Në Kuvendin e Republikës së Kosovës është miratuar Ligji për Konfliktet Administrative.
Kështu ka bërë të ditur Ministria e Drejtësisë përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Sipas njoftimit të MD-së, ky Ligj përcakton parimet, rregullat dhe procedurën e gjykimit të konflikteve administrative, konflikte këto që ngrihen ndaj organeve publike si pasojë e veprimeve ose mosveprimeve të tyre gjatë procedurës administrative.
Disa prej risive që Ligji parasheh në raport me Ligjin e kaluar janë:
- Mundësia për Gjykatën për zhvillimin e procedurës me shkrim, pa prezencën e palëve, në raste të caktuara.
- Zgjerimi dhe konkretizimi i llojit të padive me të cilat mund të iniciohet një konflikt administrativ.
- Afate ligjore më të shkurta dhe veprime tjera që mundësojnë zgjidhjen efikase të rasteve nga Gjykata.
- Ndalimi i kthimit të lëndëve gjyqësore në rishqyrtim dhe rivendosje në organet publike.
- Limitimi i rasteve të kthimit në rishqyrtim dhe rivendosje nga gjykata e shkallës së dytë në gjykatën e shkallës së parë.
- Mundësimi i komunikimit elektronik dhe mbajtjen e seancave në distancë kur të krijohen kushtet në të ardhmen.
- Përcaktimi në mënyrë të veçantë i kompetencës së Gjykatës për shqyrtimin e ligjshmërisë së akteve nënligjore të organeve publike.
- Rregullimi ligjor i parimit që shpenzimet barten nga pala që humb konfliktin administrativ.
- Rregullimi i procedurës së ekzekutimit të vendimeve gjyqësore, duke përfshirë edhe fuqinë ligjore që do ta kenë gjyqtarët për të shqiptuar gjoba ndaj zyrtarëve përgjegjës.
Ky Ligj do të hyjë në fuqi 1 vit pas publikimit në Gazetë Zyrtare të Republikës së Kosovës, duke mundësuar kështu një periudhë të përshtatshme përgatitore për trajnimin e gjyqtarëve, të avokatëve dhe të profesionistëve të tjerë ligjorë për zbatimin e këtij Ligji.
Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar të themelojë, gjithashtu, gjatë vitit të ardhshëm Gjykatën Administrative, si pjesa tjetër e reformës së Qeverisë së Republikës së Kosovës në drejtësinë administrative.