Kurti dorëhiqet nga posti i kryeministrit por kthehet në qeveri, ngriten dilema ligjore

Albin Kurti ka zgjedhur të mos flasë për mediat në ditën kur dha dorëheqje nga posti i kryeministrit, por u kthye sërish në objektin e Qeverisë. Letra që ai i dërgoi Glauk Konjufca po vlerësohet nga anëtarë të shoqërisë civile, se nuk paraqet akt të dorëheqjes. Sipas atyre përmbajtja e saj tregon synimin që Kurti të shërbejë njëkohësisht edhe si kryeministër, edhe si deputet.

Nga objekti i Kuvendit të Kosovës, ku dështoi seanca konstituive, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, u kthye sërish në objektin e Qeverisë.

Këtë Kurti e bëri pavarësisht se paraditen e së martës dha dorëheqje nga posti i kryeministrit, derisa ai nuk tregoi nëse detyrat ia ka bartur zëvendësit të tij, Besnik Bislimi.

Pas Kurtit në objektin e qeverisë hynë edhe ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. As këta nuk patën fjalë për media.

Kurti, në letrën e dorëheqjes drejtuar Glauk Konjufcës, të cilit i është referuar si Kryetar i Kuvendit, ka shkruar se po e njoftonte atë për dorëheqjen me qëllim që të betohej si deputet.

“Për qëllim betimin si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, të legjislaturës së nëntë, po e përcjell edhe zyrtarisht njoftimin tim për dorëheqje nga posti ekzekutiv, veçse efektiv që nga data e lartcekur sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”, thuhet në letrën e Kurtit.

Pasi kjo letër u publikua, Faton Peci tregoi se ai si ministër i Bujqësisë, por edhe kolegët e tij nga kabineti qeveritar kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e ministrave.

“Pavarësisht që kemi dhënë dorëheqje unë kthehem në zyrën ku e kam të ministrit, për shkak se largimi i kryeministri në detyrë nga zyra e kryeministrit, dhe largimi i ministrave nga zyrat e ministrive do të krijonte mundësi të një hendeku të madh”, ka thënë ish-ministri i Bujqësisë.

Por, letra e Kurtit është kontestuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i cili vlerëson se ajo nuk paraqet aktin e dorëheqjes.

Sipas IKD-së, interpretimi i Kurtit se Qeveria e tij ka statusin ekuivalent me Qeverinë në detyrë vlenë për Qeverinë si institucion dhe jo për të si kreu i saj.

Ky institut vlerëson se përmbajtja e njoftimit të Kurtit tregon synimin e tij që ai të vazhdojë ta udhëheqë Qeverinë në detyrë edhe duke qenë deputet.

“IKD thekson se letra e dorëheqjes duhet të jetë e qartë dhe mos të lejoj hapësira për interpretime. E njëjta letër nuk duhet t’i drejtohet ish-Kryetarit të Kuvendit, z. Glauk Konjufca. Aktualisht, deri në zgjedhjen e Kryetarit të ri të Kuvendit. Mbi këtë çështje, letra e dorëheqjes duhet drejtuar tek Kryesuesi i seancës konstituive, që sipas Rregullores së Kuvendit duhet të jetë deputeti më i vjetër, e që në këtë rast është z. Avni Dehari”, kanë thënë nga IKD.

Nga qeveria e Kosovës nuk kanë kthyer përgjigje nëse Kurti do të vazhdojë me punët e tij në Qeveri.

Derisa përgjigje nuk ofruan as nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nëse para certifikimit të rezultateve përfundimtare kanë pranuar njoftim të dorëheqjes nga Kurti dhe anëtarë të kabinetit të tij.

Shija e redaktorit

Klinika e Onkologjisë dhe Emergjenca e QKUK-së përfitojnë donacion pajisjesh...

Klinika e Onkologjisë dhe shërbimi i Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë pranuar një donacion të ri pajisjesh mjekësore nga organizata joqeveritare...

Librat e verës nga “Dukagjini”, zgjedhjet më të mira për...

Vera është koha ideale për aventura, por jo të gjitha ndodhin jashtë. Disa nga udhëtimet më të paharrueshme ndodhin brenda faqeve të një libri....

Shtëpia botuese “Dukagjini” propozon 9 libra që mund t’ju shoqërojnë...

Vera nuk është vetëm koha e pushimeve, por edhe e rikthimit te vetja. Në këtë periudhë kur ditët janë më të gjata e ritmi...

Të fundit nga rubrika