Federata e Bjeshkatarisë dhe Ngjitjes Sportive të Kosovës (FBNSK) shënon një moment historik duke pritur për herë të parë në Kosovë Asamblenë e Përgjithshme të Federatës Ndërkombëtare të Alpinizmit dhe Bjeshkatarisë (UIAA).
Ngjarja do të zhvillohet në Pejë nga 23 deri më 26 tetor 2025, me hotelin Dukagjini si nikoqir të kësaj ngjarje të rëndësishme.
Ky është rasti i parë që një federatë ndërkombëtare e nivelit më të lartë në fushën e sportit dhe alpinizmit zhvillon asamblenë vjetore në Republikën e Kosovës.
Organizimi vendos Kosovën në qendër të vëmendjes botërore të komunitetit alpin, duke shënuar gjithashtu herën e parë që UIAA mban Asamblenë e saj në Ballkan.
Ky aktivitet konsiderohet një arritje e madhe për sportin malor, turizmin dhe përfaqësimin ndërkombëtar të vendit. Gjithashtu, simbolizon rritjen dhe profesionalizimin e FBNSK-së dhe besimin që komuniteti ndërkombëtar i alpinizmit ka ndaj Kosovës si vend mikpritës me potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e sporteve malore dhe turizmit të qëndrueshëm.