Inspektorati shëndetësor kreu dje inspektim në Spitalin e Gjakovës lidhur me vdekjen e 4-vjeçares

"Ju informojmë se Inspektorati Shendetesor ka kryer inspektim me datë 21.02.2024 në Spitalin e Gjakovës në lidhje me rastin në fjalë dhe lënda është në procedurë", thuhet në përgjigjen e MSh-së

Inspektorati Shëndetësor ka kryer inspektim të mërkurën e 21 shkurtit në Spitalin e Gjakovës, në lidhje me rastin e vdekjes së 4-vjeçares.

Këtë e ka konfirmuar Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për Dukagjinin.

“Ju informojmë se Inspektorati Shëndetësor ka kryer inspektim me datë 21.02.2024 në Spitalin e Gjakovës, në lidhje me rastin në fjalë dhe lënda është në procedurë”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.

Ndryshe, vdekja e 4-vjeçares nga Gjakova të hënën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka shkaktuar reagime të shumta në vend.

Në raportin 24-orësh të policisë thuhej se 4-vjeçarja po trajtohej në QKUK që nga 17 shkurti, ndërsa më 19 shkurt ajo vdiq teksa trupi i saj është dërguar për obduksion në IML.

Ndërsa, QKUK ka treguar se 4-vjeçarja ka vdekur si pasojë e një infeksioni akut të rëndë të shkallës së lartë.

“Pacientja sjellet nga Spitali i Gjakovës, si rast i intubuar për në Qendrën Emergjente të QKUK-së, me parametra vital dhe me gjendje mjaft të rënduar shëndetësore. Në Qendrën Emergjente të QKUK-së kryhen të gjitha analizat laboratorike dhe ato diganostike – radiologjike, thirrën në konsultë edhe mjekët e lëmenjve përkatëse. Pas të gjitha konsultave, vendoset për trajtim të mëtejmë në Repartin Intensiv në Klinikën e Pediatrisë, me diagnozë të punës Sepsë ( infeksion akut i rëndë i shkallës se lartë)”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se ShSKUK ka kërkuar nga Spitali i Gjakovës dhe QKUK raporte të detajuara, të cilat do të shqyrtohen.

Ndërsa familjarët kanë treguar versionin e tyre për vdekjen e 4-vjeçares.

Ditë më parë, Arjana Hajra nga Gjakova, së bashku me të bijën kishin vendosur t’i bënin një vizitë vëllait të saj, me ç’rast të bijën e kishte lënë jashtë për të luajtur me fëmijë.

Por, të njëjtën, më pas e kishte gjetur të shtrirë në tokë.

Sipas Hajrës, vajza i kishte thënë se e kishin rrahur fëmijët e familjarëve që kishin shkuar t’i vizitonin.

“E mora qikën, filloi me kajt. I thash çka ki, më tha ma ka hi jakupi me dërrasë qitu dhe djali i Sabijes më ka rreh krejt. As ajo s’më kallxoj bash mirë. Tu ardh nuk mujke me ec, ‘oj mam zemra po më dhemb’, e mora në shpi e tash si me fjalë mo, e mora ajo veç kajke”, ka thënë Hajra.

Gjersa thotë se e ndjera nuk kishte forcë për të qëndruar në këmbë, e njëjta kishte pasur mavijosje në fundshpinë e ënjtje në gjoks.

Pasi e kishte dërguar në Spitalin e Gjakovës, mjekët, familjes i ishte thënë se e njëjta kishte lëndime të rënda në kokë e në gjoks.

Pas përkeqësimit të gjendjes, katërvjeçarja ishte dërguar për trajtim në QKUK.

Por, nëna e saj pretendon e asaj iu dha një shkak tjetër, që për fat të keq, rezultoi me vdekjen e saj.

“N’gjysmë nate m’ka thirrur doktorica me hy në sallë, ku ka qenë qika. Kom hy, kom nejt me qik dhe erdh doktorica po ma bën, oj zojë nuk e ka prej t’rrehnit, ka infeksion të madh. I ka shpërthyer gjakderdhja prej infeksionit të madh”, ka shtuar ajo.

Nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë nuk kanë thënë më shumë për rastin sesa që thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, gjersa nuk kanë dhënë përgjigje për intervistimin e të dyshuarve për rrahjen e të miturës.

Njësoj kanë vepruar edhe nga Prokuroria.

“Ju njoftojmë se është iniciuar rast i hetimit të vdekjes dhe me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Në koordinim me policinë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet lidhur me këtë rast”, ka thënë nga Prokuroria Themelore në Gjakovë.

Nëna e të ndjerës ka thënë që vëllai i saj ka mohuar që i biri ka rrahur të ndjerën, gjersa i njëjti, siç ka thënë familja, është intervistuar nga Policia e Kosovës.

Dritë mbi rastin që është cilësuar si “hetim i vdekjes”, pritet të hedhë raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore, ku është dërguar trupi i së ndjerës për obduksion.

4-vjeçarja që vdiq në QKUK dyshohet të jetë rrahur nga familjarët, familjes i thuhet se vdiq nga infeksioni

Shija e redaktorit

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Kongresmeni amerikan Keith Self: Kosova aleate më besnike e SHBA-së

Kongresisti amerikan Keith Self e ka cilësuar Kosovën si një nga partnerët më të afërt dhe më besnikë të Shteteve të Bashkuara në Evropë. “Unë...

Të fundit nga rubrika