Bota regjistron marsin më të nxehtë në histori

Marsi i vitit 2024 shënoi temperaturën më të lartë të regjistruar në historinë e botës, sipas Shërbimit të Monitorimit të Ndryshimeve Klimatike të Bashkimit Evropian. Gjatë 12 muajve të fundit, çdo muaj ka qenë më i ngrohtë se muajt korrespondues në vitet e mëparshme, duke rezultuar në një periudhë rekord 12-mujore

Foto ilustruese

Bota përjetoi marsin e saj më të ngrohtë në histori, ka thënë të martën Shërbimi i Monitorimit të Ndryshimeve Klimatike i Bashkimit Evropian.

Në fakt, secili nga 10 muajt e fundit u rendit si më i nxehti ndonjëherë, krahasuar me muajt korrespondues të viteve të mëparshme, thuhet në buletinin e tij mujor.

Dymbëdhjetë muajt që përfunduan me marsin, u renditën gjithashtu si periudha më e nxehtë 12-mujore e regjistruar ndonjëherë në planet.

Nga prilli 2023 deri në mars 2024, temperatura mesatare globale ishte për 1.58 gradë Celsius mbi mesataren e temperaturës në periudhën paraindustriale, nga viti 1850 deri më 1900.

“Është trend afatgjatë me rekorde të jashtëzakonshme që na shqetëson shumë”, tha zëvendësdrejtoresha e Shërbimit të Monitorimit të Ndryshimeve Klimatike e BE-së, Samantha Burgess, për agjencinë e lajmeve, Reuters, transmeton REL.

“Duke parë rekorde të tilla – muaj pas muaji – shohim vërtet se klima jonë po ndryshon me shpejtësi”, ka shtuar ajo.

Moti ekstrem dhe temperaturat e jashtëzakonshme bënë kërdi këtë vit.

Thatësira e nxitur nga ndryshimet klimatike në rajonin e pyjeve tropikale të Amazonës, shkaktoi një numër rekord zjarresh në Venezuelë nga janari deri në mars, ndërsa thatësira në Afrikën e Jugut shkatërroi të korra dhe bëri që miliona njerëz të përballen me urinë.

Shkaku kryesor i nxehtësisë së jashtëzakonshme ishin emetimet e gazrave serrë, të shkaktuara nga njerëzit, tha Shërbimi i Monitorimit të Ndryshimeve Klimatike i BE-së.

Faktorët e tjerë që i rritën temperaturat, përfshijnë El Ninon – fenomenin e motit që ngroh ujërat sipërfaqësore në Oqeanin Paqësor lindor.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika