Sot, në sheshin e Prishtinës, Ujë Rugove, në bashkëpunim me Drejtorinë e Shëndetësisë, organizoi një aktivitet të veçantë me rastin e Ditës Botërore të Zemrës.
Gjatë kësaj dite, qytetarët patën mundësinë të kryejnë kontrolle falas shëndetësore, duke përfshirë matjen e tensionit, rrahjeve të zemrës dhe nivelit të sheqerit në gjak. Përveç kësaj, ata u pajisën me broshura informuese mbi rëndësinë e parandalimit të sëmundjeve kardiovaskulare dhe morën ujë të freskët, duke theksuar rolin e një stili jetese të shëndetshëm në mirëqenien e përditshme.
Ky aktivitet erdhi si një iniciativë e Korporatës Rugove, e cila në vazhdimësi dëshmon përkushtimin e saj për të qenë pranë komunitetit dhe për të kontribuar në promovimin e shëndetit publik. Përmes kësaj nisme, u përcoll mesazhi i fortë sensibilizues “Mbaje ritmin e zemrës tënde”, i cili i fton qytetarët të reflektojnë mbi rëndësinë e kujdesit të vazhdueshëm për zemrën.
Organizime të tilla shënojnë jo vetëm një ditë ndërkombëtare simbolike, por shërbejnë si kujtesë konkrete që kontrolli i rregullt shëndetësor dhe ndërgjegjësimi mbi sëmundjet kardiovaskulare mund të shpëtojnë jetë.