LIVE: Kosova voton për Zgjedhjet Lokale 2025

18:29 – Gjysmë ore nga mbyllja e votimit, mbi 661 mijë qytetarë kanë votuar deri tani

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka publikuar përditësimin e fundit për procesin e votimeve në kuadër të zgjedhjeve lokale.

Sipas të dhënave të KQZ-së, 661 mijë persona e 905, që përbëjnë 32.68% të qytetarëve me të drejtë vote, kanë votuar deri në orën 18:19.

Nga qytetet më të mëdha të vendit, pjesëmarrja është si vijon:

  • Prishtinë: 87 mijë votues
  • Ferizaj: 40 mijë votues
  • Pejë: 34 mijë votues
  • Podujevë: 31 mijë votues

Të dhënat pasqyrojnë pjesëmarrjen deri gjysme ore para mbylljes së vendvotimeve.


17:44 – Kanoset kryesuesi i një vendvotimi në Shtime, i dyshuari në kërkim nga Policia

Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke kërkuar një person, nën dyshimin se ka kërcënuar kryesuesin e vendvotimit në shkollën “Naim Frashëri” në Shtime.

I dyshuari, identifikuar si B.V., po kërkohet për veprën “pengim në procesin e votimit”.

“Sot, rreth orës 15:40 në shkollën ‘Naim Frashëri’ në Shtime është raportuar se një person ka hyrë në dhomën e votimit dhe dyshohet për kanosje ndaj kryesuesit të vendvotimit. I dyshuari është identifikuar si B. V. Hetuesit rajonalë, në bashkëpunim me prokurorin e shtetit, kanë zhvilluar hetimet për palët e përfshira dhe me vendim të prokurorit, rasti është iniciuar ” Pengim në procesin e votimit” ndaj B.V., i cili është në kërkim policor”, ka thënë për Dukagjinin Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë për rajonin e Ferizajt.


17:20 – Mbi 645 mijë qytetarë kanë votuar deri në orën 17:19, sipas KQZ-së

Sipas të dhënave të KQZ-së, deri në orën 17:19 kanë votuar 31.88  për qind e qytetarëve, ose gjithsej 645 mijë e 589 votues.

Nga gjithsej 2 milionë e 25 mijë e 105 persona që figurojnë në listën e votuesve, këto të dhëna bazohen në procesimin e 92.10 për qind të vendvotimeve.


17:13 – Zgjedhjet lokale, më pak se dy orë deri në prezantimin e Exit Poll-it në TV Dukagjin

Zgjedhjet lokale që po mbahen në 38 komunat e vendit këtë të diel do të shënojnë edhe një rekord historik sa i përket Exit Poll-eve.

Kanë mbetur më pak se dy orë deri në mbylljen e vendvotimeve dhe publikimit të Exit Polli-it që TV Dukagjini e realizon në bashkëpunim me “UBO Consulting”.

Gjatë ditës së sotme e deri në ora 19:00 mbi 50 mijë persona në 12 komuna të vendit do të intervistohen duke u bërë pjesë e këtij Exit Poll-i që përbën edhe numri më i madh i qytetarëve që janë intervistuar ndonjëherë në një ditë të vetme në vend.

TV Dukagjini do të publikojë rezultatet e këtij Exit Poll-i në kuadër të emisionit “Debat Plus” sapo të mbyllen vendvotimet.

Rezultatet bëhen të ditura në orën 19:00 direkt në “Debat Plus” në TV Dukagjin.

Mos e humbisni!


17:01 – LDK: Zgjedhje të qeta, qytetarët po votojnë me dinjitet demokratik

Lidhja Demokratike e Kosovës nëpërmjet një konferencë për media ka thënë se procesi zgjedhor po vazhdohet në mënyrë demokratike.

Zëdhënësi për media i LDK-së, Besian Mustafa, ka thënë se ky proces zgjedhor nuk është shënuar me ndonjë parregullësi apo incident të madh, njofton Dukagjini.

“Falënderoj të gjithë qytetarët që kanë votuar, të dhënat nga terreni na bënë të ditur që procesi është I rregullt dhe demokratik, shfrytëzoj rastin të falënderoj të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë proces demokratik”.

Mustafa, mes tjerash, shfrytëzoi këtë mundësi për t’ju bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të dalin dhe të votojnë.

“Shfrytëzoj mundësinë që të ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që ende nuk kanë votuar ta bëjnë një gjë të tillë sa më parë. Ndërsa për parregullsi përjashtuar disa raste të vogla nuk kemi ndonjë parregullsi të mëdha, qytetarët kanë treguar një vetëdije të lartë në këto zgjedhje”, ka tha Mustafa para gazetarëve.


16:40 – KQZ: Deri në orën 16:30 kanë votuar mbi 26 për qind e qytetarëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka publikuar përditësimin e fundit lidhur me procesin e votimeve që po zhvillohet sot në mbarë vendin në kuadër të zgjedhjeve lokale.

Sipas të dhënave të KQZ-së, deri në orën 16:34 kanë votuar 26.07 për qind e qytetarëve, ose gjithsej 528 mijë e 483 votues.

Nga gjithsej 2 milionë e 25 mijë e 105 persona që figurojnë në listën e votuesve, këto të dhëna bazohen në procesimin e 97.67 për qind të vendvotimeve.


15:43 – Qytetarët ankohen për ndryshim të qendrës së votimit (VIDEO)

Zgjedhjet lokale që po mbahen në 38 komunat e vendit anise deri tani nuk ka pasur ndonjë incident të madh, qytetarët janë duke hasur në probleme me qendrat e votimit.

Gazetarët e TV Dukagjini nga terreni po raportojnë se shumë qytetarëve u janë ndërruar qendrat e vendvotimit e disa të tjerëve edhe komuna, njofton Dukagjini.

Ankesa nga qytetarët ka pasur pothuajse në të gjitha komunat e vendit.


15:22 – Ambasadori britanik vëzhgon nga afër procesin zgjedhor në veri

Ambasadori britanik në Kosovës, Jonathan Hargreaves, pas vizitës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka nisur vëzhgimin diplomatik të procesit zgjedhor në komunat veriore të vendit.

