Abdixhiku pas vendimit të Kushteteuses: Popullizmi e ka sjellë Kosovën në bllokadë

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar procesin e konstituimit të Kuvendit më 30 shtator, ka reaguar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.
Ai e ka cilësuar situatën si një pasojë të drejtpërdrejtë të popullizmit dhe mungesës së vizionit politik.

“Masë tjetër, bllokadë tjetër. Padituria kushton.

Ja ku na ka sjellë popullizmi.
Një shtet i tërë i bllokuar, për një pozitë të parëndësishme partiake në Kuvendin e Kosovës.
Edhe 30 ditë të tjera të humbura – minimalisht. Tridhjetë ditë të tjera pa institucione funksionale, pa ligje që bëhen, pa projekte që ecin. Si po humbka Serbia kështu? Ne të bllokuar për një nënkryetar të parëndësishëm, e ata humbës disi?!
U thamë. Nuk dëgjuan.
U treguam. Nuk panë.
Kështu ndodhë kur shkatërruesit e shtetit, shkelësit e 48 herë Kushtetutës rresht, për synim nuk kanë atdheun, por kauzën elektorale për një votë a dy. Në mungesë të ideve, në mungesë të projekteve, në përballje me afera korruptive që bërtasin gjithandej hajni, vreri i tradhëtarëve e patriotëve në moçalin e madh të pështymave bëhet krejt i lehtë. Gojën plot Serbi – është lehtë. Punë për Kosovën është vështirë për ata që veç karrigën kanë synim.
LDK është e saktë sepse e kupton shtetin. Që nga shkurti e deri më sot, çdo pozicion i ynë politik kishte kuptim shtetar e kushtetues. Përballja me popullizmin nuk është e lehtë, por mbetet e paalternativë. Besimi ynë në Republikë e demokraci do të na udhëheqë.
Koha e shkatërruesve të shtetit duhet të mbarojë.
Koha e shkatërruesve të shtetit po mbaron”, ka shkruar Abdixhiku.

Të fundit nga rubrika