Për herë të parë, Rusia thotë se është “në luftë” me Ukrainën

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka konfirmuar se Rusia tani e konsideron konfliktin me Ukrainën si një luftë, për shkak të ndërhyrjes së Perëndimit në mbështetje të Ukrainës. Që nga fillimi i pushtimit të gjerë në shkurt të vitit 2022, autoritetet ruse kanë preferuar ta quajnë konfliktin një "operacion të posaçëm ushtarak"

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Rusia tani është “në luftë” me Ukrainën për shkak të ndërhyrjes perëndimore, në atë që Moska më herët e ka quajtur “operacion të posaçëm ushtarak”, ka thënë për agjencinë Argumenty i Fakty (AiF), zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

“Ne jemi në luftë. Në të vërtetë, nisi si një operacion i posaçëm ushtarak, por sapo i krijua një klikë dhe Perëndimi kolektiv u bashkua në krahun e Ukrainës, kjo për ne u shndërrua në luftë. Jam i bindur për këtë. Të gjithë duhet ta kuptojnë këtë në mënyrë që të mbledhin forcat”, citohet të ketë thënë Peskov.

Që nga nisja e pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Kremlini ka shmangur që ta quajë konfliktin luftë dhe i është referuar si “operacion i posaçëm ushtarak”.

Kremlini po ashtu ka shtyrë përpara ligje të reja përmes Dumës Shtetërore, sipas të cilave, cilësimi i konfliktit si “luftë” është ilegal dhe shumë njerëz janë gjobitur e burgosur për “diskreditimin” e forcave ruse dhe përhapjen “e informacioneve të rreme” për shkak të përdorimit të kësaj fjale.

Gjatë këtij deklarimi, Peskov shtoi se Rusia duhet të “çlirojë” krejtësisht “rajonet e saj të reja” – katër rajonet në Ukrainë që Moska ka aneksuar paligjshëm gjatë luftës – për “të mbrojtur popullin në këto rajone dhe për të çliruar territorin e këtyre rajoneve”.

Moska ka aneksuar ilegalisht rajonet pas nisjes së pushtimit, megjithëse mbetet e paqartë se sa territor ka nën kontroll.

Deklaratat e Peskovit u bënë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, fitoi me lehtësi zgjedhjet presidenciale të fundjavës së kaluar, votime, që sipas vëzhguesve të pavarur nuk ishin as të lira, e as fer.

Këto ishin zgjedhjet e para të mëdha në Rusi qëkur Putini nisi pushtimin në shkallë të plotë të shtetit fqinj.

Sipas rezultateve zyrtare, Putin siguroi një mandat të ri gjashtëvjeçar presidencial, pasi fitoi 87.3 për qind të votave./ REL

Shija e redaktorit

Këto janë libraritë ku mund t’i gjeni tekstet shkollore të...

Shtëpia botuese “Dukagjini” njofton se ka filluar shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 dhe tashmë janë në dispozicion në të gjitha libraritë partnere...

Fillon shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 nga shtëpia...

Shtëpia botuese “Dukagjini” ka nisur zyrtarisht shitjen e teksteve shkollore për vitin e ri shkollor 2025/2026. Prindërit, mësimdhënësit dhe nxënësit tani mund t’i gjejnë...

50 autoblinda për Kosovën, Ambasada amerikane: Tjetër hap në angazhimin...

Të premten është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të autoblindave të reja të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së...

Të fundit nga rubrika