Hargreaves nëpërmjet një videoje ka bërë të ditur se ka vizituar disa qendra të votimit në Mitrovicën veriore dhe Zveçan, komuna këto që janë të banuara me shumicë serbe, njofton Dukagjini.

“Është shumë bukur të shoh njerëz që dalin dhe marrin pjesë në këto zgjedhje lokale shumë të rëndësishme për Kosovën”, tha ambasadori britanik përmes një video të publikuar në Facebook.

Ai njoftoi se do të vizitojë edhe pjesë të tjera të Kosovës sot kur po votohet për zgjedhjet lokale në 38 komuna.

“Ambasada Britanike ka ekipe në të gjithë vendin dhe jam shumë i kënaqur të shoh se si po zhvillohet kjo në të gjithë vendin dhe shpresoj të shoh shumë njerëz duke votuar dhe duke marrë pjesë”, tha ai.


15:08 – Fluks i madh i votuesve, deri në ora 15:00 kanë votuar mbi 336 mijë votues

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë përditësimin e fundit lidhur procesin e votimeve që po mbahen në mbarë vendin në kuadër të zgjedhjeve lokale.

KQZ-ja bën të ditur se deri në ora 15:00 kanë votuar 16.61 përqind e qytetarëve ose 336 mijë e 463 qytetarë, njofton Dukagjini.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga 2 milionë e 25 mijë e 105 persona që janë në Listën e votuesve.

Këto të dhëna janë nxjerrë nga procesimi i 95,41 për qind të vendvotimeve.


15:00 – Dita e zgjedhjeve, EULEX-i monitoron procesin zgjedhor në qendrën e votimit në Banjskë

Sot në 38 komunat e vendit është duke u zhvilluar procesi i zgjedhjeve lokale ku do të përcaktohen kryetarët e tyre.

Në kuadër të kësaj, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, ka angazhuar patrulla mobile në terren për të monitoruar situatën e sigurisë në të gjithë vendin.

TV Dukagjini ka sigurar pamje se si disa pjesëtarë të EULEX-it janë duke monitoruar procesin zgjedhor në një qendër të votimit në Banjskë.


14:53 – Rritet numri i votuesve serb me asistencë, dyshohet për keqpërdorime nga Lista Serbe në veri

Institucionet shëndetësore ilegale serbe qe funksionojnë jashtëligjshëm në Republikën e Kosovës kanë lëshuar një numër të madh të vërtetimeve mjekësore, me të cilat qytetarëve u mundësohet të votojnë me asistencë gjatë procesit zgjedhor.

Këto dokumente, të pa verifikuara nga institucionet zyrtare dyshohet se janë manipuluar me qëllim që të krijojnë kontrollin e votuesve.

Një prej këtyre dokumenteve është vërtetimi i lëshuar nga Qendra e Mjekësisë në Vrbovac për qytetaren Gordana Jerinic, e datëlindjes 15.01.1954, në të cilin thuhet se “i lejohet votimi me ndihmën e asistentit për shkak të moshës dhe sëmundjeve të shoqëruara”.

Këto raste janë në rritje të ndjeshme, ndërsa dyshohet se po përdoren për qëllime politike.

Sipas raportimeve, Lista Serbe është duke ndërmarrë hapa për të siguruar sa më shumë vota, me synimin për të mbajtur kontrollin në komunat veriore të vendit. Më herët u raportua dhe u publikuan pamje se si serbët në formë të organizuar e të udhëhequr nga anëtarët e Listës Serbe, janë nisur drejt qendrave të votimit.

Madje, u raportua se disa votuar nëpër komunat serbe, u nisën drejt nga zyrat e kësaj partie për të votuar./EO


14:12 – Ambasadori i BE-së viziton qendrat e votimit në Prishtinë dhe Mitrovicë të Veriut

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, i është bashkuar grupit të vëzhgimit diplomatik në zgjedhjet lokale që po mbahen këtë të diel

Orav ka vizituar një qendër të votimit në Prishtinë dhe një tjetër në Mitrovicën e Veriut, njofton Dukagjini.

Ambasadori vlerësoi kolegët e tij nga BE-ja, përfaqësuesit e Shteteve Anëtare dhe vendeve partnere të vendosura në të gjithë Kosovën teksa shtoi se kjo vizitë i ofron një pasqyrë të vlefshme të procedit zgjedhor.

“Vizitat në qendrat e votimit në Prishtinë dhe Mitrovicë të Veriut ofruan një pasqyrë të vlefshme të procesit”, tha ai.

Kujtojmë se zgjedhjet lokale janë duke u mbajtur në 38 komunat e vendit teksa të drejtë vote kanë mbi 2 milionë qytetarë.


14:02 – Zgjedhjet lokale, situata në veri e qetë – nuk raportohet për ndonjë incident (VIDEO)

Situata e sigurisë në veri të vendit vazhdon të jetë e qetë teksa procesi i votimit për zgjedhjet komunale po vazhdon në mënyrë të qetë.

Këtë për TV Dukagjinin e tha Erduan Baliqi nga policia në veri teksa shtoi se në vazhdimësi janë në kontakt me KKZ-në.

“Deri më tani nuk është shënuar asnjë incident, policia është prezente në të gjithë pikat e votimit. Në secilën qendër të votimit ka 2-3 policë të rendit – nuk ka asnjë angazhim shtesë, por njësoj si të në të gjitha pikat e votimi. Nuk ka angazhim të njësive speciale”, tha Baliqi në një lidhje të drejtpërdrejt në TV Dukagjini.


13:42 – Dyshohen se fotografuan votën, Policia po heton tri raste në tri komuna

Policia ka pranuar tri informacione lidhur me procesin zgjedhor që po mbahen në 38 komunat e vendit.

Në tri raste të ndara në Podujevë, Drenas e Prishtinë dyshohet se qytetarët kanë fotografuar votën e tyre, njofton Dukagjini.

