Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka zbuluar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i kishte ofruar një marrëveshje politike pak minuta para fillimit të seancës së së dielës për votimin e qeverisë së re.
Limaj tha se Kurti i kishte premtuar se do ta largonte Dimal Bashën nga posti i kryetarit të Kuvendit, në këmbim të mbështetjes së Nismës për formimin e qeverisë.
“Ma dha informatën që, e di që e ke pas vështirë me votu Dimalin, po e largojmë Dimalin nga kryetari i Kuvendit dhe po e çoj ministër. Dhe qesha. Edhe natyrisht e kërkoi mbështetjen për qeverinë. Por, nuk bëhen këto punë në minuta të fundit. I thash se për respekt erdha, meqë më ftuat, dhe po ju dëgjoj, por nuk bëhen këto gjëra në momente të fundit. U takuam në hapësirat e Parlamentit. Dhe ma kërkoi mbështetjen. Nuk provoi të hapte çështjen e posteve. Nuk dua të jem pjesë e qeverisë”, ka thënë Limaj në KlanKosova.
Kreu i Nismës tha se takimi me Kurtin zgjati rreth 10 minuta dhe se nuk kishte pranuar të hynte në një marrëveshje të tillë në momentet e fundit.
Limaj gjithashtu tregoi se Kurti e kishte pyetur nëse do ta mbështeste qeverinë, duke i thënë se po priste të bashkëpunonte me Nismën.
“Por, e pyeta, nuk po e kuptoj, ku i ki numrat? S’i ke numrat! A i ki numrat? Nuk po shoh që i ke. Më tha, ‘po pres me ba me juve’. I thash që jo në ditën e fundit, nuk mund ta votoj këtë qeveri unë. Tha ‘okej’. 10 minuta zgjati takimi”, ka shtuar Limaj.