Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një intervistë për RTK-në ka thënë se sonte do të nisë numërimi i votave për kandidatët për kryetarë të komunave, ndërkaq nga nesër nisë numërimi për asamblistët.
“Në 19:30 do të kemi të dhëna preliminare për pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje. Besojmë që brenda një kohe të shkurtër pas mbylljes së vendvotimeve do të mund të fillojë procesi i numërimit të fletëvotimeve. Sipas ligjit, numërohen fletëvotimet për kryetarë të komunave dhe pastaj ato për kuvende komunale. Votat e kandidatëve për anëtarët e kuvendeve komunale numërohen nga nesër në qendrat komunale të numërimit”, ka thënë ai
Elezi ka shtuar se kësaj radhe përditësimet e të dhënave kanë qenë më të shpeshta, krahasuar me zgjedhjet lokale të kaluara.
“Në përgjithësi krahasimin e bëjmë me zgjedhjet e llojit të njëjtë, pra me lokalet sepse kanë veçori të ndryshme. Në shkurtin e këtij viti në zgjedhjet parlamentare kemi pasur 1200 kandidatë për deputetë, ndërkaq në zgjedhjet lokale kemi 205 kandidatë dhe zgjidhjet për Kuvendin Komunal më shumë se 4 mijë”, ka thënë Elezi.
Elezi ka komentuar raportimet që qytetarëve iu është ndërruar jo vetëm qendra e votimit por i gjithë qyteti në tërësi pa ndonjë paralajmërim.
“Duhet ta sqarojmë se lista e votuese buron nga ekstrakti i regjistrit qendror civil, i cili është i lidhur me sistemin e adresave dhe ajo çfarë ne kemi parë që në këto raste, votuesit kanë pasur adresat në komunat ku janë caktuar të votojnë”, ka thënë ai.