Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se mërgata e Kosovës do të mund të votojë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në ambasada dhe në konsullata në shtetet ku jeton.
Në mbledhje të Qeverisë së Kosovës, të mbajtur të mërkurën, Kurti ka thënë se kjo është bërë e mundur pas ndryshimit të ligjit.
“Do të jenë gjithsej 22 kuti postare, në 22 shtete të ndryshme. Kurse votimi fizik do të organizohet në 35 përfaqësi diplomatike dhe konsullore në 22 shtete”, ka bërë të ditur ai.
Kurti i ka bërë thirrje mërgatës që të regjistrohet për të drejtën për votim jashtë vendit, teksa ka kujtuar se afati është i hapur deri më 26 dhjetor.
“Po i drejtohem mërgatës sonë, nga mbledhja e Qeverisë, sepse vota e tyre ka qenë përcaktuese për përbërjen e kësaj qeverie. Siç ka qenë edhe kontributi i saj përcaktues për fatin e mirëqenien e vendit tonë ndër vite”, është shprehur ai.
“Votimi përmes postës brenda vendit, dhe nëpër ambasada e konsullata, është fitore e madhe për mërgatën tonë punëtore e patriotike”, ka thënë Kurti.
Sipas kryeministrit, “deri më tani, padrejtësisht, mërgata është ballafaquar me vështirësi burokratike e barrë financiare, e cila herë ua ka pamundësuar votimin, e herë e ka dekurajuar pjesëmarrjen në votim”.
Diaspora e Kosovës është e përqendruar kryesisht në Gjermani, Zvicër, Austri dhe vende të tjera të Evropës.