Senati i Shteteve të Bashkuara ka miratuar një projektligj kyç që mund të përfundojë brenda disa ditësh mbylljen më të gjatë të Qeverisë amerikane.
Projektligji u miratua me shumicë të thjeshtë, 60 vota për dhe 40 kundër, ku pothuajse të gjithë republikanët dhe tetë demokratë, që u ndanë nga partia e tyre, votuan për dokumentin, shkruan BBC.
Marrëveshja parasheh që qeveria të financohet deri në fund të janarit. Tani projektligji duhet të miratohet edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve para se presidenti Donald Trump ta nënshkruajë dhe ta bëjë atë ligjërisht efektiv. Trump ka dhënë sinjale se është i gatshëm ta nënshkruajë dokumentin.
Marrëveshja u arrit pas negociatave gjatë fundjavës, ku disa demokratë u bashkuan me republikanët për të rikthyer punëtorët federalë në punë dhe për të rinisur shërbimet thelbësore. Mbyllja e Qeverisë ka ndikuar në rreth 1.4 milion punëtorë federalë, të cilët ose janë në pushim pa pagesë, ose po punojnë pa pagesë.