Rastin për TV Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Deri tani në rajonin e Prishtinës kemi pranuar tri informata (Një në Podujevë, një në Drenas dhe një në Prishtinë), ku dyshohet se janë fotografuar fletëvotimet. Informacionet po trajtohen në koordinim me prokurorinë”, ka thënë Ahmeti.


13:20 – KQZ: Deri në orën 13:00 kanë votuar 15.77% të votuesve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë përditësimin e fundit lidhur procesin e votimeve që po mbahen në mbarë vendin në kuadër të zgjedhjeve lokale.

KQZ-ja bën të ditur se deri në ora 13:00 kanë votuar 15.77 përqind e qytetarëve ose 319 mijë e 417 qytetarë, njofton Dukagjini.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga 2 milionë e 25 mijë e 105 persona që janë në Listën e votuesve.

Këto të dhëna janë nxjerrë nga procesimi i 90,59 për qind të vendvotimeve.


13:15 – Gili ia thotë këngës në qendër të votimit, i këndon Prishtinës (VIDEO)

Këngëtarja e mirënjohur kosovare, Gili, ka ushtruar të drejtën e saj të votës këtë të diel për zgjedhjet lokale.

Gili bashkë me burrin e saj, Ilir Berani, votuan në Prishtinë ku nuk mungoi as kënga.

Gili këndoi këngën e saj të famshme “Prishtina” në një transmetim të drejtpërdrejt në TV Dukagjini.

Për të parë më shumë nga performanca e saj, ndiqeni videon në linkun më poshtë.


13:10 – Vitia – qytetarëve: Votoni por fillimisht shiheni vendin e votimit për shkak të ndryshimeve

Kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se shumë qytetarëve iu është ndryshuar vendi i votimit dhe nuk janë në dijeni.

Vitia u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të votojnë por paraprakisht të shohin vendin e votimit, njofton Dukagjini.

“Nga raportimet që po marrim, ka qytetarë që iu është ndryshuar vendi i votimit dhe nuk janë në dijeni. Ju lutem që para se të shkoni për të votuar, ta shihni vendin tuaj të votimit në këtë link: https://qv.kqz-ks.org/sq/PollingCenter/ActualPollingCenter Dilni të votoni, në këtë ditë me rëndësi për qytetin tonë. Shumë suksese e ditë të mbarë”, ka shkruar Vitia në Facebook.


12:57 – Ruzhdi Shehu pas votimit: Ftoj të gjithë junikasit që të votojnë duke dhënë shembullin e demokracisë

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Junikut, Ruzhdi Shehu, ka votuar për zgjedhjet lokale që po mbahen këtë të diel.

Shehu ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij gjatë këtij procesi teksa pas votimit bëri thirrje që të gjithë qytetarët e Junikut të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës duke dhënë shembullin e demokracisë si çdo herë tjetër, njofton Dukagjini.

“Pjesëmarrja në votime është përgjegjësi qytetare dhe kushtetuese. Përmes votës, ne dëshmojmë sa e duam Junikun, sepse vendosim për të ardhmen e tij, për të ardhmen e familjeve tona. Unë sapo e përfundova procesin e votimit. Ju ftoj të gjithë junikasve me të drejtë vote, që po ashtu të votojnë, duke dhënë shembull të demokracisë si gjithmonë deri sot”, ka shkruar Shehu.


12:53 – Muhaxhiri: Zgjedhjet lokale mbetën nën hijen e bllokadës qendrore (VIDEO)

Analisti politik, Artan Muhaxhiri, vlerëson se zgjedhjet lokale që po mbahen këtë të diel kanë mbetur nën hijen e bllokadës së nivelit qendror.

Muhaxhiri u shpreh se liderët e partive politike kanë qenë të zënë me gjëra të tjera dhe kësisoj fokusi në nivelin lokal ka rënë shumë, njofton Dukagjini.

“Këto zgjedhje kanë qenë nën hijen dhe bllokadën qendrore, pra partitë kosovare janë lideriste dhe varen prej liderit dhe kur një lider është i zënë me tema të mëdha edhe fokusi në nivelin lokal fatkeqësisht bie dhe kjo ka ndodh në këto zgjedhje. Kanë qenë zhgënjyese edhe ofertat e kandidatëve. Megjithatë ka qenë një shans i mirë pasi ne vazhdimisht themi se është koha e fundit që partitë politike të ofrojnë modele të reja por kësaj radhe as në Prishtinë e qytete tjera s’ka pasur risi, kryetarët nuk janë lodhur të ofrojnë diçka të madhe por edhe kundër kandidatët e tyre kanë nisur vonë fushatën dhe ka pasur shumë improvizime. Ka munguar oferta konkrete – partitë nuk kanë qenë në nivele normale për shkak të bllokadës qendrore”, tha Muhaxhiri në TV Dukagjini.


12:47 – Voton kryetari i Kuvendit, Dimal Basha

I pari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka hedhur votën e tij për zgjedhjet lokale që po mbahen këtë të diel.

Basha ka ftuar të gjithë qytetarët që të dalin masivisht dhe të votojnë teksa thekson se dita e sotme le të jetë ditë festë e demokracisë, me votime të qeta, pjesëmarrje të lartë dhe me frymë të plotë qytetarie, njofton D

“Unë sapo ushtrova të drejtën time të votës, në një ditë që na bashkon të gjithëve për të vendosur mbi të ardhmen e komunave tona. Prandaj, ftoj të gjithë qytetarët të dalin masivisht dhe të votojnë, sepse vota është zëri juaj që dëgjohet dhe mënyra më e drejtpërdrejtë për të ndikuar në vendimet që prekin jetën tonë të përditshme. Le të jetë kjo ditë festë e demokracisë, me votime të qeta, pjesëmarrje të lartë dhe me frymë të plotë qytetarie. Kështu dëshmojmë edhe një herë pjekurinë tonë demokratike dhe dashurinë e sinqertë për vendin që duam”, ka shkruar Basha.


12:15 – Kurteshi denoncon shkelje në veri dhe kërkon deakreditimin e mediave serbe

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), Sami Kurteshi, ngriti shqetësime për shkelje të rregullave zgjedhore në veri të Mitrovicës.

