Përfaqësuesje e vajzave mëson kundërshtarët për kualifikimet Euro 2025 në futboll

Në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës, është hedhur shorti për kualifikueset e Kampionatit Evropian "Zvicër 2025" në konkurrencën e femrave

Në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës, është hedhur shorti për kualifikueset e Kampionatit Evropian “Zvicër 2025” në konkurrencën e femrave, në futboll.

Përfaqësuesja e Kosovës ndodhet në Ligën B dhe ka mësuar tanimë emrat e kundërshtarëve për këto kualifikuese.

Kosova është në Ligën B, pra qëndron më mirë se 19 përfaqësuese evropiane që janë në Ligën C.

Në Ligën B do të formohen katër grupe me nga katër përfaqësuese. Në vazon e parë janë Portugalia, Zvicra, Skocia dhe Uellsi. Në vazon e dytë bëjnë pjesë Bosnjë-Hercegovina, Serbia, Kroacia dhe Hungaria. Vazon e tretë e përbëjnë Sllovakia, Irlanda e Veriut, Ukraina dhe Turqia. Kosova në grup do të ketë nga një përfaqësuese prej secilës vazo, pos Serbisë e Bosnjë-Hercegovinës. Përballjet Kosovë – Serbi dhe Kosovë – Bosnjë-Hercegovinë nuk i lejon UEFA.

Në Evropian direkt kualifikohen vetëm nga dy përfaqësuese prej të gjitha katër grupeve të Ligës A. Vendet e tjera plotësohen përmes plejofit. Sa i takon Ligës B, ku do të jetë Kosova, tri përfaqësueset e para në secilin grup e kanë të garantuar paraqitjen në plejof. Vetëm përfaqësueset e vendit të katërt mund të mbesin jashtë plejofit, pos që do të bien në Ligën C.

Përmes plejofit do të përcaktohen shtatë përfaqësueset e fundit që kualifikohen në Evropian. Shorti i plejofit është më 19 korrik, ndërsa ndeshjet e plejofit do të luhen në tetor, nëntor dhe në fillim të dhjetorit të këtij viti.

Por fillimisht janë shorti dhe ndeshjet në grupe. Prej 3 deri më 9 prill janë xhirot një e dy. Xhirot tre e katër janë prej 29 majit deri më 4 qershor, ndërsa xhirot pesë e gjashtë prej 10 deri më 16 korrik.

Futbollistet e Kosovës nuk kanë humbur që prej 12 nëntorit të vitit 2022, kur pësuan nga Sllovenia. Prej atëherë kanë 13 fitore e një barazim. Por përballë kanë pasur përfaqësuese të nivelit solid evropian.

Estonia, Bullgaria, Letonia, Maqedonia e Veriut, Lihtenshtajni janë përfaqësueset evropiane që i ka mposhtur Kosova gjatë vitit të kaluar dhe këtë vit. Të gjitha, pos Lihtenshtajnit, janë në Ligën C. Lihtenshtajni nuk garon fare në kualifikime.

Në Ligën C është edhe Shqipëria, që për short është në vazon e parë së bashku me Slloveninë, Greqinë, Bjellorusinë e Rumaninë.

Në edicionin e parë të Ligës së Kombeve, Kosova ishte në Ligën C. E fitoi grupin me Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut. Shënoi dy fitore ndaj Maqedonisë së Veriut, ndërsa kishte një fitore e një barazim me Bullgarinë.

Shija e redaktorit

Librat e verës nga “Dukagjini”, zgjedhjet më të mira për...

Vera është koha ideale për aventura, por jo të gjitha ndodhin jashtë. Disa nga udhëtimet më të paharrueshme ndodhin brenda faqeve të një libri....

Shtëpia botuese “Dukagjini” propozon 9 libra që mund t’ju shoqërojnë...

Vera nuk është vetëm koha e pushimeve, por edhe e rikthimit te vetja. Në këtë periudhë kur ditët janë më të gjata e ritmi...

Pas raportimit të Dukagjinit, 3 donatorë i dalin në ndihmë...

Gjendjes së rënduar të familjes Krasniqi në Llukar e për të cilën raportoi ditë më parë Dukagjini, i kanë dal në ndihmë disa qytetarë...

Të fundit nga rubrika