09:34 – Çeku pas votimit: Cilido të jetë rezultati, uroj gjithçka të mirë për qytetarët
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka ushtruar të drejtën e votës në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Çeku, pas votimit ka bërë thirrje që të ushtrohet e drejta e votës, e ku ka uruar për një qeverisje të mirë në katër vitet e ardhshme, pavarësisht rezultatit, njofton Dukagjini.
“Pas një procesi të gjatë po e përmbyllim këtë cikël të zgjedhjeve lokale, që është detyrim për të drejtën tonë për qytetin. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë, të jetë ditë e mbarë për demokracinë. Nga nesër e tutje të jenë 4 vite të mira. Cilido të jetë rezultati, uroj që qytetarët t’i pres gjithçka e mirë”, deklaroi Çeku.
09:29 – Hoxha: Procesi zgjedhor po monitorohet nga Policia, nuk ka asnjë incident deri tani
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka bërë të ditur se procesi zgjedhor është duke vazhduar pa asnjë incident deri më tani.
Hoxha, në një linjë direkte në TV Dukagjini, u shpreh se plani operativ policor ka nisur që nga ora 03:00 e mëngjesit dhe i gjithë procesi po monitorohet nga Policia e Kosovës.
“Dita ka nisur shumë mirë, Policia e Kosovës është përgatit për ditën e votimit për balotazh për kryetarë komunasah dhe operacioni policor ka nisur që nga ora 03:00 dhe dhomat komanduese janë hapur në të gjitha regjionet e Kosovës. Nga informacionet që kemi pranuar nga qendrat tona operative nuk është raportuar asnjë problem, ka pasur disa probleme teknike me energjinë elektiker në Viti ndërsa probleme tjera nuk janë raportuar në asnjë komunë – urojmë që kështu të vazhdojë i gjithë procesi”, u shpreh Hoxha.
Hoxha, mes tjerash, u shpreh se mobilizimi policor është i njëjtë sikur në raundin e parë të zgjedhjeve lokale që u mbajtën më 12 tetor.
“Masat janë të njëjta sikur edhe në raundin e parë, materiali zgjedhor është dorëzuar me përcjellje të policisë e njësoj edhe në mbarim të votimit – secila qendër e votimit ka policë dhe janë marrë të gjitha masat që në mënyrë të rregullt të vazhdojë i gjithë procesi”, tha Hoxha.
09:19 – 54 të dënuar nga komuna të ndryshme votojnë nga burgu i Smrekonicës
54 të dënuar në burgun e Smrekonicës kanë të drejtë vote në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në vend.
Drejtori i kësaj Qendre Korrektuese, Avni Miftari, deklaroi se votimi me ekipet mobile ka nisur me kohë si në të gjitha qendrat e tjera të votimit në vend, njofton Dukagjini.
Miftari në një lidhje direkt me gazetaren Doruntina Bylykbashi, bëri të ditur se deri tani 12 të dënuar kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës
“Procesi ka vazhduar me rregull, ekipi mobil ka ardhur me kohë dhe ka nisur kohë dhe në rregull. Ka votues nga komuna në ndryshme në këtë raund të zgjedhjeve ka 54 të dënuar nga komuna të ndryshme që mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës brenda qendrës korrektuese. 12 nga 54 kanë votuar dhe kanë vullnet që të votojnë. Të burgosurve u është mundësuar që të shohin kandidatët dhe të jenë në një linjë me zhvillimet politike që të kenë të qartë kë të votojnë”, tha Mifari.
08:50 – Kurti pas votimit: Gjatë fushatës kam punuar me tri ndërrime
Kryeministri në detyrë i vendit, Albin Kurti, ka ushtruar të drejtën e tij të votimit në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Kurti ka votuar në Universitetin e Prishtinës, konkretisht në Fakultetin Juridik, njofton Dukagjini.
Në një prononcim për media pas votimit, Kurti ftoi të gjithë qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votimit teksa u shpreh se qytetarët duhet të jenë pjesëmarrës e vendimmarrës për zgjedhjen e kryetarëve të komunave.
