Erdogan do të vizitojë SHBA-në në maj

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, do të vizitojë Shtetet e Bashkuara më 9 maj, për takimin e parë të udhëheqësit turk në Shtëpinë e Bardhë gjatë administratës së presidentit amerikan, Joe Biden

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, do t’i vizitojë Shtetet e Bashkuara më 9 maj ka thënë një zyrtar turk i sigurisë, duke i hapur rrugë takimit të parë të udhëheqësit turk në Shtëpinë e Bardhë gjatë administratës së presidentit amerikan, Joe Biden.

Vizita në Uashington do të jetë e para që Erdogan do të zhvillojë që nga viti 2019, kur u takua me presidentin e atëhershëm amerikan, Donald Trump, me të cilin, ka raporte të mira personale. Qëkur është zgjedhur Bideni në postin e presidentit më 2020, Ankaraja ka kërkuar që dy udhëheqësit të zhvillojnë një takim kokë më kokë.

Raportet mes dy aleatëve të NATO-s, që përshkruhen me dallime të mëdha në një sërë çështjesh, janë përmirësuar pasi Ankaraja ratifikoi pranimin e Suedisë në NATO në muajin janar, pas 20 muajsh vonesë që kishte shkaktuar frustrim në Uashington.

Megjithatë, mes Uashingtonit dhe Ankarasë vazhdon të ketë mospajtime për çështje të tjera, përfshirë veriun e Sirisë, ku forcat amerikane mbështesin militantët kurdë që Turqia i konsideron terroristë.

Uashingtoni po ashtu po i bën presion Ankarasë që të bëjë më shumë për të ndaluar transitin e mallrave për në Rusi, pasi argumenton se të ardhurat nga to Moska po i përdor për luftën kundër Ukrainës, raporton REL.

Zyrtari turk i sigurisë nuk dha informacione të tjera për vizitën, por tha se zyrtari më i lartë i inteligjencës turke, Ibrahim Kalin, do të takohet me anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së për të biseduar për vizitën e planifikuar dhe për çështje të tjera dypalëshe.

Ende nuk ka ndonjë koment nga Uashingtoni apo nga Ambasada amerikane në Ankara lidhur me këtë vizitë.

Analistët thanë se Bideni dhe Erdogani ka të ngjarë që do të bisedojnë për luftën mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian. Erdogan është një kritik i zëshëm i veprimeve ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës.

Analistët parashikuan po ashtu se temë e diskutimeve në Shtëpinë e Bardhë mund të jetë bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes, përfshirë edhe blerjen e avionëve amerikanë F-16 nga Ankaraja.

Shija e redaktorit

Këto janë libraritë ku mund t’i gjeni tekstet shkollore të...

Shtëpia botuese “Dukagjini” njofton se ka filluar shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 dhe tashmë janë në dispozicion në të gjitha libraritë partnere...

Fillon shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 nga shtëpia...

Shtëpia botuese “Dukagjini” ka nisur zyrtarisht shitjen e teksteve shkollore për vitin e ri shkollor 2025/2026. Prindërit, mësimdhënësit dhe nxënësit tani mund t’i gjejnë...

50 autoblinda për Kosovën, Ambasada amerikane: Tjetër hap në angazhimin...

Të premten është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të autoblindave të reja të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së...

Të fundit nga rubrika