LDK-ja bën homazhe te varri i ish-presidentit Rugova

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, bashkë me anëtarë të kësaj partie, kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugovës

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka bërë homazhe te varri i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugovës.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas homazheve tha se projekti Rugovës për Kosovën, i integruar në strukturat euroatlantike dhe miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës “është projekti ynë”.

“Sot në 18 vjetorin e ikjes në amshim të prijësit shqiptar, arkitektit të pavarësisë, nderojmë figurën e presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Ai ishte prijës nacional i Lëvizjes më të madhe shqiptare për liri, pavarësi, demokraci, i LDK-së, ishte prijës i popullit të Kosovës në përpjekjen sublime për shtet e pavarësi, e formësoi këtë shtet në përmbajtje dhe në formë, krijoi unitet nacional, krijoi mbështetjen ndërkombëtare… Në këtë 18 vjetor të dhimbshëm ne jo vetëm ndjejmë dhimbje për humbjen e tij dhe mungesën e tij por edhe e kujtojmë me nder të madh, mundin dhe përpjekjen dhe mënyrën e të bërit politikë të tij. Projekti i tij i një Kosove të pavarur dhe sovrane të anëtarësuar në NATO e në BE, është projekt i yni”, tha Abdixhiku.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas homazheve te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova

Sot mbushen 18 vjet nga vdekja e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ai ndërroi jetë më 21 janar të vitit 2006, ku u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në Cercë të Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ibrahim Rugova shkollën fillore e kreu në Istog, të mesmen në Pejë, më 1967. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe e kreu në Prishtinë. Gjatë vitit akademik 1976-77 qëndroi në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e profesor Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Doktoroi në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984.

Në vitin 1996 doktor Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Në fillim ishte redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re” dhe revistën shkencore “Dituria” (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Një kohë punoi edhe në revistën “Fjala”. Mandej, për afro dy dekada, Rugova veprimtarinë shkencore e zhvilloi në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë. Një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës “Gjurmime albanologjike” të këtij Instituti. Me krijimtari letrare u mor që nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë.

Rugova më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare kundër sundimit komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.

Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK, nën udhëheqjen e tij, u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes.

Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Rugova dhe LDK-ja përmbyllën kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës. Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i Kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumë-partiake për Kuvendin e Kosovës, më 24 maj 1992.

Doktor Ibrahim Rugova u zgjodh president i Republikës së Kosovës. Ai u rizgjodh në këtë post në zgjedhjet e mbajtura në mars 1998.

Shija e redaktorit

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Të fundit nga rubrika