përfshirjen e shoqërisë civile në përzgjedhjen e anëtarëve në monitorimin e punës së tij.

“Duhet veprim urgjent për ta adresuar këto probleme, sepse gjyqësori është në një pikë kritike. Problemet në Këshillin Gjyqësor janë grumbulluar prej kohësh dhe nuk janë adresuar me kohë dhe në mënyrë të duhur dhe sistematike”, tha Geer.

Këshilli Gjyqësor është institucioni më i rëndësishëm në gjyqësorin e vendit, sepse ai vendos për përgjegjësinë, disiplinën dhe shkarkimin e gjyqtarëve.

Kritikat ndaj Këshillit Gjyqësor për ndikime dhe presione politike janë theksuar edhe në një raport të Komisionit Evropian në nëntor, ndërsa vërejtje të ngjashme ka edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si edhe nga organizatat joqeveritare në Maqedoninë e Veriut.

Raporti i KE-së vë në pah mungesën e përparimit në gjyqësor dhe në luftën kundër korrupsionit.

Janë kritikuar edhe ndryshimet në Kodin Penal, të cilat mundësuan ndërprerjen e shumë proceseve gjyqësore dhe uljen e dënimeve me burg për ish-kryeministrin e arratisur, Nikolla Gruevski, dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë gjatë qeverisjes së tij nga 2006-2016.

Lidhur me zhvillimet në Këshillin Gjyqësor dhe veprimet e tij, ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, në nëntor deklaroi se Këshilli nuk i ka përmbushur plotësisht obligimet ligjore dhe se veprimet e tij nuk janë në përputhje me pritjet e banorëve të Maqedonisë së Veriut.

OSBE-ja ka bërë një anketë me gjyqtarët, në të cilën më shumë se gjysma kanë deklaruar se nuk e konsiderojnë Këshillin Gjyqësor si organ praktikisht të pavarur në punën e tij. /REL

Shija e redaktorit

Osmani ftohet nga Trump t’i bashkohet Bordit të Paqes

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka pranuar ftesën personale të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për të...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovon në Gjilan lektyrat e reja për...

Nxënësit e klasave 1 deri në 5 të disa shkollave fillore në Gjilan kanë pasur mundësi që të njoftohen nga afër me lektyrat e...

BE: Kosova e 13-ta në botë për siguri strategjike, Mali...

Sipas Normandy Index 2025, të përgatitur nga shërbimi kërkimor i Parlamentit Evropian (EPRS), Kosova renditet në vendin e 13-të në botë për nivelin më...

Të fundit nga rubrika