Gazetari serb Radomir Dimiq ka thënë se studentët serbë kanë bërë një hap të guximshëm në përballjen me regjimin e Aleksandar Vuçiçit, duke sfiduar censurën dhe manipulimin e mediave të kontrolluara nga pushteti.
Në një shkrim, Dimiq theksoi se protestat studentore dhe bllokada e Radio Televizionit të Serbisë (RTS) janë veprime të drejtpërdrejta kundër dominimit të medias dhe përpjekjeve të Vuçiçit për të mbajtur kontrollin e informacionit dhe opinionit publik.
“Studentët nuk dorëzohen dhe nuk tremben nga diktatori i sëmurë, Aleksandar Vuçiç. Për muaj me radhë, janë shtypur me makina, arrestuar, rrahur, kërcënuar me “kobra”, qëlluar me topa zanorë, dhe janë thirrur në biseda informative — si këto ditë edhe vetë Rektori i Universitetit të Beogradit —, por asgjë nuk i ka thyer. Përkundrazi, studentët janë thjesht të pathyeshëm dhe luftojnë edhe më fort kundër skllavërisë dhe regjimit të zhytur në korrupsion dhe krim.
Me guxim dhe vendosmëri, ata marshojnë drejt lirisë, duke protestuar në të gjitha qytetet dhe fshatrat. Me maratonën madhështore të biçikletave “Tura drejt Strasburgut” dhe maratonën atletike që do të vijojë drejt Brukselit, ata synojnë që pas Këshillit të Evropës t’i tregojnë edhe institucioneve të tjera evropiane për totalitarizmin dhe pushtetin autokratik të një njeriu që ka sunduar Serbinë për më shumë se një dekadë.
Tani edhe bllokada e RTS-së, grushti i hekurt i Aleksandar Vuçiçit, është shndërruar në një mjet thellësisht legjitim të luftës studentore kundër errësirës shumëvjeçare mediatike në Serbi. Bllokada e RTS-së është padyshim një nga aksionet më të suksesshme të studentëve, të cilët gjithnjë e më shumë shfaqin dëshirën për artikulim politik dhe përfshirjen e një numri gjithnjë në rritje qytetarësh në aktivitetet e tyre.
Bllokada studentore e Radio Televizionit të Serbisë ka nisur më 14 prill dhe, ndryshe nga shumë aksione të tjera gjatë muajve të protestave në Serbi, po sjell rezultate konkrete. Shërbimi publik mediatik i Serbisë ka pezulluar të gjitha emisionet e parashikuara në programin e tij.
Studentët kërkojnë që Komisioni për Kulturë dhe Informim të shpallë konkurs të ri për anëtarët e Entit Rregullator për Mediat Elektronike (REM) ose, në të kundërt, kërkojnë mbylljen totale të RTS-së. Studentët kështu kanë arritur të ndalin transmetimin e programeve informative, të cilat përbëjnë arterien kryesore të propagandës së pushtetit aktual në Serbi”, ka shkruar Dimiq.
Pavarësisht represionit dhe përpjekjeve për të shtypur protestat, sipas Dimiq, studentët janë të vendosur dhe nuk janë të trembur nga kërcënimet, duke vazhduar të luftojnë për lirinë e shprehjes dhe për një shoqëri të lirë dhe demokratike.
“Serbia është larg të qenit një shtet i konsoliduar ligjërisht. Në të nuk respektohen shumë ligje, ndërsa Presidenti i shtetit shkel Kushtetutën çdo ditë, duke përvetësuar kompetenca që nuk i takojnë. Në një situatë të tillë, nuk duhet të habitemi pse Serbia nuk ka një organ funksional si REM-i, institucioni përgjegjës për mediat elektronike. Prej vitesh, Serbia nuk ka pasur as drejtor policie, pasi një vakum i tillë i ka shërbyer vetë Vuçiçit.
Nuk duhet harruar se Vuçiç mban në duar forcën që mund ta përdorë për të normalizuar punën e RTS-së, siç ka përmendur jo shumë kohë më parë njësinë e tij speciale ushtarake “Kobra”, e cila, sipas tij, mund të shpërndajë studentët për vetëm gjashtë minuta.
Megjithatë, për një arsye të caktuar, ai ende nuk guxon ta përdorë këtë forcë. A frikësohet nga reagimi i qytetarëve, apo i është dërguar një mesazh i prerë nga bashkësia ndërkombëtare që të mos luajë me forcën? Këtë nuk e dimë.
Ajo që dimë është se studentët nuk kanë asnjë mendim për t’u tërhequr nga bllokada e RTS-së, pavarësisht çfarë plane mund të ketë Vuçiçi, madje edhe pse dërgon postierin e tij, Porfirin, të raportojë tek Putini se në Serbi po zhvillohet një revolucion studentor i “sponsorizuar nga jashtë” — një akuzë e bërë pa turp dhe pa ndjenjë përgjegjësie, në emër të një kishe që nuk është kisha ime.
Për insinuata të tilla nuk shqetësohet më askush, sepse huligani më i madh serb, ashtu si dhe prifti i tij i afërt familjar, nuk ka asnjë kompetencë. Megjithatë, e gjithë kjo padyshim i shkakton dhimbje të mëdha koke Aleksandar Vuçiçit, i cili thjesht nuk ka më kontroll dhe nuk mban më situatën në duart e tij. E vetmja gjë që bën është të imitojë atë që bëjnë studentët.
Përpiqet ende ta paraqesë veten si autoritet, por kjo do t’i bëhet shumë më e vështirë pa “grushtin e tij të hekurt” — RTS-në.
Vuçiç, kot përpiqesh, duhet të japësh dorëheqjen dhe urgjentisht të kërkosh shërim.
Kuptoje: gjithçka ka mbaruar.
Fundin e ke të pashmangshëm.
Dhe le të jetë kështu”, ka shtuar Dimqi.