“Sot është e diel, të gjithë jemi zgjuar herët. Është ditë e mirë për demokracinë e vullnetin e mirë. Kosova mban zgjedhjet në raundin e dytë për balotazh në 18 komuna. Unë porsa votova këtu në Prishtinë. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve ta shfrytëzojnë e të bëhen vendimmarrës për kryetarët e komunave dhe për katërvjeçarin në vijim. Gjithçka do të shkojë mbarë e mirë, edhe KQZ-ja ka bërë përgatitjet, komisionerët e vëzhguesit ndodhen në qendra të votimit”, u shpreh Kurti.
Kryeministri në detyrë, mes tjerash, u shpreh se gjatë kësaj fushate ka punuar në tri ndërrime.
“Gjatë kësaj fushate unë kam punuar në tri ndërrime, pra anë e mban komunave të Kosovës, dhe jam përpjekur të vëzhgojë, zgjedhjet komunale janë jo më pak të rëndësishme se ato parlamentare”, tha Kurti.
08:46 – Voton kryeministri në detyrë, Albin Kurti
Kryeministri në detyrë i vendit, Albin Kurti, ka ushtruar të drejtën e tij të votimit në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Kurti ka votuar në Universitetin e Prishtinës, konkretisht në Fakultetin Juridik, njofton Dukagjini.
08:43 – Rreth 80 prokurorë angazhohen për balotazh
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash, që po mbahen të dielën, janë bërë të gjitha përgatitjet për mbrojtjen e votës dhe ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor.
Sipas njoftimit bëhet e ditur se në këto zgjedhje janë angazhuar rreth 80 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët po qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në zgjedhjet e sivjetme lokale, njofton Dukagjini.
“Prokurorët janë duke qëndruar në zyrat e tyre në qytetet ku ekzistojnë prokuroritë themelore, ndërsa në ato vende ku prokuroria nuk ka objekt, prokurorët do të qëndrojnë në stacione policore, ku në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës do të jenë në mbrojtje të votës së lirë të qytetarëve. Ndërkaq, koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula po e mbikëqyrë gjithë mbarëvajtjen e zbatimit të detyrave të koordinatorëve rajonal, prokurorëve të angazhuar dhe prokurorit me detyrë në KQZ” thuhet në njoftim.
Tutje, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit i ka ftuar qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.
08:06 – Elezi: Procesi i votimit ka nisur në të gjitha qendrat
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se materiali zgjedhor është shpërndarë me kohë.
Në konferencën e parë të KQZ-së për ditën e balotazhit, Elezi bëri të ditur se procesi i votimit ka nisur me kohë në të gjitha Qendrat e Votimit, njofton Dukagjini.
“Gjatë ditës së sotme, procesi zgjedhor do të zhvillohet në 525 Qendra të Votimit, me gjithsej 1,648 vendvotime, prej të cilave 507 qendra me 1,628 vendvotime për votimin e rregullt dhe 18 qendra, nga një për çdo komunë ku mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve, me 20 vendvotime, për të mundësuar votimin me kusht”, u shpreh Elezi.
Tutje, Elezi u shpreh se qendrat e votimit me kusht janë hapur me kohë në të gjitha komunat e balotazhit.
“Sa i përket qendrave të votimit me kusht, nga një është në çdo komunë të vendit, të gjitha janë hapur me kohë, raportimet të cilat i kemi pranuar përfshinë njoftimet për çdo qendër të votimit”, tha Elezi.
Kujtojmë se përveç organizimit të votimit në vendvotime të rregullta, KQZ do të organizojë votimin edhe përmes ekipeve mobile/lëvizëse për 2,541 votuesit me nevoja të veçanta, të cilët janë regjistruar dhe evidentuar paraprakisht.
Balotazhi do të mbahet në këto komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.
07:37 – Fillon procesi i votimit në Gjilan
Gazetarja Dea Dedinca, nga qendra më e madhe e votimit në Komunën e Gjilanit, ka raportuar për ecurinë e procesit zgjedhor, duke bërë të ditur se në këtë komunë janë hapur gjithsej 37 qendra votimi.