Kurteshi ka thënë se Lista Serbe ka organizuar një tubim masiv në veri të Mitrovicës, duke tejkaluar përqindjen e popullsisë në këtë rajon, njofton Dukagjini.

“Kam marrë raportin e sekretariatit dhe në ndërkohë kemi bërë përpjekje me i përcjellë ngjarjet, ku unë ngre shqetësimin që ka ngjarje në pjesën veriore të Mitrovicës, ku Lista Serbe ka organizuar tubim. Është thyerje e Kodit të Mirësjelljes sepse fushata zgjedhore është mbyllur. Sot është mbajtur tubim. Në mënyrë të organizuar kanë shkuar në qendra të vendvotimeve, kemi fotografi që qëllimisht janë bllokuar qendrat e vendvotimit,” tha Kurteshi.

Ai kërkoi gjithashtu që disa media serbe të humbin akreditimin për shkak të gjuhës propagandistike kundër Kosovës.

“Kërkoj që të deakreditohen RTS dhe Tanjugu (mediat serbe) për shkak të gjuhës që po e përdorin,” tha ai.


12:10 – Ambasadori britanik viziton KQZ-në, falënderon Policinë e Prokurorinë për punën që po bëjnë për zgjedhje pa probleme

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka nisur ditën me një vizitë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Hargreaves falënderoi KQZ-në, Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit për punën dhe përpjekjet e tyre dhe të ekipeve të tyre për të bërë që zgjedhjet e sotme komunale të shkonin pa probleme, njofton Dukagjini.

“Fillova ditën duke vizituar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Prishtinë më dha mundësinë të falënderoja Kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dhe Prokurorin në detyrë për përpjekjet e tyre dhe të ekipeve të tyre për të bërë që zgjedhjet e sotme komunale të shkonin pa probleme. Ka kaq shumë njerëz që punojnë pa u lodhur prapa skenave sot për të siguruar një proces demokratik të qetë dhe efikas. Tani është në dorë të popullit të Kosovës të dalë dhe të votojë”, ka shkruar Hargreaves.


11:42 – Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano: Vlerësoj angazhimin e sistemit prokurorial për mbrojtjen e të drejtës së votës

Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, ka vizituar sot Dhomën Operative të Prokurorit të Shtetit.

Gjatë vizitës, Barbano u takua me Koordinatoren Kombëtare për Zgjedhje, Laura Pula, me të cilën diskutoi mbi monitorimin dhe garantimin e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor në vend.

“Jam shumë i kënaqur që vizitova Dhomën Operative të Prokurorit të Shtetit dhe u takova me Koordinatoren Kombëtare për Zgjedhje, Laura Pula”.

“E vlerësoj angazhimin e sistemit prokurorial të Kosovës për mbrojtjen e të drejtës së votës dhe garantimin e integritetit të procesit zgjedhor”, ka deklaruar Barbano.

Ai theksoi se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të drejtësisë dhe misioneve ndërkombëtare mbetet thelbësor për forcimin e sundimit të ligjit dhe ruajtjen e besimit të qytetarëve në proceset demokratike.


11:41 – Fatmir Limaj pas votimit: Shpresoj që bashkë me kandidatët të fitojnë edhe qytetarët

Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka votuar për zgjedhjet lokale që po mbahen këtë të diel.

Limaj gjatë fjalës së tij pas votimit u shpreh se shpreson që bashkë me fitoren e kandidatëve të fitojnë edhe qytetarët, njofton Dukagjini.

“Sot është një moment i mirë për demokracinë në Kosovë. Gjithë qytetarët e komunave kanë shans të jashtëzakonshme për të vlerësuar punën e atyre që kanë qenë dhe për t’i dhënë mundësi vetës tyre për të përmirësuar jetën në lokalitetet. Besoj që qytetarët do të vlerësojnë punë e secilit veç e veç dhe mbi bazën e punës që të votohet përmes votës. Dua sonte që kur kandidatët fitues të shpallin fitoren, shpresoj që në atë fitore kanë fituar edhe qytetarët dhe jo vetëm ata vetë. Ka raste shumë në Kosovë që sonte ka shanse që kandidatët fitojnë bashkë me qytetarët sepse kanë oferta të cilat nëse votohet për kandidatë të tillë kanë fituar edhe qytetarët e komunave”, tha Limaj.


11:05 – KQZ: Deri në orën 11:00 kanë votuar 7.87% e qytetarëve, procesi po zhvillohet qetë

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka mbajtur një konferencë për media ku ka bërë të ditur të dhënat e para mbi pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhjet lokale të sotme në Kosovë.

Sipas Radoniqit, deri në orën 11:00, procesi i votimit po zhvillohet pa ndonjë incident që do të mund të ndikonte në mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

“Nuk ka ndonjë incident. KQZ mbetet në kontakt të vazhdueshëm me trupat zgjedhor për të siguruar që procesi të zhvillohet sipas ligjit dhe rregullave zgjedhore,” deklaroi ai.

Duke u bazuar në të dhënat preliminare nga 94% e vendvotimeve, Radoniqi bëri të ditur se numri i qytetarëve që kanë votuar deri në këtë orë është 159,472, që përbën 7.87% të votuesve me të drejtë vote në nivel vendi.


10:59 – Lumir Abdixhiku voton në Prishtinë: Zgjedhjet janë festë e madhe e demokracisë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka ushtruar të drejtën e tij të votës në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë.

Pas votimit, Abdixhiku uroi që Kosova të vazhdojë të jetë shembull i organizimit të zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

“Zgjedhjet në Kosovë gjithmonë kanë qenë, janë dhe do të mbeten festë e madhe e demokracisë. Janë ditë ku vendimmarrja e qytetarëve të Kosovës kthehet për katër vitet e ardhshme në çdo lagje të tyre, fshatrat e tyre dhe qytetet e tyre”, deklaroi ai.

“Le të urojmë, le të punojmë dhe le të shpresojmë që Kosova sërish do të jetë shembull i organizimit të zgjedhjeve, vetëdemokracisë dhe vullnetit të lirë të qytetarëve”, shtoi kryetari i LDK-së.


