Autoritetet në Serbi kanë vendosur masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj Arbnor Spahiut, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës. Spahiu ishte ndaluar dy ditë më parë, ndërsa sot është marrë vendimi për ndalimin e tij të mëtejmë.
Lajmin e ka bërë të ditur avokati i tij, Arianit Koci, i cili përmes një reagimi njoftoi se do të udhëtojë drejt Suboticës për t’u marrë personalisht me këtë rast. Ai e ka cilësuar këtë vendim si të padrejtë, të nxitur politikisht dhe të pa mbështetur në fakte konkrete.
“Vendimi është i pabazuar, politikisht i motivuar dhe pa asnjë provë të vlefshme,” ka deklaruar Koci, duke theksuar se shteti i Kosovës duhet të angazhohet në mënyrë aktive për të mbrojtur qytetarët e vet në raste të tilla.
Ai ka kërkuar reagim të menjëhershëm nga institucionet më të larta shtetërore, përfshirë kryeministrin dhe presidenten e vendit, duke theksuar se asnjë qytetar i Kosovës nuk duhet të mbetet pa mbështetje në raste të padrejtësive ndërkombëtare.
Spahiu, sipas raportimeve, është marrë në pyetje nga autoritetet serbe në lidhje me ngjarjet në Banjskë të shtatorit 2023, edhe pse ai kishte përfunduar shërbimin në Policinë e Kosovës që në nëntor të vitit 2021.