Shqiptarë nga diaspora dhe nga Kosova janë mbledhur të dielën në Hagë për të protestuar kundër padrejtësive që po bëhen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara.
Protesta, e thirrur nga mërgata shqiptare dhe e mbështetur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), po mbahet në një park pranë selisë së Speciales.
Në tubim po marrin pjesë kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, bashkëorganizatori Fatmir Koci, si dhe ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch.
Ky organizim vjen pas protestës së 7 gushtit në Prishtinë, ku mijëra qytetarë dolën në rrugë kundër Speciales dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Në Hagë po zhvillohet procesi gjyqësor kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat i mohojnë në tërësi.
Protesta e sotme mbahet një ditë para se mbrojtja e tyre të nisë paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve në gjykim.