10:53 – KQZ publikon platformën elektronike për rezultatet: Pjesëmarrja deri në 09:00 arrin 2.66%

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka aktivizuar platformën elektronike për publikimin e rezultateve preliminare dhe statistikave të pjesëmarrjes në zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor 2025.

Përmes kësaj platforme, qytetarët mund të ndjekin në kohë reale rezultatet për çdo komunë, qendër votimi dhe vendvotim.

Të dhënat janë të qasshme në linkun zyrtar: https://resultslocal2025.kqz-ks.org

Në njoftimin e KQZ-së thuhet se, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, numërimi i fletëvotimeve për kryetarë të komunave dhe për subjektet politike bëhet në vendvotim menjëherë pas përfundimit të procesit të votimit.

Ndërsa numërimi i votave për kandidatët e asambleve komunale zhvillohet në Qendrat Komunale të Numërimit.

KQZ ka njoftuar gjithashtu se gjatë ditës së votimit do të publikohen në intervale të rregullta statistikat për pjesëmarrjen e votuesve në secilën komunë, të ndara sipas qendrave dhe vendvotimeve.

Rezultatet preliminare për kryetarët e komunave dhe për subjektet politike pritet të bëhen publike po të njëjtën ditë, më 12 tetor, pas përfundimit të procesit zgjedhor.


10:29 – Presidentja Vjosa Osmani voton, bën thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhje

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pas votimit është prononcuar për media, ku ka theksuar se sot është një ditë e rëndësishme për demokracinë e vendit tonë.

“Sa më masive pjesëmarrja në proceset zgjedhore dhe sa më i rregullt e i lirë procesi zgjedhor, aq më e fortë do të jetë edhe demokracia jonë,” ka deklaruar Osmani.

Ajo ka uruar suksese të gjithë atyre që marrin pjesë në këto zgjedhje, duke shprehur shpresën se ky do të jetë një proces me rezultate në të mirë të qytetarëve të Kosovës.

“I uroj suksese të gjithë atyre që po marrin pjesë në këto zgjedhje, por mbi të gjitha shpresoj që ky të jetë një proces me rezultate që do të jenë në të mirë të qytetarëve tanë, një proces ku vota do të mbrohet me çdo kusht dhe do të jetë e lirë për të gjithë qytetarët tanë pa dallim. Si rezultat, Kosova do të dalë edhe më e fortë nga këto zgjedhje. Shpresoj që qytetarët ta shfrytëzojnë këtë të drejtë si shtet i lirë, sovran e i pavarur. Në 26 vite pas çlirimit e më shumë se 17 vite pas pavarësisë, kemi të drejtën për të garuar në zgjedhje, por edhe të drejtën për të votuar e shfrytëzojmë në liri të plotë, prandaj është shumë me rëndësi që qytetarët tanë ta shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe nëpërmjet saj të vendosin për shërbimet që do t’i shfrytëzojnë dhe mënyrën se si do të udhëhiqen komunat e tyre,” ka theksuar Osmani.


10:17 – Memli Krasniqi pas votimit: Një ditë feste, qytetarët të votojnë masivisht për t’u dhënë drejtim qyteteve dhe komunave

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka ushtruar të drejtën e tij të votës në qendrën e votimit në Prishtinë, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Meliza Krasniqi.

Pas votimit, Krasniqi theksoi rëndësinë e kësaj dite për qytetarët e Kosovës, duke e cilësuar si një moment të veçantë për të vendosur drejtimin e komunave në katër vitet e ardhshme.

“Sot, bashkë me Melizën, ne sapo votuam jo vetëm për ta kryer obligimin qytetar, por edhe për drejtimin që ne besojmë e meriton Prishtina si qytet i yni,” deklaroi ai.

Krasniqi i ftoi qytetarët e Prishtinës dhe të gjithë Kosovës që të dalin masivisht në votime.

“I ftoj të gjithë qytetarët e Prishtinës, por edhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që të votojnë masivisht për t’u dhënë drejtim qyteteve dhe komunave ku jetojnë, sepse katër vite janë shumë dhe verdikti i tyre është ai që vendos për të ardhmen e tyre, për një jetë më të mirë. Besoj se sot do të jetë një ditë e mirë, një ditë feste për qytetarët e Kosovës anembanë dhe një proces zgjedhor shembullor, ashtu siç kemi pasur edhe në proceset e kaluara,” tha ai.

Lideri i PDK-së shtoi se pret që më 9 nëntor të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve, si në Prishtinë, ashtu edhe në shumë komuna të tjera të Kosovës, ndërsa shprehu bindjen se në dhjetor mund të ketë edhe zgjedhje parlamentare.

“Besoj dhe shpresoj që do të votohet jo më larg se në dhjetor edhe për zgjedhjet parlamentare,” përfundoi Krasniqi.


10:08 – Zgjedhje me frymë atdhetare: Qytetarët e Kosovës votojnë mes këngëve, veshjeve kombëtare dhe krenarisë shqiptare

Në ditën e zgjedhjeve lokale në Kosovë, përveç pjesëmarrjes së qytetarëve në votim, vëmendjen e morën disa votues që u paraqitën me simbolikë të veçantë patriotike, duke shprehur dashurinë për atdheun përmes veshjeve kombëtare dhe instrumenteve muzikore tradicionale.

Në komunën e Malishevës, Dërgut Mazreku, ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga lagjja e Gurit, u drejtua për të votuar i veshur me kostumin kombëtar shqiptar, i shoqëruar nga familjarët e tij.

Në një prononcim për RTV Dukagjini, Mazreku tregoi se zakonisht këtë veshje e mban në raste të veçanta si 28 Nëntori apo 17 Shkurti, por sot vendosi ta veshë për të nderuar ditën e votimit.

“Këtë veshje zakonisht e mbaj më 28 Nëntor dhe 17 Shkurt, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Sot gjithë ditën shëtita dhe piva kafe, sepse e konsideroj si një ditë feste. Mendoj për një qeveri më të mirë dhe për një kryetar më të mirë. Sa i përket qeverisë, deri tash askush s’ka bërë asgjë për Kosovën, por kryetari i ardhshëm e ka fituar votën në Malishevë për punën që ka bërë dhe besoj se do të vazhdojë ta bëjë edhe më mirë,” tha ai.

