Osmani dhe Hovenier diskutojnë për propozimet lidhur me zbatimin e rregullores së BQK-së

Presidentja Vjosa Osmani dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kanë diskutuar të enjten për “propozimet që ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme për planin e tranzicionit për zbatimin e rregullores së BQK-së”, kështu ka bërë të ditur Presidenca

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të enjten në takim të rregullt ambasadorin e SHBA-ve, Jeffrey Hovenier.

Siç ka njoftuar Zyra e Presidencës, në takim, Osmani dhe Hovenier kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, me fokus të veçantë në propozimet të cilat ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme për planin e tranzicionit për zbatimin e rregullores së BQK-së.

“Duke diskutuar për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit bilateral, presidentja Osmani ripotencoi mirënjohjen e thellë për mbështetjen e përhershme të SHBA-ve për sovranitetin, kushtetutshmërinë dhe integritetin territorial të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Në mes tjerash, Osmani dhe Hovenier kanë diskutuar po ashtu edhe për bashkëpunimin për sa i përket agjendës ndërkombëtare në muajt në vijim, si dhe për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.

Nga 1 shkurti i këtij viti ka hyrë në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, që e përcakton euron si monedhë të vetme për pagesat me para të gatshme në Kosovë.

Dinarët mund të mbahen në llogari bankare ose të shkëmbehen në euro.

Banka Qendrore e Kosovës ka siguruar se rregullorja e saj nuk e ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në euro në bankat e licencuara në Kosovë dhe ka bërë thirrje për hapjen e këtyre llogarive.

Në komunikatën e bërë për media thuhet se “qytetarët që ende nuk kanë llogari, mund të hapin një të tillë te secila bankë, sipas Rregullores së BQK-së për qasje në Llogari Pagese për Shërbime Bazike, që për grupet e cenueshme e të skemave sociale nuk ka tarifë të hapjes e as të mirëmbajtjes nga 1 janari 2024”.

Vetëm në katër komunat veriore, operojnë katër degë bankare, tri institucione mikrofinanciare (kredidhënëse), si dhe mbi 15 institucione financiare jobankare për pagesa dhe këmbimore.

Numri i degëve dhe zyrave të institucioneve financiare që operojnë në atë zonë është në rritje, pasi përfshirja financiare është objektiv i BQK-së.

Shija e redaktorit

Tasholli: Prej 16 shtatorit, Kosova nuk do të jetë më...

Ismail Tasholli nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në një lidhje direkte në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur pas konferencës së mbajtur...

Thaçi rrëfen prapaskenat e Rambujesë: Nuk isha i sigurt nëse...

Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-drejtuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, ka rrëfyer në një intervistë të gjerë dhe ekskluzive në Debat Plus disa prej...

“Të jetoj i lirë” – Intervista e fundit e Thaçit...

Presidenti, Hashim Thaçi, do të jetë protagonist i një interviste ekskluzive në emisionin “Debat Plus” të TV Dukagjinit, e cila do të transmetohet nesër,...

Të fundit nga rubrika