Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës ka bërë thirrje për protestë masive, të cilën do ta mbajnë nesër pasi që nuk po marrin pagën.
Nëpërmjet një komunikate për media sindikata thotë se kjo është thirrje për mobilizim të madh dhe pjesëmarrje masive nga të gjithë punëtorët, pa dallim sektori, pozite a po përvoje.
“Nesër, më 13 nëntor 2025, në ora 11:15, para objektit të RTK-1, zhvillohet protesta e dytë me radhë e organizuar nga Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK). Kjo është një thirrje për mobilizim të madh dhe pjesëmarrje masive nga të gjithë punëtorët pa dallim sektori, pozite apo përvoje. Zëri ynë i përbashkët është forca më e madhe për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e punëtorëve të RTK-së. Ftojmë gjithashtu mediat e vendit që ta mbulojnë këtë protestë dhe të shprehin solidaritet me punonjësit e Radiotelevizionit Publik”, thuhet në thirrjen e sindikatës.
Ata kanë thënë se nesër do të bëhet të ditura edhe veprimet e mëtejme.
“Gjatë protestës së nesërme do të bëhen publik hapat e mëtejmë, përfshirë nisjen e grevës dhe bojkotit të punës, nëse situata nuk ndryshon. Detajet do të komunikohen gjatë ditës së nesërme. Le të jemi të gjithë bashkë — për pagë, dinjitet dhe të ardhme të sigurt për RTK-në”, përfundon komunikata.
Punëtorët e RTK-së kanë protestuar edhe me 6 nëntor, ku në duar mbanin pankartat me mbishkrime, “Punëtorët e RTK-së, jo viktima të krizës”, “Gazetar pa pagë-demokraci pa zë”, ”Kërkojmë dinjitet, jo mëshirë”, “RTK nuk hesht edhe në errësirë”.
Përfaqësuesi i sindikatës, Gëzim Bimbashi para mediave i pati bërë thirrje, Kuvendit, Qeverisë dhe menaxhmentit të RTK-së që të reflektojnë, e në rast se nuk bëhet kjo atëherë ata kanë paralajmëruar grevë të përgjithshme, duke paralajmëruar edhe se ajo mund të përshkallëzohet.
“Jemi këtu jo për luks, e jo për rritje pagës fatkeqësisht por për rritje të pagës por për një të drejtë themelore për pagën tonë që na takon me ligj. Në vend që të protestojmë për përmirësimin kushteve të punës apo rritje të pagës ne jemi të detyruar të dalim në rrugë për pagat që i kemi fituar me djersë dhe përkushtim. Në gjithë shtetin pagat janë ngritur, të paktën kështu thuhet. Por në RTK punëtorët nuk po marrin as ato që i meritojnë për punën që bëjnë çdo ditë me më shumë përgjegjësi. Kjo nuk është thjeshtë padrejtësi, është fyerje për punën dhe dinjitetin e secilit punëtorë në RTK. Ndërkohë deputetët e Kuvendit të Kosovës vazhdojnë të i marrin pagat e tyre rregullisht, çdo muaj pa asnjë vonesë. Por për ne punëtorët që mbajmë gjallë transmetuesin publik askush nuk është kujtuar. E them qartë se për këtë situatë përgjegjësi kanë të gjithë, Kuvendi, Qeveria dhe menaxhmenti i RTK-së”.
“RTK është institucion publik dhe pasuri e qytetarëve të Kosovës, por sot për shkak të neglizhencës rrezikohet vet funksionimi i saj. Pa paga, pa respekt dhe pa mbështetje asnjë institucion nuk mund të mbijetojë. Ne kemi qenë të durueshëm por durimi jonë ka kufij. Nëse brenda një kohë të shkurtër nuk gjendet zgjidhje, sindikata e punëtorëve të RTK do të shqyrtojë mundësitë ligjore për hyrje në grevë të përgjithshme. Dhe nëse vazhdohet me heshtje e shpërfillje protestat tona edhe mund të përshkallëzohen”, kishte deklaruar Bimbashi në protestën e parë./EO