Mazreku gjithashtu shprehu mbështetjen e tij për ish-udhëheqësit e UÇK-së që ndodhen në Hagë, duke i cilësuar ata si të pafajshëm.
“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë padrejtësisht atje. Ata s’kanë bërë asgjë të keqe, vetëm mirë për Kosovën,” shtoi ai.

Ndërkaq, në Ferizaj, një tjetër qytetar, Murat Loku, u shfaq me një simbolikë tjetër domethënëse – një gajde tradicionale shqiptare.
Ai i binte këtij instrumenti frymor, duke sjellë atmosferë festive në qytet në ditën e votimeve.

“Sot kemi festë. Që nga vitet ’75, kur isha në shkollën e mesme në Kaçanik, një shok ma kishte sjellë një gajde. Më tha: ‘Po ta bi një gajde, bima një gajde me arra’. Që nga ajo kohë, unë i bie këtij instrumenti me dashuri,” ka rrëfyer Loku, duke e kthyer ditën e votimeve në një ditë gëzimi dhe tradite shqiptare.


09:44 – Uran Ismaili voton: Shpresoj që Prishtina ta shfrytëzoj mundësinë për ndryshim

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka ushtruar të drejtën e tij të votës në qendrën e votimit në shkollë Ismail Qemali në Breg të Diellit në Prishtinë

 Ismaili pas votimit është shprehur optimist për procesin zgjedhor, duke theksuar se kryeqyteti ka sot mundësinë për të zgjedhur ndryshimin.

“Sot është një ditë e mirë për Prishtinën, në të cilën vendosim për të ardhmen për katër vitet e ardhshme”.

“Falënderoj qytetarët që më kanë pritur mirë. Ka qenë një fushatë e jashtëzakonshme dhe i falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar. Shpresoj që Prishtina ta shfrytëzojë mundësinë e vet për ndryshim, në mënyrë që të bëhet qyteti që duam ta shohim të zhvilluar”, ka deklaruar Ismaili.


09:40 – Zgjedhjet Lokale: Rreth 27 mijë të rinj që do të votojnë për herë të pare

Nga krahasimi i listës së votuesve për Zgjedhjet Lokale 2025 me Listën e votuesve të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës të mbajtura me 9 shkurt 2025, rezulton se lista e votuesve për këto zgjedhje përmban 37,499 votues më shumë.

Kështu ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka thënë për KosovaPress, se nga ky numër i përgjithshëm i votuesve të rinj, 10.700  votues konsiderohen të regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil midis dy palë zgjedhjesh, ose votues që kanë rikthyer shtetësinë e Kosovës dhe 26,799 votues janë të rinj që pas Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025, kanë arritur moshën 18 vjeç dhe do të votojnë për herë të parë në Zgjedhjet Lokale 2025.


09:39 – Për ta mbrojtur votën e lirë, sot 100 prokurorë të shtetit po qëndrojnë kujdestarë

Për zgjedhjet lokale, që po mbahen sot në vendin tonë, Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor.

Në njoftim thuhet se në këto zgjedhje janë angazhuar rreth 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët po qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në zgjedhjet e sivjetme lokale.

“Prokurorët janë duke qëndruar në zyrat e tyre në qytetet ku ekzistojnë prokuroritë themelore, ndërsa në ato vende ku prokuroria nuk ka objekt, prokurorët do të qëndrojnë në stacione policore, ku në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës do të jenë në mbrojtje të votës së lirë të qytetarëve”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula po e mbikëqyrë gjithë mbarëvajtjen e zbatimit të detyrave të koordinatorëve rajonal, prokurorëve të angazhuar dhe prokurorit me detyrë në KQZ.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë./KP


09:24 – Kurti pas votimit: Votojmë për katër vitet e ardhshme, për shkollën, shëndetin dhe infrastrukturën

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka votuar në qendrën e votimit në Fakultetin Juridik në Prishtinë.
Ai ka votuar i vetëm, në njërën nga qendrat më të mëdha në kryeqytet.

Pas votimit, Kurti ka dhënë mesazhin e tij për këto zgjedhje.
“Sot është një ditë shumë e rëndësishme. Votojmë për të vendosur për katër vitet e ardhshme në komunat tona, për çerdhen, për shkollën, për ujin, për shëndetin, për shërbimet dhe për infrastrukturat në lagjet e qyteteve dhe fshatrave ku jetojmë,” ka deklaruar ai.

“Përveç se qytetarë të Republikës së Kosovës, jemi edhe banorë të komunës. Prandaj ftoj të gjithë qytetarët, pa dallim, që ta përdorin mundësinë, ta shfrytëzojnë të drejtën për t’u bërë hisedarë në zgjidhjen e problemeve që kanë për të plotësuar nevojat e tyre. Gëzuar!” ka shtuar Kurti.


08:49 – Voton Hajrulla Çeku: Dita e zgjedhjeve duhet të jetë ditë feste

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka ushtruar të drejtën e tij të votës.

Pas votimit, Çeku tha se dita e zgjedhjeve duhet të jetë një ditë feste, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare në këtë proces demokratik.

“Dita e zgjedhjeve duhet të jetë ditë feste, pas një fushate të qetë dhe konstruktive, që realisht u përmbyll me fitoren e jashtëzakonshme të Shqipërisë, sot jemi këtu për ta ushtruar të drejtën tonë demokratike, që duhet ta bëjnë të gjithë qytetarët pa dallim. Sot përcaktojmë katër vitet e ardhshme drejtimin e qytetit”, tha Çeku.


08:41 – Ramush Haradinaj voton në Gllogjan bashkë me nënën: Është ndjenjë e veçantë me votu në vendlindje

Ramush Haradinaj, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka ushtruar të drejtën e tij qytetare të votës në Gllogjan, bashkë me familjen.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka bërë të ditur se ka votuar së bashku me nënën, bashkëshorten Suzanën, vajzën Antigonën dhe pjesëtarë të tjerë të familjes.