Dedinca tha se, ndryshe nga proceset e kaluara, në këtë qendër nuk është parë asnjë person që orientohet votuesit për klasën apo vendin ku duhet të votojnë, gjë që zakonisht ndihmon në lehtësimin e procesit.
Po ashtu, ajo vuri në dukje se në këtë qendër nuk është prezent asnjë zyrtar i Policisë së Kosovës, ndonëse në qendrat e tjera ku ka bërë vëzhgime, prania policore ka qenë e garantuar.
“Materiali i votimit ka arritur me kohë,” tha Dedinca, duke shtuar se në këtë qendër pritet të votojnë mbi 13 mijë qytetarë të komunës së Gjilanit.
Procesi deri më tani është raportuar i qetë dhe pa incidente.
07:23 – Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi: Të respektohen rregullat dhe ligjet për një proces të qetë votimi
Kreshnik Radoniqi, kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhor (KQZ), pas votimit të tij në Pejë, është prononcuar për media, duke bërë thirrje që qytetarët të dalin në votime dhe të respektojnë rregullat e procesit zgjedhor.
“Bëj apel që të respektohen rregullat dhe ligji i KQZ-së dhe rendi. Dua të ftoj edhe anëtarët e vendvotimeve që të respektojnë rregullat, në mënyrë që gjithë procesi të shkojë pa asnjë problem. Uroj që të kemi një ditë të mirë dhe të qetë,” tha Radoniqi.
Ai foli edhe për votimin me asistencë, duke theksuar se KQZ-ja ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm dhe ka përgatitur manuale e trajnime për anëtarët e këshillave të vendvotimeve.
“Sa i përket votimit me asistencë, KQZ-ja ka ndërmarrë të gjitha hapat dhe procedurat përkatëse, dhe gjithçka është theksuar në manualet dhe trajnimet tona. Se çfarë ndodh në realitet ditën e zgjedhjeve nëpër vendvotime, mbetet në administrimin e KQZ-së dhe të vet këshillave të vendvotimeve,” u shpreh ai.
Radoniqi shtoi se në disa vendvotime në raundin e parë, votimi me asistencë ka qenë i theksuar dhe shpesh i pajustifikuar.
“Ne e kemi bërë të qartë se në disa vende votimi me asistencë ka qenë shumë i theksuar dhe në disa raste arsyetimet nuk kanë qenë të duhura në librat e votimit. Për këtë arsye kemi ngritur shqetësimin dhe shpresojmë që tash, sot, këshillat e vendvotimeve do të kenë më shumë kujdes. Jo secili ka të drejtë të votojë me asistencë, por vetëm personat në nevojë. Shpresojmë që kjo çështje të respektohet,” tha Radoniqi.
Sa i përket votave me postë, kryetari i KQZ-së theksoi se ato pritet të arrijnë fizikisht në Kosovë gjatë javës së ardhshme.
“Varësisht prej cilit shtet nisen, por ne do t’i marrim ato të hënën. Rreth 28 mijë votues kanë aplikuar, por ende nuk e dimë sa vota janë dorëzuar, pasi ato nuk janë tërhequr ende,” deklaroi Radoniqi.
06:58 – Mitrovica e Jugut: Faton Peci dhe Arian Tahiri në garë sot për raundin e dytë të zgjedhjeve
Në Mitrovicën e Jugut sot, më 9 nëntor, qytetarët po votojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar komune, ku përballen Faton Peci nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Arian Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Sipas rezultateve të raundit të parë, Mitrovica e Jugut regjistroi një pjesëmarrje prej 39.28%, nga 85.883 votues të regjistruar në listat zgjedhore. Në total 33.732 qytetarë votuan, prej tyre 32.834 në vendvotime të rregullta dhe 898 me kushte apo me postë.
Nga këto vota, 33.018 rezultuan të vlefshme, 708 të pavlefshme ose të zbrazëta, ndërsa 69 fletëvotime u raportuan si të dëmtuara.
