Partia Demokratike e Kosovës ka theksuar se aktualisht nuk ka shumicë parlamentare për të formuar qeverinë dhe çdo përpjekje tjetër për t’ia dhënë mandatin Lëvizjes Vetëvendosje do të ishte humbje kohe dhe zvarritje e panevojshme.
Sipas PDK-së, realiteti politik është i qartë se askush nuk e ka shumicën për të formuar qeverinë nga kjo legjislaturë, ndërsa çdo përpjekje për ta injoruar këtë fakt vetëm sa do të thellonte krizën dhe pasigurinë institucionale.
“Ashtu siç dështoi Albin Kurti për të siguruar shumicën, do të dështojë çdo përpjekje tjetër për ta zgjatur artificialisht këtë proces nga Lëvizja Vetëvendosje. Realiteti politik është i qartë: askush nuk e ka shumicën për të formuar qeverinë nga kjo legjislaturë. PDK konsideron se injorimi i këtij realiteti vetëm sa do ta thellonte krizën, do ta zgjaste pasigurinë institucionale dhe do ta dëmtonte më tej stabilitetin e vendit”, thuhet nga ana e PDK-së.
Në deklaratë theksohet se “zgjidhja e vetme e drejtë dhe demokratike janë zgjedhjet e reja të parakohshme, që do t’i kthejnë sovranit të drejtën për të vendosur drejtimin e ardhshëm të vendit dhe për t’i dhënë legjitimitet institucioneve të reja”.
PDK gjithashtu ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për shkaktimin e krizës së zgjatur politike, e cila, sipas saj, ka dëmtuar ekonominë, mirëqenien e qytetarëve dhe raportet me partnerët ndërkombëtarë.