“Sot e kreva obligimin tim qytetar, bashkë me nanën, Suzanën, Antigonën dhe pjesë të familjes në Gllogjan. Anita e Gjini votojnë në Prishtinë. Është ndjenjë e veçantë me votu në vendlindje, aty ku ka votu edhe babai im”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka shtuar se institucionet lokale kanë një rol të rëndësishëm për qytetarët, duke i ftuar të gjithë që të marrin pjesë në votime.

“Kuvendet komunale dhe kryetarët kanë shumë rëndësi, vendosni dhe votoni,” ka përfunduar lideri i AAK-së.


08:29 – Lista Serbe kundërligjshëm mbledh qytetarët për të votuar në mënyrë të organizuar

Një numër i qytetarëve serbë janë grumbulluar në sheshin kryesore në Komunën e Mitrovicës së Veriut “Korzo” afër “Car Lazarit” ka raportuar gazetarja e RTV Dukagjinit, Doruntina Bylykbashi.

Ata janë organizuar nga Lista Serbe dhe në mënyrë të organizuar dhe kundërligjshëm pritet të votojnë në mënyrë të organizuar.

Ajo ka thënë se pas mbledhjes së tyre në shesh, janë drejtuar drejt dy qendrave të votimit në dy grupe për të votuar.

Bylykbashi tutje ka thënë se në secilën qendër të votimit procesin po e monitoron Policia e Kosovës.

Qytetarët e Republikës së Kosovës ushtrojnë sot të drejtën kushtetuese të votës. Këto janë zgjedhjet e rregullta lokale, të cilat mbahen në 38 komuna të Kosovës.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, sipas të dhënave të KQZ-së është 2 milionë e 69 mijë e 98 votues. Prej tyre, nga jashtë Kosovës janë regjistruar për votim 43 mijë e 993 qytetarë me të drejtë vote.

Votimi përmes postës ka nisur më 17 shtator dhe ka përfunduar dje, më 11 tetor.

umri i subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në këto zgjedhje është 93, prej të cilave: 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur.
Aty janë parë edhe Zlatan Elek dhe Igor Simiq duke shkuar për të kryer procesin e votimit.

08:18 – KQZ: Të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë, 2 milionë e 25 mijë qytetarë me të drejtë vote në gjithë vendin

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se procesi i votimit në mbarë territorin e Republikës së Kosovës ka nisur me kohë dhe në mënyrë të rregullt, me përjashtim të ndonjë qendre të vetme ku janë raportuar vonesa të vogla.

“Sot procesi i votimit zhvillohet në 948 qendra të votimit me gjithsej 2,625 vendvotime, prej të cilave 910 janë qendra të rregullta për votimin e zakonshëm me 2,571 vendvotime, ndërkaq 38 qendra të tjera, nga një në secilën komunë, me 54 vendvotime, janë hapur për të mundësuar votimin me kusht,” ka deklaruar Elezi.

Ai ka bërë të ditur se, sipas listës së votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote në këto zgjedhje është 2 milionë e 25 mijë e 105, të shpërndarë në 38 komuna të vendit.

“Përveç organizimit të vendvotimeve të rregullta, KQZ do të organizojë edhe votimin përmes ekipeve mobile lëvizëse për 3 mijë e 467 votuesit me nevoja të veçanta, të cilët janë regjistruar dhe evidentuar paraprakisht,” ka shtuar ai.

Elezi ka ftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe të votojnë për kryetarët e komunave dhe përfaqësuesit në kuvendet komunale.

“Po ashtu, në këto orë të para të procesit, njoftojmë se përmes platformës elektronike qv.kqz-rks.org, secili votues mund të kontrollojë me lehtësi qendrën e tij të votimit,” ka theksuar ai.

Zëdhënësi i KQZ-së ka njoftuar se sot votohet për 38 kryetarë komunash dhe 942 anëtarë të 38 kuvendeve komunale.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 93 subjekte politike, prej të cilave 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 5 mijë e 624, prej të cilëve 205 kandidatë për kryetarë komunash dhe 5 mijë e 419 kandidatë për kuvendet komunale,” ka deklaruar Elezi.


07:58 – Hoxha: Të gjitha përgatitjet për zgjedhjet janë bërë me kohë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në një lidhje të drejtpërdrejtë në RTV Dukagjini në edicionin special të zgjedhjeve, ka folur për përgatitjet e Policisë së Kosovës për ditën e sotme, kur qytetarët votojnë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në nivel lokal.

Ai ka theksuar se Policia e Kosovës ka bërë përgatitjet që nga fillimi i fushatës zgjedhore, duke ndjekur një plan të detajuar veprimi për të siguruar mbarëvajtjen e procesit.

“Plani operativ është përgatit shumë kohë më përpara, sepse ne punojmë me disa faza të planit, qysh prej fillimit të fushatës zgjedhore e deri te dita e zgjedhjeve dhe pastaj, siç është dita finale, po edhe menaxhimi i situatës pas shpalljes së rezultateve e deri te përfundimi i numërimit të votave në qendrën e numërimit të rezultateve nga KQZ-ja”, ka thënë Hoxha.

Ai ka shtuar se gjatë gjithë këtij procesi Policia e Kosovës ka qenë në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Kosovës dhe me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke siguruar koordinim të plotë për një ditë zgjedhore të qetë dhe të sigurt.

Hoxha tha se deri tash, nuk është raportuar ndonjë incident. Ndërkohë Hoxha thekson se numri i përgjithshëm i policisë së angazhuar për sot është deri në 6500 veta.

“Deri tash në Polici gjatë ditës së sotme nuk është raportu ndonjë incident. Në të gjitha qendrat e votimit jemi vendosë Policia e Kosovës në bashkëpunim me KQZ-në dhe presim që gjithçka të shkojë mbarë e mirë. Numri i përgjithshëm i policisë është dikund 6500 veta të angazhuar e po ashtu një numër i madh i automjeteve. Kemi hapë dhomat komanduese në nivel qendror të Policisë në nivel lokal, të gjithë eprorët janë në detyrë dhe operacioni ka filluar qysh nga ora 03:00 e mëngjesit dhe do të vazhdojë”- u shpreh ai.

