Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Mitrovicë, duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti për, siç tha ai, “fabrikim shtetëror të rezultatit zgjedhor”.
Sipas Behramit, gjatë pesë viteve të fundit Kurti ka “suspenduar logjikën” dhe e ka zëvendësuar atë me “inat, përçarje dhe urrejtje në shoqëri”. Ai theksoi se zgjedhjet lokale janë pasqyrim i kësaj qasjeje politike.
“Zgjedhjet lokale janë reflektim i kësaj urrejtjeje, i këtij inati që ka ndjellë. Në Mitrovicë, përveç kësaj, Kurti ka shfrytëzuar krejt potencialin shtetëror, grupe të nëntokës dhe struktura kriminale për të fabrikuar një fitore, e cila ditëve të ardhshme mund të shndërrohet në skandalin më të madh zgjedhor në historinë e Kosovës së pasluftës,” ka deklaruar Behrami.
Ai ka shtuar se nga procesi i numërimit po vërehen elemente të manipulimit të gjerë me fletëvotime, që sipas tij dëshmojnë për “tren qeveritar, e jo tren bullgar”.
“Masiviteti i këtij fenomeni është i frikshëm dhe një shenjë e qartë që këtu nuk bëhet fjalë për individë, por për një sistem të organizuar nga institucionet e okupuara,” ka thënë Behrami.
Deputeti i PDK-së ka kërkuar nga vëzhguesit ndërkombëtarë, organizatat joqeveritare dhe mediat që të monitorojnë 24 orë procesin e numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në Mitrovicë, duke theksuar se “krimi zgjedhor do të ekspozohet i plotë”.