Një tjetër sasi rekorde e drogës është kapur nga autoritetet e Kosovës.
Por, vendi nuk ishte destinacioni finali për 268.44 kilogramë substancë narkotike e dyshuar marihuanë, por shtetet e BE-së.
Sipas të dhënave të Prokurorisë Speciale dyshohet se droga u transportua nga Shqipëria ndërkaq tashmë shoferi i kamionit S.J. është arrestuar dhe ndaj tij do të kërkohet paraburgim për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit S.J. Kërkesa është paraqitur mbi bazën e dyshimit se S.J., ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”. Sipas kërkesës dyshohet se S.J., kishte për qëllim që të transportonte substanca narkotike në një shtet tjetër. Gjatë kontrollit të kamionit, të cilin po e drejtonte i dyshuari, është gjetur dhe sekuestruar sasia prej 268.44 kilogramë substancë narkotike e dyshuar marihuanë, e cila dyshohet se është transportuar nga Republika e Shqipërisë, me destinacion shtetet e Bashkimit Evropian. Prokuroria Speciale ka kërkuar masën e sigurisë prej një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit, duke vlerësuar se ekziston rreziku që i dyshuari të arratiset, dhe të pengojë rrjedhën e procedurës hetimore penale”, kanë njoftuar nga Prokuroria Speciale.
Aksioni në të cilin u arrestua i njëjti ishte përfshirë edhe Dogana e Kosovës, pas informacioneve të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
“Një operacion i bazuar mbi inteligjencën e siguruar nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, i ndërmarrë nga Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosoves ka rezultuar me zbulimin dhe konfiskimin e rreth 250 kilogramëve të substancës narkotike të llojit kanabis, të fshehur me kujdes në një automjet transportues. Operacioni është realizuar gjatë orëve të pasdites, kur njësia e Antikontrabandës e Doganës ka ndalur për kontroll një kamion që po lëvizte në drejtim të Prishtinës në autostradën “Ibrahim Rugova”. Pas një inspektimi të detajuar, dhe duke përdorur pajisjet profesionale të dhuruara nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zyrtarët doganorë kanë arritur të demontojnë panelet e fshehura të automjetit, ku ishin vendosur substancat narkotike. Në vendngjarje kanë dalur edhe njësia antidrogë e Policisë së Kosovës dhe Prokurorja kompetente.”
E në Pejë janë arrestuar tre persona për kultivimin e narkotikëve, aksion i realizuar si rrjedhojë e hetimeve që ndërlidhen me rastin vitit të kaluar ku pos mijëra bimëve kanabis u konfiskuan edhe 1 ton narkotikë e llojit marihuanë në fshatin Sverkë të kësaj komune.
Po ashtu gjatë së enjtes, edhe prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar paraburgim ndaj 4 personave të arrestuar për posedim të rreth 700 gramëve kokainë.