Tutje, Hoxha ka thënë se bazuar në ngjarjet në të kaluarën, fokusin më të madh Policia do ta ketë veriun e Kosovës, mirëpo shtoi se nuk pret ndonjë incident madhor.

“Për shkak të kaluarës që e kemi pasë, veriu i Kosovës do të ketë fokusin më të madh, ndërsa disa komuna që ka një garë pak më të afërt, varësisht prej zhvillimeve, ne do të kemi policë të përqendruar në stacione policore dhe do të reagojnë sipas vlerësimeve apo zhvillimeve të ngjarjeve në terren. Nuk ka ndonjë pikë të nxehtë që kisha mundur ta them Policia shumë herët e ka identifiku, mirëpo varësisht nga zhvillimet që janë bërë, varësisht nga departamenti i inteligjencës do kemi zyrtarë në gatishmëri për të reaguar sipas nevojës. Nuk presim ndonjë incident madhor apo diçka të ngjashme”- ka thënë drejtori i Policisë.

Hoxha tutje ka theksuar se as në të kaluarën e as gjatë kësaj fushate zgjedhore nuk është raportuar ndonjë incident serioz.


07:08 – Kreshnik Radoniqi: Procesi i votimit ka nisur me rregull, materialet janë shpërndarë me kohë

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka folur për media nga qendra e votimit në shkollën fillore “Lidhja e Prizrenit” në Pejë, ku ka bërë të ditur se procesi i votimit ka nisur në mënyrë të rregullt.

“Sa i përket qendrave komunale, të gjitha përgatitjet janë bërë dhe të gjitha pajisjet janë shpërndarë në të gjitha komunat. Presim që nesër të fillojë numërimi në të gjitha komunat,” – ka deklaruar Radoniqi.

Ai ka shtuar se materialet zgjedhore janë dërguar me kohë dhe se deri më tani nuk janë raportuar pengesa në procesin e votimit.

Sa i përket platformës për rezultate, Radoniqi ka thënë se kanë punuar në përmirësimin e saj.

“Zgjedhje për të cilat KQZ-ja ka punuar që gjashtë muaj. Kemi bërë përgatitje të shumta, ndryshime në proces sipas ligjit. Në këto zgjedhje kemi përmirësuar platformën. Kemi mbështetjen e Britanisë në ndërtimin e platformën, sa i përket qendrave komunale të gjitha përgatitjet janë bërë”, tha Radoniqi.


06:57 – Ferizaj – Qetësi para hapjes së qendrave të votimit, 125 mijë qytetarë me të drejtë vote

Gazetarja Laureta Dula, në një lidhje direkte nga Ferizaj, ka raportuar se situata në komunë para hapjes së qendrave të votimit është e qetë.

Sipas saj, në Ferizaj kanë të drejtë vote gjithsej 125 mijë e 865 qytetarë, të cilët do të votojnë në 47 qendra votimi me gjithsej 154 vendvotime.

Dula ka bërë të ditur se ndodhej në njërën nga qendrat më të mëdha të votimit në qytet, ku në momentin e raportimit ende nuk ishin hapur zyrtarisht dyert, por po bëheshin përgatitjet e fundit për hapjen e tyre në kohën e paraparë, në orën 07:00.


06:53 – Afër 192 mijë qytetarë me të drejtë vote në Prizren, vetëm një qendër me votim me kusht

Gazetari Liridon Llozani nga Prizreni, në një lidhje direkte për procesin zgjedhor, ka bërë të ditur se në këtë komunë janë rreth 192 mijë qytetarë me të drejtë vote.

Sipas tij, në territorin e Prizrenit janë gjithsej 76 qendra votimi, të shpërndara në të gjitha lokalitetet e komunës.

“Edhe në Prizren, sikurse në komunat e tjera, është vetëm një qendër e votimit me kusht,” – ka theksuar Llozani, duke shtuar se procesi po zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa incidente të raportuara deri më tani.


06:50 – Qetësi para nisjes së votimit në Pejë, 122 mijë qytetarë me të drejtë vote në 139 vendvotime

Gazetarja Agnesa Hasanaj, në një lidhje direkte nga Peja, ka raportuar se situata në qytet është e qetë para fillimit të procesit të votimit.

Sipas saj, në komunën e Pejës kanë të drejtë vote 122 mijë e 99 qytetarë, të cilët do të mund të votojnë në 30 qendra votimi me gjithsej 139 vendvotime.

“Në zgjedhjet e fundit lokale, dalja e qytetarëve ka qenë 36.56%. Pra, mbetet të shihet nëse kjo shifër do të rritet gjatë ditës së sotme,” – ka theksuar Hasanaj, duke nënvizuar se të gjitha përgatitjet për procesin janë bërë sipas planifikimit.


06:30 – Kosova voton për Zgjedhjet Lokale 2025 – RTV Dukagjini drejtpërdrejtë

Sot qytetarët e 38 komunave do të kenë mundësi të votojnë për kryetarë dhe përfaqësues të tyre në Kuvende komunale.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se janë 948 qendra votimi në gjithë Kosovën që do të hapen në orën 07:00 të mëngjesit e do të mbyllen në orën 19:00.

KQZ ka njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të siguruar një proces të rregullt, transparent dhe të qetë.

Po ashtu për Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit 2025 do të hapen gjithsej 38 Qendra Votimi për votim me kusht, të shpërndara në të gjitha komunat e Kosovës.

RTV Dukagjini ka filluar transmetimin LIVE ku përmes gazetarëve të saj nëpër komuna do të përcjellët nga afër procesi i votimit për Zgjedhjet Lokale 2025.

Gazetari Fatlum Jashari nga qendra e votimit tek Fakulteti Filologjik ka thënë se gjithçka duket se është gati që procesi i votimit të filloj në kohë.

Ai ka kujtuar se në Prishtinë të drejtë vote kanë dyqind e njëzetë e katër mijë qytetarë.

Të fundit nga rubrika