Një shpërthim që ka ndodhur mbrëmjen e 29 nëntorit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar fqinjin verior të Kosovës, Serbinë, për “sulm kriminel dhe terrorist”, i cili, sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.
Duke komentuar shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin-Potok, Kurti ka thënë se ky sulm është kryer nga profesionistë me qëllimin për ta dëmtuar infrastrukturën kritike të Kosovës. Ky kanal dërgon ujë për ftohje të termocentraleve Kosova A e Kosova B.
“Ky është sulm kriminal dhe terrorist, i cili ka synuar që ta dëmtojë infrastrukturën tonë kritike, mbase edhe më të rëndësishmen që kemi dhe padyshim që ishte tentativë e rrezikimit të furnizimit me energji elektrike dhe ujë në vendin tonë”, ka thënë Kurti. “Sulmi është kryer nga profesionistë. Është sulmi i radhës kriminal e terrorist që ne besojmë se vjen nga bandat e orkestruara dhe dirigjuara nga Serbia, e cila e ka edhe interesin edhe gatishmërinë, edhe aftësinë për të shkaktuar sulme e dëmtime të këtilla, në rastin konkret duke përdorur sasi të madhe të eksplozivit në nyje kyçe ku riparimi është i vështirë. Nëse dëmi nuk riparohet atëherë një pjesë e Kosovës rrezikon të mbetet pa energji elektrike që në mëngjes”, ka thënë Kurti në një konferencë të jashtëzakonshme për media.
Kurti ka thënë se s’ka adrësë tjetër për sulme të tilla “pos Beogradit zyrtar dhe strukturat kriminale, me në krye Milan Radoiçiqin”.
“Ky është sulmi pra shpërthimi i tretë në ditët e fundit që ka pasur për cak institucionet tona. Dhe është synuar që të nxitet frika. Përpjekjet e tilla do të ngelen të dështuara për shkak se kushtetutshmëria në vendin tonë sundimin e ligjit rendi dhe Republika jonë nuk do të mund të mposhten nga askush”, ka thënë Kurti.
Kurti po ashtu ka njoftuar se menjëherë pas konferencës do të takohet me komandantin e KFOR-it dhe ka ftuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë.
“Unë nuk i kam emrat e atyre që e kanë vënë detonimin… Por unë e di një gjë, se elemente të tilla kriminale qofshin edhe zyrtarisht anëtarë të Mbrojtjes Civile, Brigadës së Veriut, ata e kanë mbështetjen dhe dirigjimin nga Beogradi zyrtar”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, arsyeja pse Kosova po përballet me këto sulme është “suksesi i Kosovës”. “Suksesi i Kosovës është duke i çmendur ata”, ka thënë Kurti.
Kryeministri po ashtu ka thënë se autoritetet e Kosovës nuk kanë informacione për sulm të ri të mundshëm, por ka shtuar se shteti duhet të jetë i përgatitur për gjithçka.
“Duhet të përgatitemi për gjithçka, meqenëse Serbia nuk e ka ndryshuar as qëndrimin e as qëllimin. Dhe do të bëjmë edhe ne gjithçka me forcën, kapacitete dhe dijen që kemi. Jemi në bashkërendim me partnerët tanë. Por punën kryesore e bëjmë ne, policia, inxhinierët e KEK-ut, ekspertët në Ibër-Lepenc, Qeveria, qytetarët. Ne jemi bartës të sanimit të kësaj gjendjeje sepse ata po sulmojnë në mënyrë tinëzare e qyqare. Dikur i kanë kontrolluar këto asete, i kanë pasur komunat, kanalin, Policinë, liqenin e Ujmanit. Sulmet e tyre vijnë sepse e kanë humbur kontrollin. Po t’i kishin sikur dikur, do ta shantazhonin komplet shtetin e Kosovës”, ka thënë ai.
LDK-ja kërkon koordinim me ndërkombëtarët pas shpërthimit në Ibër-Lepenc
Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar që institucionet e Kosovës të koordinohen ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për të siguruar që sulme si ai i shpërthimit në Ibër-Lepenc të premten, të mos përsëriten më.
