Një qytetar nga Zubin-Potoku ka rënë viktimë e një mashtrimi, pasi ka dërguar 1 mijë euro përmes “Western Union” në Bosnje dhe Hercegovinë një personi të panjohur, i cili ishte prezantuar rrejshëm si zëvendësdrejtori i Policisë për veriun, nënkolonel Veton Elshani.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, pasi ka marrë shumën e parave, i dyshuari ka ndërprerë menjëherë komunikimin me viktimën.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si vepër penale “Mashtrim” dhe po hetohet nga njësitë përkatëse.
“Më datën 18.09.2025 rreth orës 09:20, në Stacionin Policor në Zubin Potok, është paraqitur ankuesi M/S/K i cili ka raportuar një rast mashtrimi, ku ai është kontaktuar nga një person i panjohur, i cili është prezantuar rrejshëm në emër të ZV.Drejtorit të DRP Mitrovice Veri Nënkolonel Veton Elshani dhe ka kërkuar ndihme financiare. Viktima ka dërguar shumën prej 1.000 euro përmes “Western Union” në Bosnje dhe Hercegovine, pas dërgimit të parave i dyshuari ka ndërprerë komunikimin”.
Policia ka konfirmuar se raste të ngjashme janë raportuar edhe më parë në disa qytete të Kosovës, ku persona të dyshuar kanë përdorur emrin e Elshanit për të kërkuar ndihma financiare.
Në apel drejtuar qytetarëve, Policia thekson: “Mos u besoni personave të panjohur që prezantohen si zyrtarë policorë dhe kërkojnë mjete financiare. Siguria juaj është prioriteti ynë. Raportoni menjëherë çdo rast të dyshimtë.”