Ministri në largim i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale ndaj, siç i cilëson ai, shpifjeve dhe keqinterpretimeve publike që lidhen me dhënien për shfrytëzim të Fabrikës për Përpunimin e Mbetjeve Shtazore në Drenas.
Peci deklaron se objekti i fabrikës është dhënë me qira për interes publik një konsorciumi italo-kosovar, dhe mohon kategorikisht pretendimet për mungesë të bazës ligjore, për favorizim apo për fshehje të të dhënave mbi shtetësinë e aksionarëve.
“U tha se nuk ka bazë ligjore – e vërtetuam se ka. U tha se nuk është konsorcium – u vërtetua se është. U pretendua se kriteret janë barrë për Qeverinë – kjo është spekulative dhe e pavërtetë. Madje u cituan dokumente jashtë kontekstit për të krijuar perceptime të gabuara”, shkruan Peci.
Ministri thekson se, sipas legjislacionit në fuqi, nuk ekziston asnjë bazë ligjore që një kompani të penalizohet në një proces shit-blerjeje të aksioneve për shkak të shtetësisë së aksionarëve. Ai e konsideron shqetësuese tendencën për të etiketuar në bazë të përkatësisë etnike.
“Nëse aksionari quhej Muhamed Ragipi, shqiptar nga Lugina por shtetas i Serbisë, a do të kishte të njëjtën jehonë mediatike si për Muhamer Ragipoviq nga Novi Pazari?”, pyet Peci, duke lënë të kuptohet se sulmet kanë nuanca diskriminuese.
Ai sfidon publikisht gazetarinë hulumtuese që të faktojë shkelje ligjore në procedurat e dhënies me qira apo në funksionalizimin e fabrikës.
“Nuk është në dorën time si Ministër e as të ndonjë Agjencie që të kontrolloj se kush i shet apo i blen aksionet kujt”, nënvizon Peci, duke paralajmëruar se nga nesër do të jetë i pranishëm në çdo studio televizive për të sqaruar çështjen deri në fund.