Ka deklarata të cilat nuk harrohen lehtë, sepse nuk janë thjesht fjalë të thëna me nxitim, por pasqyrojnë një qasje politike. Deklarata e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti: “… disa politikanë dhe diplomatë në SHBA vlerësojnë se ne nuk po iu ndihmojmë SHBA’ve ta shkëpusin Serbinë nga Federata Ruse. Por, sinqerisht ky s’duhet të jetë problemi im. Më falni për sinqeritetin, ashtu është” është pikërisht e tillë. Një fjali që, nëse merret si filozofi politike, flet shumë për mënyrën se si e sheh ai raportin me partnerin kryesor të Kosovës.
Në një realitet ku Kosova ekziston si shtet falë ndërhyrjes së SHBA’ve dhe aleatëve të saj, një deklaratë e këtillë nuk është thjesht lapsus, por një lloj distance që krijohet me partnerin strategjik. SHBA’të nuk janë një partner i zakonshëm për Kosovën. Ato janë faktori vendimtar që solli ndërhyrjen e NATO’s, që shtyu përpara procesin e pavarësisë, që siguroi njohje ndërkombëtare dhe që vazhdon të jetë mburojë e pazëvendësueshme kundër aspiratave hegjemoniste të Serbisë dhe Rusisë në Ballkan.
Në këtë kontekst, të thuash se nuk është problem yti fakti që Kosova nuk po i ndihmon SHBA’ve në një mision strategjik – shkëputjen e Serbisë nga ndikimi rus – është të minimizosh dimensionin e interesave të përbashkëta. Sepse siguria e Kosovës, në thelb, është pjesë e të njëjtës strategji amerikane: ta kufizojë ndikimin rus në rajon. Nëse Kosova shihet si një partner që nuk e kupton këtë, ose më keq, nuk do të marrë pjesë në këtë përpjekje, atëherë rrezikon të humbasë peshën që ka fituar në Washington.
Këtu nuk bëhet fjalë për servilizëm. Bëhet fjalë për një politikë realiste, e cila e njeh dhe e pranon se shtetet e vogla mbijetojnë e forcohen vetëm duke ditur të ndërtojnë aleanca të forta. Të njëjtën e ka bërë Shqipëria pas viteve ’90. Të njëjtën e ka bërë Kroacia. Kosova nuk mund të mendojë se ka luksin të qëndrojë indiferente ndaj axhendave të aleatëve të saj, në veçanti kur ato janë thelbësore për stabilitetin e rajonit.
* * *
Në vend të deklaratave që ngjallin shqetësim në Washington, Kurti duhet të ndërrojë qasje. Kosova ka më shumë nevojë se kurrë për lobim aktiv dhe inteligjent në SHBA. Politika amerikane është e mbushur me rivalitete të brendshme, lobime të interesave të ndryshme dhe perceptime që ndryshojnë me shpejtësi. Serbia nuk ka reshtur së investuari miliona dollarë në lobim në kryeqytetin amerikan, duke ndërtuar ura me qarqe të ndryshme politike, me akademikë, me media dhe me organizata. Rusia, nga ana tjetër, e përdor Serbinë si instrument për të penguar integrimin e Ballkanit Perëndimor në Perëndim.
Kosova, përkundrazi, ka shpenzuar shumë pak për lobim, duke u mbështetur pothuajse vetëm në një lidhje emocionale me SHBA’të. Ajo lidhje është e fortë, por nuk mjafton. Politika është interes, jo emocion. Nëse Kurti dhe qeveria e tij nuk e kuptojnë këtë, Kosova rrezikon të mbetet në periferi të interesave amerikane, ndërkohë që Serbia paraqitet si partner potencial – edhe pse i pabesueshëm.
Deklarata e Kurtit është e rrezikshme, sepse përçon idenë se Kosova nuk e ka prioritet ndërtimin e një partneriteti të fuqishëm me SHBA’të. Kjo është jo vetëm e gabuar, por edhe e dëmshme për të ardhmen e vendit. Sepse çështja e Kosovës nuk është mbyllur. Njohjet ndërkombëtare mungojnë, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare është bllokuar dhe Serbia vazhdon fushatën e saj kundër shtetësisë së Kosovës. Në të gjitha këto fronte, SHBA’të janë faktori vendimtar.
Për këto arsye, Kurti duhet të tregojë pragmatizëm. Të investojë në lobim serioz, të forcojë marrëdhëniet me Kongresin, me administratën, me institutet dhe me opinionin publik amerikan. Të dërgojë delegacione të shpeshta, të hap dyer të reja, të krijojë miq të rinj. Politika është art i mundësive dhe i ndërtimit të aleancave. Kjo është rruga e vetme që e forcon pozitën e Kosovës.
Në vend të frazave që duken si shfajësime, Kosova ka nevojë për vizion. Një vizion që i sheh SHBA’të jo vetëm si shpëtimtare të së kaluarës, por si partner strategjik të së ardhmes. Pa SHBA’të, Kosova mbetet e ekspozuar. Me SHBA’të, Kosova ka garancinë e ekzistencës së saj. Ky është realiteti. Dhe ky duhet të jetë problemi i secilit politikan në Prishtinë, para çdo problemi tjetër.