Në rezultatet përfundimtare të raundit të parë, Faton Peci (Lëvizja Vetëvendosje) kryesoi me 15.830 vota (47.94%), duke lënë shumë pranë Arian Tahirin (PDK) me 15.708 vota (47.57%). Pas tyre u renditën Gëzim Plakolli (LDK) me 1.225 vota (3.71%) dhe Qazim Nimani (AAK) me 255 vota (0.77%).
Me një diferencë minimale prej vetëm 122 votash, gara për kryetarin e Mitrovicës së Jugut konsiderohet ndër më të ngushtat në Kosovë, ndërsa sot qytetarët e kësaj komune pritet të vendosin përfundimisht se kush do ta drejtojë qytetin në mandatin e ri katërvjeçar.


Nga Mitrovica e Jugut ka raportuar gazetarja Dorentina Bylykbashi e cila ka dhënë statistikat dhe ka treguar për përgatitjen e kQZ-s që procesi i rregullt votues të filloj në ora 7:00.
Ajo gjithashtu ka treguar se gara është e ngushtë dhe fushata ka qenë e “nxehtë”.
06:49 – Prishtina zgjedh sot mes Përparim Ramës dhe Hajrulla Çekut në raundin e dytë të zgjedhjeve
Prishtina do të jetë ndër 18 komunat ku sot më 9 nëntor do të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, ku qytetarët do të zgjedhin mes Përparim Ramës nga LDK-ja dhe Hajrulla Çekut nga Lëvizja Vetëvendosje.
Të dy kandidatët kanë marrë më së shumti vota edhe pas procesit të rinumërimit për kryeqytetin, duke konfirmuar garën e ngushtë mes tyre.
Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ, Përparim Rama ka marrë 165 vota ose 34.59%, ndërsa Hajrulla Çeku 140 vota ose 29.35%. Pas tyre renditet kandidati i PDK-së, Uran Ismaili, me 18 vota ose 29.14%, ndërsa Bekë Berisha i AAK-së ka marrë po ashtu 18 vota ose 3.77%. Kandidatja e PSD-së, Besa Shahini, ka siguruar 11 vota ose 2.31%, dhe Agim Prishtina nga nisma “Prishtina në dorën tënde” ka marrë 3 vota ose 0.63%.
Në raundin e parë të zgjedhjeve më 12 tetor, Përparim Rama kishte fituar 35.595 vota ose 33.71%, ndërsa Hajrulla Çeku kishte marrë 35.077 vota ose 33.21%, duke e bërë garën për Prishtinën një nga më të ngushtat në vend.

Nga Prishtina gazetari i RTV Dukagjinit Fatlum Jashari në një linjë direkte nga qendra e votimit te Fakulteti Filologjik ka folur për përgatitjet e bëra nga KQZ para fillimit të procesit zgjedhor. Ai ka thënë se sipas KQZ të gjitha parapërgatitjen janë bërë për të filluar procesi i rregullt i votimit që në orën 7: 00 të mengjesit.
06:30 – Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale: Kosova vendos për kryetarët në 18 komuna më 9 nëntor
Më shumë se gjysma e qytetarëve me të drejtë vote në Kosovë do të rikthehen në qendrat e votimit të dielën, më 9 nëntor, për të zgjedhur kryetarët e rinj të komunave të tyre në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në këtë proces janë ftuar të marrin pjesë 1 milion e 316 mijë e 672 votues në gjithsej 18 komuna, nga mbi dy milionë sa kishin të drejtë vote në rundin e parë.
Për këtë qëllim, do të hapen 507 Qendra të Votimit me gjithsej 1.628 vendvotime, ku qytetarët do të mund të votojnë nga ora 07:00 deri në 19:00.
Balotazhi do të mbahet në këto komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.
KQZ ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë në mënyrë aktive dhe të kontribuojnë për një proces zgjedhor të qetë, të drejtë dhe demokratik në të gjitha komunat ku zhvillohet gara për kryetarë.