Netanyahu zotohet se do t’i kundërshtojë sanksionet amerikane ndaj ushtrisë izraelite

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, 18 tetor 2023.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar se do t’i kundërshtojë çfarëdo sanksionesh kundër ushtrisë së vendit të tij, pas raportimeve se Shtetet e Bashkuara kanë vendosur ta ndërpresin ndihmën për njërën prej njësiteve të saj.

“Do të luftoj kundër tyre me gjithë forcën time”, tha Netanyahu të dielën.

Derisa zyrtarët amerikanë nuk e bënë të ditur emrin e njësitit që pritet të sanksionohet, liderët izraelitë dhe mediet lokale thanë se bëhet fjalë për Netzah Yehuda – një batalion e këmbësorisë i themeluar rreth 25 vjet më parë, për t’i futur në ushtri burrat ultraortodoks.

Shumë burra fetarë janë të liruar nga shërbimi i detyruar ushtarak në Izrael.

Liderët izraelitë e kanë cilësuar si të “padrejtë” vendimin për sanksionet, posaçërisht në një kohë lufte, si dhe janë zotuar se do ta kundërshtojnë.

“Nëse dikush mendon se mund të vendosë sanksione kundër një njësiti të IDF-së, do ta luftoj me të gjithë forcën time”, tha Netanyahu.

Netzah Yehuda, apo në shqip Judea Përgjithmonë, ka qenë gjithmonë e vendosur në Bregun e okupuar Perëndimor dhe disa pjesëtarë të tij kanë ndërlidhje me abuzimet kundër palestinezëve. Ky njësit është pjesë e vogël përbërëse e pranisë ushtarake të Izraelit në këtë territor.

Ky njësit u kritikua ashpër nga Shtetet e Bashkuara më 2022, pasi një i moshuar amerikano-palestinez u gjet i vdekur pak pasi ishte arrestuar në një pikë kontrolli në Bregun Perëndimor.

SHBA-ja kishte bërë thirrje Izraelit në atë kohë për një hetim gjithëpërfshirës dhe përgjegjësi të plotë për rastin.

Ushtria izraelite kishte shprehur keqardhje për vdekjen e tij dhe kishte thënë se komandanti i Netzah Yehuda do të qortohej për këtë. Ajo kishte vendosur të mos hapte procedura penale për këtë rast.

Uashingtoni – aleati kryesor i Izraelit – nuk i ka ndalur ndihmat për asnjë njësit të IDF-së më parë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të premten se ka vendosur t’i shqyrtojë akuzat se disa njësite të ushtrisë izraelite i kanë shkelur kushtet për pranimin e ndihmës amerikane.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të tërhiqen nga qëllimi për ta sanksionuar Netzah Yehudan, duke thënë se bota është duke i vëzhguar marrëdhëniet në mes të SHBA-së dhe Izraelit më shumë se kurrë më parë.

“Çdo tentim për ta kritikuar tërë njësitin hedh dyshime të mëdha mbi veprimet e IDF-së”, tha Gallant në një komunikatë, duke shtuar se “kjo nuk është rruga e duhur për partnerët dhe miqtë”./Radio Evropa e Lirë/

Shija e redaktorit

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Kongresmeni amerikan Keith Self: Kosova aleate më besnike e SHBA-së

Kongresisti amerikan Keith Self e ka cilësuar Kosovën si një nga partnerët më të afërt dhe më besnikë të Shteteve të Bashkuara në Evropë. “Unë...

Të fundit nga rubrika