Duke i dënuar sulmet në veri, LDK-ja i ka quajtur të papranueshme dhe kërcënim për sigurinë e stabilitetin e vendit.
“U bëjmë thirrje institucioneve të drejtësisë që të ndërmarrin masa urgjente për të identifikuar dhe sjellë para drejtësisë përgjegjësit e këtyre veprimeve kriminale. Po ashtu, kërkojmë një koordinim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë për të garantuar që këto sulme të mos përsëriten dhe të ruhet rendi dhe qetësia publike në Republikën e Kosovës. LDK-ja mbetet e përkushtuar për të mbështetur sigurinë dhe stabilitetin e qytetarëve tanë dhe qëndron fuqishëm përkrah institucioneve shtetërore të sigurisë dhe partnerëve ndërkombëtarë për të mbrojtur integritetin dhe rendin në vend”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, njëherësh kryetar i Mitrovicës, ka shkuar në orët e vona në vendin e ngjarjes në Varaga të Zubin Potokut, nga ku ka dënuar aktin dhe ka kërkuar nga organet e rendit dhe ligjit që ta zbardhin rastin dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë.
Hamza është shprehur i shqetësuar me ndërprerjen e furnizimit të ujit të pijes dhe pasojat në furnizimin me energji elektrike.
“Erdha në Varagë të Zubin Potokut, në vendngjarje, për ta parë nga afër gjendjen dhe dëmet e shkaktuara në kanalin ujor nga mjeti shpërthyes. E dënoj aktin dhe kërkoj nga institucionet e rendit dhe ligjit, që ta zbardhin sa më shpejt rastin dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë. Jam shumë i shqetësuar me ndërprerjen e furnizimit të ujit të pijes dhe pasojat në furnizimin me energji elektrike. Po ashtu, jam në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet e vendit të përfshira në sanimin e dëmit dhe shpresoj të tejkalohet sa më shpejt kjo situatë”, ka shkruar Hamza.
Partia Guxo: Kosova nuk përulet nga asnjë sulm dhe nuk iu nënshtrohet bandave terroriste
Partia Guxo eka dënuar ashpër sulmin terrorist në infrastrukturën kritike të Kosovës. Në reagimin publik të Partisë Guxo theksohet se “Kosova nuk përulet nga asnjë sulm dhe nuk iu nënshtrohet bandave kriminale e terroriste”.
“Partia Guxo dënon sulmin kundër Republikës sonë, kundër aseteve kryesore strategjike të saj, kundér sigurisë, rendit e jetës normale e të qetë. Republika e Kosovës nuk përulet nga asnjë sulm dhe nuk iu nënshtrohet bandave kriminale e terroriste. Ky sulm tregon edhe një herë se sa është e rëndësishme prania e njësive speciale si dhe puna e aksionet e Policisë së Kosovës për konfiskimin e armëve nga grupet kriminale e terroriste për të siguruar rend, qetësi e normalitet”, thuhet në komunikatë.
“Shpërthimi në Zubin Potok”, Osmani: Bandat kriminele serbe do të humbin sërish
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar për shpërthimin në kanalin në Ibër-Lepenc në Zubin-Potok të premten në mbrëmje. Tek e ka quajtur akt terrorist shpërthimin, Osmani ka thënë se “bandat kriminale serbe kanë humbur në çdo betejë me institucionet e Kosovës” e se “do të humbin sërish, në përpjekjet e tyre qyqare për të sulmuar infrastrukturën jetike të Republikës sonë nëpërmjet akteve terroriste”.
“Mbrojtja e kushtetutshmërisë e ligjshmërisë në çdo cep të vendit dhe lufta e pakompromis ndaj këtyre elementeve kriminale janë jetike”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Ajo ka kërkuar qetësi e maturi nga qytetarët deri sa institucionet të merren me hetim të rastit dhe sanimin e dëmit.
“Përveç institucioneve tona, partnerët tanë ndërkombëtar të sigurisë menjëherë kanë ofruar ndihmën e tyre edhe për sanimin e dëmit të shkaktuar dhe për furnizim me ujë e poashtu për hetim të këtij akti kundër shtetit e qytetarëve tanë”, ka bërë të ditur ajo.