Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar qytetarët e Republikës së Kosovës se nga data 26 maj deri më 9 qershor 2025, vendi do të jetë nikoqir i ushtrimit më të madh ndërkombëtar ushtarak të drejtuar nga ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë, i njohur si “Defender Europe 25”.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kësaj periudhe do të ketë lëvizje të konvojeve ushtarake nga vendbazimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në drejtim të rajonit të Gjakovës, konkretisht në Aeroportin e Gjakovës dhe poligonin ushtarak në Babaj të Bokës.
Ministria kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për këto lëvizje, të cilat janë pjesë e përgatitjeve për realizimin e ushtrimit, duke potencuar se ky aktivitet synon të dëshmojë gatishmërinë operacionale dhe ndërveprueshmërinë luftarake të FSK-së me vendet partnere dhe të rajonit – përfshirë ShBA-në, Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.
“Faleminderit për mirëkuptim dhe mbështetje!” – përfundon njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes.